Albspirit

Media/News/Publishing

Thanas Sqepari: In memoriam, Sejfulla Malëshova!

 

 

Sa herë vjen muaji qershor, nuk janë të pakët shqiptarët që kujtojnë me nderim Sejfulla Malëshovën, luftëtarin e madh antifashist dhe demokrat, i cili mbylli sytë në vetmi në një spital të Fierit më 11 qershor 1971, në moshën 71 vjeçare. Jeta e tij ishte një kalvar i pafund përpjekjesh, luftërash e mundimesh, për të cilat e meriton të kujtohet e nderohet nga brezat e ardhshëm.

Kush ishte Sejfulla Malëshova?

Sejfulla Malëshova u lind më 19 korrik të vitit 1900 në fshatin Limar të Malëshovës së Përmetit.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në Malëshovë, ndërsa ato të mesmet i vazhdoi në Kolegjin Shën Mitër Korona të Italisë, ku ka dhënë mësim edhe i madhi Jeronim de Rada. Pastaj vazhdoi universitetin në Romë, Fakultetin e Mjekësisë, për të përfunduar në Moskë, ku mbaroi për filozofi në Universitetin “Lomonosov”. Nisur nga rezultatet e shkëlqyera që siguroi, u mbajt pedagog. Pak më vonë u organizua një konkurs për vendin e dekanit të filozofisë, ku u ftuan studentët e shkëlqyer të pesë viteve të fundit nga shumë kombe të botës. I bëjnë ftesë edhe Sejfullait për të konkurruar, ndër gati 150 konkurrentë.

Në mbarim të konkursit doli shpallja: Vendin e Dekanit të Filozofisë e fiton djaloshi nga Shqipëria, Sejfulla Malëshova. Kjo ishte një dhuratë dhe nder që i jepej Atdheut të tij të dashur, Shqipërisë.

Që në të ritë e tij, Sejfulla Malëshova u përfshi dhe u aktivizua gjerësisht në rrethet atdhetare, ku u dallua për shpirtin e tij të zjarrtë atdhetar; pjesëmarrës aktiv në lëvizjen për drejtësi e përparim shoqëror. Ai, vazhdimisht, do të ishte në krahun e vegjëlisë. Edhe pse fare i ri në moshë, u bë një emër shumë i njohur në rrethet patriotike dhe politike të kohës. Krijoi dhe mbajti lidhje të pandërprera me intelektualët më në zë të vendit. Sejfulla Malëshova që kur ishte në bankat e kolegjit, si djalë populli që ishte, i hodhi të gjitha energjitë e tij për të çliruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Në radhët e studentëve shqiptarë në Itali, fjala dhe pena e Sejfulla Malëshovës shquhen aq shumë sa dy mjeshtrit e mëdhenj të gjuhës shqipe, dy nga figurat më të mëdha politike të Rilindjes sonë, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët e konsiderojnë Lame Kodrën (emri letrar i Sejfullait) si dishepullin e tyre me vlerë, si bashkëpunëtor të radhës së parë. Botimet shqiptare, si në Itali ashtu edhe ato të Federatës “Vatra” në Amerikë, dëshmojnë për punët, për inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat e kulluara të patriotizmit të Sejfulla Malëshovës. Nisur nga përgatitja që kishte, doemos, edhe nga aftësitë që zotëronte, ish-kryeministri i vitit 1924, Fan Noli, e mori në kabinetin e tij qeveritar si kryesekretar të Kryeministrisë.

Së bashku me Avni Rustemin, si dhe me intelektualë të tjerë përparimtarë të asaj kohe, Sejfulla Malëshova luftoi për një Shqipëri demokratike të vegjëlisë. Revolucioni i Qershorit, përpjekja dhe lufta për të përmbysur regjimin e bejlerëve dhe të agallarëve, të feudalëve, e kishin nxjerrë Sejfulla Malëshovën në paraskenën e politikës shqiptare. Atëherë, ishte vetëm 23 vjeç. Fjala dhe pena e tij qenë trumbetë lufte për të gjithë demokratët e asaj kohe.

Antizogisti i paepur

Sejfulla Malëshova, duke punuar dhe luftuar për Shqipëri dhe për popull, zgjedh rrugën e tij, formon bindjen dhe besimin e tij se vetëm populli, me forcat e veta, duke mobilizuar e organizuar të gjitha energjitë e tij, materiale dhe morale, do të sigurojë një Shqipëri të pavarur dhe demokratike.

Në dhjetor të vitit 1924, siç dihet edhe nga historia, Ahmet Zogu, i ndihmuar nga forcat serbe dhe ato bjellogardiste, rrëzoi me dhunë qeverinë e Fan Nolit. Në këto kushte, me qindra patriotë, me qindra demokratë shqiptarë, morën rrugën e arratisë dhe atë të mërgimit. Në mes tyre është edhe Sejfulla Malëshova. Ishte një largim i detyruar, mbasi mund ta pësonin, siç e pësuan shumë të tjerë, që i vrau Zogu në netët pa besë.

Por edhe në emigracion, në Itali, Austri, Francë dhe në kuadrin e Kominternit, Sejfulla Malëshova luajti një rol me shumë rëndësi me fjalët e tij, me shkrimet dhe punën e tij…

 

 

 

Lame Kodra

SI E DUA SHQIPËRINË*

 

S’kam çiflig e s’kam pallate,

S ’kam dyqan me katër kate

Por e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Per një shkarpë e për një gur,

Për kasollen mi Selishte

Për dy ara në Zallishte,

Për një lopë e një gomar,

Për një Balo, një manar.

 

Unë e dua Shqipërinë

Si bari dhe si fshatar,

 

Unë e dua Shqipërinë

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisat gjethe-shumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë.

Për një zok që fluturon,

Për bilbilin që këndon

N’ ato ferra e në ato hije

Këngë malli e dashurie.

 

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhëmshëruar.

 

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça në Vraninë,

Ku del bujku që me natë

Me parmëndë dhe me shatë,

Mbjell e korr me diell, me hënë

Dhe s’ka bukë për të ngrënë

Ku nallbani e samarxhiu,

Kërrusen ditë e kërrusen natë,

Që të hanë bukë thatë,

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur e varela,

Këmbë-zbathur, bythë çjerrë

Punon vetë për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e në Janinë,

Ku një popull derë-zi

Heq e vuan robëri,

Po ka shpirtin luftëtar.

 

Unë e dua Shqipërinë

Si një revolucionar.

 

*Kjo poezi është shkruar më 1939 dhe botuar në vitin 1941 në gazetën “Liria” në Amerikë. Ribotuar në “Vjersha” (1945, 1946) dhe në organe të ndryshme të shtypit.

Please follow and like us: