Valon Kurtishi: Përgjigje shqiptare për një neootoman
Në kuadër të vizitës së vet dyditore në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë i përsëriti qëndrimet e tij të zakonshme dhe tashmë të njohura në lidhje me qëllimet e politikës së jashtme të këtij shteti aziatik. Duket se qeveria e re turke me orientime puritaniste e ka marë seriozisht realizimin e asaj që nuk e aritën qeveritë e mëparshme nacional-sekulariste në regjionin ballkanik.
Duket se Turqia në rajone të caktuara përpiqet të luajë rolin e një fuqie të rëndësishme që duhet marrë parasysh dhe respektuar në vendimmarjet regjionale. Kjo i bie të jetë ajo që Henri Kisinxher (Henry Kissinger) në librin e tij “Diplomacia” e përshkruan si ndarja e botës në sfera kontrolli dhe influence, me një superfuqi globale si SHBA në krye dhe me disa hegjemonë regjionalë që ose e sfidojnë supremacinë globale të SHBA në aleancë me disa hegjemonë të tjerë rajonalë ose janë në aleancë me Amerikën. Rusia tashmë duket e releguar në statusin e një fuqie të tillë rajonale. Bashkimi Europian duket të jetë fuqia rajonale në Europë me ndikime të fuqishme globale. Kina e India për rajonet respektive të lindjes së largët dhe asaj jugperëndimore, kurse Brazili në Amerikën jugore. Një rol të tillë për një hapësirë më të kufizuar gjeografike në Azinë e vogël, në Azinë qëndrore dhe mundësisht edhe në Ballkan, e ëndëron tashmë edhe Turqia, një shtet i cili kohëve të fundit duke i falenderuar edhe përkrahjes së SHBA dhe Bashkimit Europian gjendet në ngritje të vazhdueshme ekonomike. Zhvillimi ekonomik kuptohet se rit edhe ndikimin politik të vendit në skenën ndërkombëtare. Edhe në këtë fushë janë vërejtur dhe shihen disa zhvillime interesante në politikën e jashtme të këtij shteti si ftohja e marrëdhënieve me Izraelin dhe disa lëvizje tjera që nuk janë pritur mirë në Uashington, si konvergjencat në lidhje me intervenimin dhe zhvillimin e situatës në Irak p.sh.
Në dritën e ritjes së vetëbesimit të elitave politiko-ekonomike së këtij shteti duhen parë edhe lëvizjet e fundit në drejtim të Ballkanit. Janë realizuar disa vizita të elitave shtetërore dhe qarqeve ekonomiko-financiare në kryeqytetet ballkanike, ku spikasin vizitat në Beograd, Sofje apo Zagreb e Tiranë si dhe janë nëshkruar një mori e marrëveshjeve bilaterale e multilaterale ekonomike e politike me të cilat synohet të ritet influenca turke këtu.
E kësaj natyre ishte edhe vizita e fundit në Shkup e z.Amet Dautogllu (Ahmed Davutoglu), ministër i jashtëm dhe gjeostrateg i njohur nacionalist turk, me një agjendë shumë interesante e cila ia vlen të shihet nga më shumë aspekte. Duke mos pasur hapësirë gazetareske që kësaj vizite ti qasemi nga më tepër këndvështrime, do të koncentrohemi shkurtimisht vetëm në çështjet që prekin interesat kombëtare të shqiptarëve të këtushëm në lidhje me Turqinë, turqizimin e shqiptarëve si dhe impakti që kjo vizitë dhe planet e projektet konkrete që janë duke u realizuar para dhe pas kësaj vizite kanë për elementin etnik shqiptar në IRJM. Të shtojmë këtu se populli shqiptar si një popull i kulturuar europian me tipare të theksuara humanizmi, gjithmonë e ka ndjekur me simpati dhe kur duhet edhe e ka ndihmuar konkretisht luftën dhe përpjekjet e popullit turk për liri, bashkim, emancipim dhe përparim në të gjitha sferat e jetës. Populli ynë ka ndihmuar edhe popuj tjerë në luftën e tyre për liri dhe emancipim social duke dhënë kontribut të çmuar përtej mundësive të veta për paqe e zhvillim në botë.
Një rekapitulim i shkurtër historik
Turqia e maskuar nën eufemizmin Perandoria Otomane, e ka mbajtur për reth 500 vite nën okupim territorin etnik shqiptar në Ballkan, duke i shkaktuar kombit një gjenocid, kulturocid, asimilim social, shkretëtirë ekonomike dhe prapambeturi epokale e cila as sot më 2010 nuk është duke u larguar nga jeta e përditshme e kolektivit si dhe nga mendësia e individit shqiptar. Populli ynë është përpjekur në reth 57 kryengritje masive të çlirohet nga sundimi i huaj aziatik. Në periudhën e Tanzimatit apo reformave të mëdha centralizuese, është bërë përpjekje që të asimilohet tërësisht populli ynë, duke mos lejuar asesi shkolla në gjuhën shqipe, dhe duke hapur dhe mbajtur me dhunë shkolla në gjuhën turke për muslimanët shqiptarë, si dhe duke lejuar shovinizmin grek që të mbajë shkolla në gjuhën greke për ortodoksët shqiptarë. Kjo politikë turke i ka shkaktuar kombit shqiptar humbjen e gjithë vilajetit të Janinës dhe atij të Manastirit ku në atë periudhë me lejen e qeverisë turke kanë vepruar mëse 400 shkolla greke dhe 200 shkolla bullgare dhe vllehe për fëmijët shqiptarë. Profesorët e nderuar Pëllumb Xhufi, Kristo Frashëri, Kasëm Biçoku, Ali Hadri, Zekeria Cana, Shukri Rahimi, Hivzi Islami e shumë të tjerë e kanë sqaruar shumë mirë këtë fazë të marrëdhënieve shqiptare me sunduesit e huaj.
Sulmi i aleancës ballkanike kundër Shqipërisë në vitin e tmershëm 1912 nuk është pritur aspak nga forcat mbrojtëse të Perandorisë Otomane të cilat janë tërhequr plotësisht për të mbrojtur territorin etnik turk, duke pamundësuar elementin etnik shqiptar të vetëmbrohet.
Në vitet 30 dhe 50 të shekullit XX, shteti turk ka nënshkruar marrëveshje ndërshtetërore “për emigrimin e popullatës turke” me Jugosllavinë dhe Greqinë respektivisht, me të cilat e ka dënuar me vdekje kombin shqiptar të Çamërisë, Kosovës dhe Maqedonisë gjeografike, pasi dihet se ata pak “turq etnikë” të këtyre territoreve janë larguar nga këtu që në vitin 1912. Marrëveshjet e këtilla kanë qenë të drejtuara krejtësisht kundër interesave nacionale të shqiptarëve dhe kanë shkuar plotësisht në favor të planeve gjenocidale sllavo-greke për pastrimin etnik të territoreve shqiptare. Ne nuk e dimë akoma sot a janë shfuqizuar këto konventa apo jo?.
Në gjithë këtë periudhë kohore, shovinizmi sërb ka tentuar ta shtojë në mënyrë artificiale numrin e popullsië turke në Ish Jugosllavi dhe ta ulë sa të jetë e mundur numrin e popullsisë shqiptare. Në këtë masakër antishqiptare Turqia, Jugosllavia dhe Greqia kanë bashkëpunuar më mënyrë perfekte.
Post 1999
Përgjatë gjithë periudhës nga viti i largët 1912 e deri në intervenimet e NATO në Kosovë në vitin 1999, politika turke ka qenë projugosllave dhe thelbësisht indiferente ndaj fatit të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Madje në raste të caktuara kjo politikë mer formë të hapur antishqiptare kur Turqia nënshkruan pakte ballkanike me Greqinë, Jugosllavinë dhe Rumuninë, si para luftës së dytë botërore në vitet 30 ashtu edhe pas luftës në vitet 50.
Edhe pas intervenimit të SHBA-NATO dhe çlirimit të Kosovës, politika zyrtare turke ka pasur një qëndrim shumë anakronik me momente të tilla kulmore negative si fjala e ambasadorit turk në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe kërkesa e tij drejtuar anëtarëve të këtij Këshilli për të krijuar dhe mbrojtur “zona etnike turke” në Kosovë.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Turqia është bërë nën presionin direkt Amerikan. Kjo shihet qartë kur asnjëra nga pesë republikat turkofone të Azisë qëndrore si Kazakistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Kirgizia, Taxhikistani nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. As Azerbaixhani turk i Kaukazit si aleat më i ngushtë i Ankarasë zyrtare në rajon, nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk e pengoi aspak Ankaranë që të kërkojë nga Tirana zyrtare ndalesën e menjëhershme të shitjes së armëve të vjetra shqiptare Armenisë.
Agresioni kulturor dhe imperializmi ekonomiko-financiar
Një moment tjetër shumë negativ ka qenë kërkesa qesharake dhe paradoksale drejtuar UNMIK për të zyrtarizuar me çdo kusht gjuhën turke në Kosovë për 0.4% gjoja “turq” atje, në të njëjtën kohë kur në vendin e vet nuk pranon në asnjë mënyrë zyrtarizimin e gjuhës shqipe apo të atyre kurde, boshnjake, armene, çerkeze, greke p.sh. Përderisa për të a.q “pakicë turke” në Kosovë apo IRJM e cila de fakto nuk ekziston dhe është një përzierje e shqiptarëve dhe sllavëve muslimanë të pavetëdijshëm kombëtarisht, kërkon me zë të lartë deri në OKB shkolla në gjuhën turke, për pakicën e vërtetë reale shqiptare prej 5 milionë në Turqi as që lejon identifikimin si grup i veçantë etnik, e lëre më shkollimin në gjuhën amtare.
Përderisa qeveritë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe qeveria antishqiptare e IRJM lejojnë hapjen jo vetëm të shkollave publike por edhe të atyre private në gjuhën turke për ata shqiptarë të pavetëdijshëm në aspekt kombëtar që identifikohen si turq, shteti turk nuk lejon asesi shkollat në gjuhën shqipe në Turqi. Për më tepër në një akt të pabesueshëm, shumë të ulët dhe arrogant, ministri i arsimit së këtij vendi gjatë një vizite në Shkup, pyetjes së një gazetari shqiptar për shkolla shqipe në Turqi iu përgjigj me një sarkazëm primitiv se “le të kërkojnë dhe pastaj do e shqyrtojmë këtë kërkesë” apo edhe “paska shqiptarë në Turqi”. Me një arrogancë të njëjtë mohuese iu përgjigjën edhe kërkesës së kryeministrit Berisha për programe në gjuhën shqipe në TV publik turk.
Nga ana tjetër, është interesante të shihet sesi një numër i studiuesve turq e paraqesin pozitën e sotme të së a.q “pakicë etnike turke” në IRJM dhe Kosovë. Sipas tyre, “turqit janë shqiptarizuar dhe akoma edhe sot janë nën një presion të madh të nacionalistëve shqiptarë të cilët ngjashëm si në Bullgari po tentojnë të asimilojë apo shqiptarizojnë turqit e Maqedonisë apo Kosovës”!? (shih në, Sirin Tufayi “Turks in Macedonia”; apo edhe Guner Ismail, “The Position of the Turks in the Republic of Macedonia”). Madje edhe në faqe elektronike qëndrimet zyrtare turke për të a.q “pakicë turke” në Kosovë janë aq absurde dhe të pabesueshme të llojit, “Pas vitit 1912 turqit kanë përjetuar masa të shumta asimiluese nga shqiptarët” apo “Pas vitit 1945 turqit janë detyruar të mësojnë në gjuhën shqipe” (shin në Wikipedia, Turks in Kosovo)!?. Sipas pikëpamjes së çuditshme të qarqeve akademike turke, “Turqit e Kosovës dhe Maqedonisë kanë qenë në mes të nacionalizmit të shumicës dhe pakicës”. Me këtë duan të thonë në mes zjarrit të dy nacionalizmave – atij sërb dhe atij shqiptar!?. Edhe shefja e departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Bilgi në Stamboll Shule Kut, ka pasur qëndrime kontradiktore në shkrimet e saj në lidhje me të a.q “turq” të Kosovës. Një studiues tjetër turk , Can Karpat, i quan padrejtësisht dhe më përçmim shqiptarët e IRJM, “një pakicë që sillet si shumicë”, (shih në Can Karpat, Two Major Muslim Minorities of Macedonia: Albanians and Turks”). Dr. Nasif Mandaci nga ana tjetër flet për “qindra mijëra turq” që u larguan nga Kosova në Turqi duke pranuar plotësisht tezat sërbe se në Turqi u larguan turqit dhe jo shqiptarët nga Ish Jugosllavia. Pra shkenca turke manipulon gjithë kohës me përkatësinë etnike të qytetarëve të Kosovës dhe IRJM duke falsifikuar në vazhdimësi përbërjen etnike të popullatës shqiptare në vend. Në një artikull me titull “Frika e turqve të Kosovës nga shqiptarizimi”, (Zaman, 27 maj 2008, “Kosovo Turks’ fear of Albanianization”), të shkruar nga Hajrudin Somun, ish ambasador i Bosnjës në Turqi, Irfan Sekerci, kryetar i lidhjes “Doru Yol” në Prizren, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është e mirë, por frikohemi nga nacionalizmi shqiptar!?.
Një numër i autorëve tjerë si Aydin Babuna (shih në “Albanian National Identity and Islam in the Post Communist Era”), një franceze antishqiptare Natalie Clayer – Popoviç e cila boton për llogari të sërbëve dhe turqve në Stamboll e Paris, e disa të tjerë, ua mohojnë shqiptarëve identitetin e veçantë kombëtar duke mjegulluar shumë fakte nga historia më e afërt apo më e largët dhe duke ardhur në përfundime krejtësisht të gabuara neokolonialiste për identitetin kombëtar të popullit shqiptar në Ballkan. Në këto shkrime paraqiten teza të gabuara dhe gati raciste në lidhje me religjionin dhe kombëtarizmin të shqiptarët në ish Jugosllavi, teza këto shumë të ngjashme me shkrimet e shqiptarofobëve sërbë e grekë nga e kaluara të cilët kanë spekuluar shumë me amalgamën e identiteteve fetare dhe kombëtare të masave analfabete shqiptare nën okupimin jugosllav e grek. Për qëndrimet e ngjashme të autorëve turq, sërbë dhe grekë në lidhje me këtë çështje mund të shihet dokumenti me titull, “Position of the Turkish National Community in the Kosovo- Metohija since Rambouillet…”, ku teza sërbe përputhet plotësisht me atë turke.
Nga këto shkrime si dhe të tjera të ngjashme siç duket inspirohet edhe Dautogllu në përpilimin dhe pastaj edhe në realizimin konkret të politikave të tij në drejtim të shqiptarëve në Europën Juglindore.
Politika aktuale e Republikës së Turqisë në Kosovë dhe IRJM është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat nacionale të shqiptarëve të cilët tentojnë apo priren drejt avancimit juridik-politik, ekonomik, kulturor dhe numerik të faktorit shqiptar këtu. Politika dhe strategjia e sotme turke për turqizimin e komuniteteve të caktuara shkakton rënien apo uljen e numrit të popullsisë shqiptare në IRJM dhe Kosovë, duke dëmtuar prospektet për të ardhmen shqiptare të popullsisë në këto dy rajone shqiptare.
Të gjitha lëvizjet, deklaratat apo inaugurimet e ministrit turk gjatë vizitës së tij në IRJM kanë dëmtuar rëndë interesat e komunitetit shqiptar këtu dhe i kanë shkuar përshtati shovinizmit sllavo-maqedonas në gjithë ingredientët e mësipërm. Politika e sotme turke në drejtim të shqiptarëve në IRJM dhe Kosovë karakterizohet nga një nacionalizëm shumë transparent, neoimperializëm i skajshëm, si dhe një integralizëm “islamik” i kamufluar në mënyrë perfekte dhe i mbështjellë me doza miqësie dhe amortizues gjoja “fetarë”. Atë që Dominik Moisi (Dominique Moisi) e quan “Gjeopolitikë të emocioneve” (Geopolitics of Emotions), e pamë të shfrytëzohet e interpretohet në praktikë gjatë kësaj vizite me shembuj shkollorë. Kështu, fjalët e ministrit në xhaminë shqiptare të larme të Tetovës dhe në USHT se “ndihet mirë mes shqiptarëve”, nga persona me aftësi të kufizuara mendore mund të meren si të vërteta absolute, por ja që veprimet tjera e demantojnë rëndë ministrin e jashtëm në këto që tha.
Kjo shihet qartë kur zyrtarët e ndryshëm turq i emërtojnë xamitë dhe objektet tjera kulturore të ndërtuara nga shqiptarët muslimanë gjatë viteve të errëta të okupimit turk si objekte “turko-otomane”. Kjo paraqet një nacionalizim apo kombëtarizim të objekteve dhe të gjithë trashëgimisë kulturore islame, e cila e tëhujason duke e shkombëtarizuar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare të shqiptarëve në IRJM dhe më gjerë.
Në këtë drejtim, vizita në xhamitë apo objektet tjera islamike shqiptare të Manastirit, Tetovës, Shkupit, Ohrit si dhe emërtimi i këtyre objekteve nga Ministri i jashtëm si “turko-otomane”. paraqet një sulm frontal dhe një sfidë serioze ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve të këtushëm. Pas kësaj shtrohet pyetja logjike: Nëse xhamitë dhe objektet tjera islamike në IRJM janë trashëgimi kombëtare turke kurse nga ana tjetër kishat ortodokse janë trashëgimi kombëtare sllavo-maqedonase, atëherë ku është trashëgimia kombëtare shqiptare në Maqedoni!?. Këtu del në pah shumë qartë edhe keqpërdorimi i pamoralshëm i fesë islame në funksion të rikthimit kulturor nacionalist afetar turk në Ballkan. Goditja kryesore këtu jepet ndaj elementit autokton shqiptar dhe boshnjak, të cilët rrezikohen nga zhdukja totale nëse përfshihen në skema të këtilla asimiluese të cilat i shndërrojnë në fushë të përshtatshme për tu bërë kurban në atë që Samuel Huntington e quan “përleshje të qytetërimeve’, apo akoma më keq në “kufinj të përgjakshëm të islamit”.
Imperializmi kulturor turk është duke i rezikuar përbindshëm shqiptarët në IRJM dhe më pak edhe në Kosovë. Sipas Entit shtetëror të Statistikave të FYROM-it i cili është etnikisht i pastër dhe prej të cilit shqiptarët janë larguar tërësisht, 77 959 persona ose afërsisht 4% e popullsisë së IRJM është regjistruar si turke, duke e ulur kështu me 4 % numrin e popullsisë shqiptare këtu. Nga ana tjetër, numri i popullsisë së regjistruar si turke në qytetin shqiptar të Prizrenit është ritur nga 7 227 apo 4.1% më 1991, në 14 050 apo 6.4% në vitin 2002. Këto të dhëna statistikore tregojnë qartë asimilimin e shqiptarëve në territoret e tyre etnike. Një rol të tmershëm në turqizimin e kësaj mase të madhe të shqiptarëve në IRJM dhe Kosovë ka luajtur dhe luan Turqia me politikat e turqizimit të shqiptarëve me anët të shkollimit publik, kolegjeve private, ndikimeve kulturore (si shfaqja e filmave nacionalistë turk në disa TV gjoja shqiptare), ndikimeve pseudo -fetare, dhënies së stimujve të ndryshëm financiarë personave labilë e pa identitet, ndikimeve ekonomike etj.
Ulja për 4% e numrit të shqiptarëve të këtushëm është interes jetik i shovinizmit sllav dhe Turqia nëse është vërtet mik i sinqertë i shqiptarëve duhet të tërhiqet nga njohja dhe sponzorimi i të a.q “pakicë etnike turke” në IRJM apo edhe në Kosovë. Nëse Davutoglu e ka me sinqeritet dhe gjithë mend atë që deklaroi në USHT dhe në xhaminë e larme se “është mik i shqiptarëve” dhe se “pranë shqiptarëve ndjehet mirë”, atëherë ai duhet të ndalojë menjëherë politikën e turqizimit të shqiptarëve pasi kjo i shkon përshtati nacional-shovinizmit sllav. Përndryshe këto fjalë duken shumë boshe dhe kjo shndërrohet në hipokrizi apo dyfytyrësi makiaveliste. Nëse Dautogllu është mik i shqiptarëve, atëherë ai duhet të mbyllë menjëherë konsullatën turke që e hapi në Ohër pasi pikërisht në këtë qytet shqiptar, minoriteti shqiptar i ndodhur nën trysninë e përditshme sllave është turqizuar në përmasa të frikshme. Konsullata e sapohapur turke duke qenë ajo e një shteti të fuqishëm, rrezikon që të turqizojë edhe 2 962 shqiptarët e mbetur atje. 2 268 shqiptarë të tjerë të Ohrit nën trysninë sllave tashmë janë regjistruar si turq etnikë.
Gjatë vizitës në Manastir, Dautogllu është dashur të pranojë publikisht origjinën etnike shqiptare të Mustafa Qemalit dhe tu bëjë apel shqiptarëve të Manastirit që të qëndrojnë aty dhe të mos turqizohen nga frika sllave, pasi ata janë shqiptarë dhe ai “ndjehet mirë pranë tyre”. Këtë tua thoshte 4 164 shqiptarëve të mbetur të Manastirit dhe jo shqiptarëve në Tetovë, pasi ata nën presionin e shovinizmit sllav kanë tëndencë të turqizohen.
Hapja e Qendrës për kulturë turke “Junus Emre”, i cili përndryshe është një poet mesjetar mistik dhe nacionalist turk i cili e ka larguar arabishten dhe persishten për të futur turqishten popullore në poezitë e tij, do të ndihmojë në vazhdimin e turqizimit të shqiptarëve në Shkup. Ministri i jashtëm turk si mik i shqiptarëve, bën mirë që me autoritetin e tij të ndikojë që shteti turk tua kthejë shqiptarëve Hanin Kurshumlia, pasi ai objekt historik është trashëgimi kulturore shqiptare dhe duhet edhe shqiptarëve të shkretë tu mbetet diçka nga kultura islame, apo jo?
Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet popujve nuk bazohen në sentimentalizma apo dashuri të përjetshme, por në interesa të mirëstudiuar dhe mirëkalkuluar reciprokë. Parë në një këndvështrim më të gjerë dhe gjithëpërfshirës, rikthimi kulturor turk paraqet një përgatitje tereni për rikthim dhe shfrytëzim ekonomik. Kjo tashmë është duke ndodhur në Shqipëri, Kosovë dhe në IRJM ku vërehen elemente neokolonialiste dhe neoimperialiste të shfrytëzimit të të mirave publike dhe të qytetarëve shqiptarë nga kompani të mëdha turke. Privatizimi i një numri të ndërmarjeve në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare duke përdorur elemente shantazhi e korrupsioni bashkë nga kompani të tilla si Calik, TAV, Ziraat apo Pariba, tregon qartë një tendencë të tillë shfrytëzimi dhe konsolidimi të fuqisë financiare- ekonomike për t’u përdorur më vonë për qëllime politike. Shembujt për këtë janë të shumtë por për arsye hapësire nuk do t’i japim këtu.
Përfundim
Ekspansioni ekonomik dhe kulturor turk në bazë të Real-politik (në kuptim të një politike të bazuar në interesa apo konsiderata praktike e jo në terma ideologjikë apo premisa morale) që aplikohet një kohë të gjatë, shkon në drejtim të maksimizimit të fuqisë së shtetit-komb në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fund nuk mund të mos përjashtohet as ekspansioni i drejpërdrejtë territorial, i kushtëzuar më tepër nga lëvizje të ndryshme tektonike të inicuara dhe kontrolluara nga interesa më të mëdha të fuqive globale. Kjo politikë ekspansioni kulturor, ekonomik dhe territorial ska lidhje me miqësi mes dy popujve tanë. Populli ynë dhe shteti ynë shqiptar nuk janë kundër fuqizimit të shtetit turk dhe përparimit e mirëqenies së popullit mik turk apo çdo populli tjetër mik. Por shteti shqiptar, kombi ynë dhe shqiptarët e vetëdijshëm kombëtarisht nuk mund të pranojnë asimilimin etnik dhe shfrytëzimin ekonomik nga nacional-shovinizmat e huaj kushdoqofshin ato.
Këtu me të vërtetë shtrohet pyetja se kush e kupton këtë mesazh, dhe jo vetëm. Thënë më drejtë, nuk kemi të bëjmë me mesazhe por me politikë asimiluese neoimperialiste e cila është duke u realizuar me masa dhe veprime konkrete në praktikë. Lufta e paevitueshme kundër kulturës dhe akoma më gjerë kundër civilizimit shqiptar e filluar që moti, tashmë ka marrë forma më perfide, më të sofistikuara dhe më të egra se kurrë më parë. Elementët apatridë, anacionalë dhe antikombëtarë do të detyrohen të çjerin maskat dhe të nxjerin fytyrën e vërtetë. Ata tashmë kanë filluar ta bëjnë këtë. Çështja është se kush do të reshtohet në mbrojtje të kulturës sonë të rrezikuar kombëtare dhe cili botëkuptim (Weltanschauung) do të triumfojë në fund.
31.03.2010.