Ismail Xhaferi: Unë dua të protestoj!
Unë dua të protestoj,
Për ca halle të mëdha,
Për pagat e deputetëve,
Që të rriten edhe ca.
Unë dua të protestoj,
Veç në emër të lirisë,
Gjithë gjyqtarët milardierë,
Të jenë “Nderi i Shqipërisë”.
Unë dua të protestoj
Se u bëmë si karnavale,
Për gjithë njerëzit e papunë,
Të ulet ndihma sociale.
Unë dua të protestoj,
Në dorë do mbaj një pankartë,
Të ulet ndihma sociale,
Sepse është shumë e lartë.
Unë dua të protestoj,
Sepse s’më pëlqen kjo punë,
T’i ulet rroga punëtorit,
Të kemi taksa më shumë.
Unë dua të protestoj,
Le të lehin gjithë zagarët.
Ç’ka mbi tokë e ç’ka nën tokë,
Ta marrin qeveritarët.
Unë dua të protestoj,
Pa shumë zhurmë e pa bujë,
Që të kemi më pak drita,
Që të kemi më pak ujë.
Unë dua të protestoj,
Natë e ditë do rri pa gjumë,
Për ata që nuk kanë tesera,
Asnjeri mos hyjë në punë.
Unë dua të protestoj
Se kështu nuk mund të rri,
Të mos kemi sindikata,
Të kemi më shumë parti.
Unë dua të protestoj,
E quaj protestën nder,
Që ministri për financat,
Të mos jetë kurrë financier.
Unë dua të protestoj,
Të mos e ndryshojmë gjirizin,
Për ata që na sundojnë,
Ta ulim më shumë kurrizin.
Unë dua të protestoj,
Të kemi më shumë çakej,
Dhe ushqime pa hormone,
Asnjeri mos shkojë të blejë.
Unë dua të protestoj,
Gjoksi me dufe m’u mbush,
Nëse s’është ajri i ndotur,
Të mos marri frymë askush.
Unë dua të protestoj,
Do të jem në vijë të parë,
Të mos kemi më dëshmorë,
Të mos ketë më lapidarë.
Unë dua të protestoj,
Le të thonë u bë i lig,
Kriminelët dhe hajdutët,
T’i kemi në politikë.
Unë dua të protestoj,
Dhe askujt nuk i hap rrugë,
Ata që s’paguajnë drita,
Duhet të kalben në burg.
Unë dua të protestoj,
Kapitull të ri do çel,
Që populli shqiptar,
Të mos jetë kaq shumë rrebel.
Unë dua të protestoj,
Se na mbytën sharlatanët,
Të ketë veting për të varferit,
Dhe jo për politikanët.
Unë dua të protestoj,
Anembanë të shkojë jehona,
Që gjithë klasës politike,
T’i japim nga ditët tona.