Njëzet të vrarë dhe 26 të plagosur në El Paso
Policia amerikanë tha se 20 veta u vranë dhe 26 u plagosën në një incident me të shtëna në qytetin El Paso të Teksasit, ndërsa është arrestuar një i dyshuar në lidhje me vrasjet.
Shefi i policisë, Greg Allen, tha se viktimat janë nga 2 në 82 vjeç. Ministria e Jashtme e Meksikës tha se tre nga të vrarët dhe gjashtë nga të plagosurit janë shtetas të saj.
Organet e rendit e identifikuan të dyshuarin si Patrick Crusius, 21 vjeçar, në burrë i bardhë nga Allen një paralagje veriore e Dallasit, rreth 1 mijë kilometra në lindje të El Pasos.
Policia tha se po e heton rastin si krim të nxitur nga urrejtja.
Shefi i policisë tha se “tani kemi një manifest të këtij individi që flet për lidhjen e tij me krimin e urrejtjes”.
Manifesti i shkruar si duket nga vet i dyshuari është postuar në internet një orë para së të fillonin të shtënat dhe në të përfshihen edhe ankesat për “pushtim hispanik” të Teksasit. Autori i manifestit shkruante se pret që të vritet edhe vet gjatë sulmit.
Ligjvënësi Joaquin Castro nga Teksasi, tha se “ky veprim i egër i terrorizmit kundër amerikanëve hispanikë u frymëzua nga retorika përçarëse racore dhe etnike dhe u mundësua nga armët e luftës”.
Gjuha në manifestin e sulmuesit tha më tej ai në një deklaratë, ” është në përputhje me përshkrimin e presidentit Donald Trump të emigrantëve hispanik si ‘pushtues’, tha zoti Castro, i cili është gjithashtu kryetari i Grupit Hispanik në Kongresin amerikan. “Të shtënat e sotme janë një kujtesë e ashpër e rreziqeve të një retorike të tillë”, th ai.
Presidenti Trump shkroi të shtunën se “Melania dhe unë u i kemi në mendje dhe në lutjet tona të përzemërta njerëzit e mëdhenj të Teksasit”.
Të shtënat filluan të shtunën paradite sipas kohës lokale në Walmart dhe në një zonë ku ndodhet një qendër shitblerjeje e njohur si Cielo Vista Mall.
Zëdhënësi i policisë në El Paso, Robert Gomez, tha se më së shumti të shtëna pati në Walmart, ku ishin më shumë se një mijë blerës dhe 100 punonjës.
Qyteti El Paso, me rreth 680 mijë banorë në Teksasin Perëndimor, është në kufi me qytetin meksikan Juarez.