Sonila Meço: Bota e sotme, një teatër i madh!
Nëse Shekspiri do të ngjallej sot, m’u përpara godinës së Teatrit tonë Kombëtar, do të kishte rigjetur kuptimin e frazës në monologun e famshëm të Jacquesit, në aktin e dytë të skenës së shtatë te vepra “As you like it” ( Si t’ju pëlqejë). Për publikun bëhet gjithnjë më e vështirë të dallojë ata që flasin sinqerisht e pa qëllime të mbrapshta, në këtë skenë të madhe ku pushteti po sfidon aktorët në “teatrin” për Teatrin. Megjithatë, për të mos prishur qetësinë e Shekspirit, i cili gjithsesi i ka konsideruar të tërë në rol në skenën e jetës, do marr nga trazimi i një dramaturgu të absurdit, si vetë “zhanri” përzgjedhur nga pushteti, Arthuer Adamovi, një thënie, për të zbuluar ca më shumë nga rolet e ca më tepër nga skenari që po i serviret publikut: “Një shfaqje teatri duhet të jetë pikëtakimi mes dy botëve, të dukshme e të padukshme”. Le të zhvendosemi pikërisht në atë pikëtakimi, atëherë:
Debati për Teatrin nuk është vetëm çështje e artistëve ose atyre të lidhur me të. Debati për teatrin është çështje politike, çështje e filozofisë së zgjedhur nga pushteti për të na qeverisur, për të përdorur paratë tona dhe pasuritë publike, çështje e mënyrës së zgjedhur për të ndërtuar shtet dhe raportin me ligjin. Është çështje zgjedhjeje mes demokracisë së fjalës dhe autokracisë së veprimit. Dhe meqenëse “djalli” fshihet në vendimmarrje, aktorët e vërtetë duhen kërkuar aty.
Në datën 12 mars 2018, vetë kryeministri Rama do të prezantonte projektin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, projektuar nga Bjarke Ingelsi. Një nga aktet e ‘teatrit’ të madh konsumohet këtu, sepse Grupi i Ingelsit nuk i është nënshtruar asnjë konkurrimi për projektin. Një akt tjetër konsumohet po aty, sepse projekti pa konkurs do të bëhet në një pronë publike. Një tjetër akt edhe më i rëndë, pa asnjë transparencë e debat publik. Shfaqja nis të marrë formë, “aktorët” e pushtetit nisin provat. Vetë kryeministri e sheh të pamundur rinovimin e ndërtesës aktuale, trashëgimi kulturore dhe thërret në ndihmë një tjetër akt tipik të shfaqjeve të tij, partneritetin publik privat. Dhe në rolin kryesor, vendos një aktor të tij të preferuar, të njëjtën kompani që ka fituar një seri tenderësh me këtë qeveri. Për të arritur në qëllimin kryesor, vjen në ndihmë një ligj që, përmes Parlamentit, do t’i japë jetë një plani ku Teatri Kombëtar është veç një dekor në skenën e një teatri më gjigant, ndërtimi i kullave. Filozofi e kësaj qeverisjeje. Shpronësimi, pra kalimi nga bashkia e Tiranës – që është pronarja e tokës – tek privati, tashmë do të garantohet nga një “aktor” i ri, por shumë premtues, Parlamenti, që funksionon bash mirë vetëm me votat e shumicës, duke u shmangur kësisoj procedurat e tenderit dhe të privatizimit sipas ligjit.
Pra, në pikëtakimin e botës së dukshme (nevojës për të patur një godinë dinjitoze Tetari Kombëtar), me atë të padukshme (nevojës së kësaj qeverisjeje për të shpërdoruar pará publike në PPP, për të shpërblyer kompani të lidhura me të, si edhe veten, me procedura jotransparente në një shtet të kapur), ne po konsumojmë teatrin e vërtetë, duke zëvendësuar aktorë profesionistë të skenës me profesionistë aktorë të pushtetit.
Dhe tashmë, skenografinë, aktorët, kostumografinë i përzgjedh pushteti, duke u ofruar shqiptarëve teatrin më të keq të mundshëm, një vend ku ligjet bëhen siç do një njeri i vetëm, për llogari të disa njerëzve të pasur pranë tij, miratuar nga institucione të kapura krejtësisht prej tij. Parlamenti, gjykatat, qeveria lokale, të gjitha në funksion të “teatrit” të pushtetit. Dhe sikur të mos mjaftonte, një teatër plagjiaturë – si në formë (projekti i paraqitur nga Bjarke Ingelsi për teatrin, ngjason me atë vitit 2011 të firmës Forma Architects për Shtëpinë e Operës në Busan) – edhe në filozofi, si shumë vepra të tjera të përzgjedhura nga pushteti për të pasuruar jetën tonë kulturore e shpirtërore. Për të vërtetuar kopjimin e keq, më vjen në ndihmë, Jon Lee Anderson, një kontribuues i rregullt i The New Yorker i cili, një vit më parë, do të publikonte një nga shkrimet më të lexuara të revistës prestigjioze: “Jeta sekrete e Panama City”. Për të, udhëtimi në vendin e parajsës fiskale, strehëzës së korporatave fantazmë dhe bankave, që nuk duan t’ia dinë për burimin e parave, qe zbulimi i qytetit të kullave të larta të kateve të zbrazura. Miku që e shoqëronte, me një thjeshtësi të jashtëzakonshme, do t’i thoshte se, ky është konfigurimi i “pastrimit të parave”. Njerëz me pará të pista nga aktivitete të ndryshme kriminale, që donin të pastronin miliona të ardhura të dyshimta, do të regjistronin dhjetëra biznese të reja, fiktive, do të hynin në marrëveshje me zotëruesit e kullave për marrjen me qira të sa më shumë zyrave. Me një llogaritje të thjeshtë të kateve, për një vit, vetëm me një kullë, pastrohen më shumë se 100 milionë dollarë, do të përfundonte shpjegimin miku i tij. Kjo vetëm një nga qindra mënyrat, të cilat funksionojnë edhe sipas zbulimeve të Panama Paper. Por rasti dëshmon se si betoni dhe fasadat, janë një mënyrë e përsosur për të fshehur pará dhe për të lehtësuar biznesin e ndërtimit në qarkullimin e tyre. Ajo që vëzhgoi me kujdes gazetari i The Nju Jorker, qe se zonat e banuara e me gjelbërim përreth kullave qenë “zhdukur” për t’u zëvendësuar nga të tjera kulla. Ngjan e dëgjuar kjo filozofi? Sa kulla të tilla po ndërtohen në Tiranë? Jashtë nevojave aktuale të tregut? Duke gllabëruar pasuri e hapësira publike? Por le të vijojmë me “plagjiaturën”. Ish-presidenti Martinelli që drejtoi vendin nga viti 2009 më 2014, akuzohet për korrupsion nga Gjykata e Lartë dhe konsiderohet si mbështetësi kryesor i PPP-ve. Dhe kompania që ai më shumë favorizoi në këto projekte, gjiganti brazilian Odebrecht u përfshi në skandal të madh korrupsioni në vendin e vet. Por në Panama gjetën strehim edhe shumë persona të tjerë të akuzuar për krime e pastrim parash, që kanë mundur të investojnë, duke krijuar oazin e tyre të pasurisë e qetësisë. Kur gazetari pyet kryetarin e bashkisë së Panama City për këtë prezencë, ai përgjigjet se qyteti i ngjan një Zvicre. Kur pyetet për paratë e dyshimta që përfshihen në ndërtim a projekte të tjera të bashkisë, ai përgjigjet se këtë e sheh si një shërbim ndaj komunitetit. Mund të mos gjejë askush arsye krahasimi mes Panamasë së parajsës fiskale dhe Shqipërisë, që mëton të çelë negociatat me BE-në, por sjelljet dhe filozofia janë kaq të ngjashme, sa dyshimet pas “teatrit” me dëgjesa aktorësh, të fshehin aktorët e vërtetë të kësaj historie, që mund të jetë problematike për interesin publik.
Ja edhe disa arsye më shumë.
Nevoja për të zbatuar me kokëfortësi projekte PPP, sjell përqendrim të vendimmarrjes në pak duar njerëzish, që as nuk janë zgjedhur me votë; ato shmangin konkurrimet mes projekteve, duke bërë përqendrimin e tyre vetëm në pak privatë me lidhje të ngushta me pushtetin; klauzolat shpesh janë garantuese për privatin në dëm të publikut; zëri i këtij të fundit mungon, sepse vendimet merren pa konsultime ose njoftime paraprake. Dhe mbi të gjitha, në mungesë të një plani strategjik. Për të mos shtuar këtu degradimin e mjedisit, uljen e sipërfaqes së gjelbër ose nënvlerësimin e aseteve publike. Por duke konsideruar faktin se, korrupsioni i lartë dhe drejtësia e munguar janë terreni mbi të cilin zbatohen këto projekte, nuk mund të mendosh se këtu kemi të bëjmë thjesht me çështje teknike. Përkundrazi, kjo është çështje politike.
Pra, si përfundim, “teatri” i madh mbi Teatrin Kombëtar është një betejë interesash politike, financiare e korruptive që, në skenën mediatike, rreket t’i vijë rrotull një debati mes artistëve profesionistë dhe pushtetit për si e duan godinën e re, të shembur a të rikonstruktuar, të re ose rinovuar mbi tallashin kancerogjen, futuriste a mishërim të nostalgjisë së një trashëgimie kulturore. Por nuk është vetëm kështu e më keq ende, është shumë më tepër se kaq. Nëse projektorët që ndezim çdo ditë mbi këtë skenë të vërtetë teatri, nuk ju ndihmojnë të dalloni mirë aktorët, për diçka duhet të jemi të sigurt: E gjithë bota është një skenë, por shfaqja po luhet keq. Aktorët profesionistë kanë nevojë të mbështeten, jo për t’i ndarë mes vedi, por për t’i dalluar nga profesionistët e aktrimit që po përdorin një godinë teatri për të na bërë viktimat e “teatrit” më të madh me ne, kërcënimin e pakthyeshëm të interesit publik. Teatri, kudo qoftë ai, në skenën e godinës së vjetër a mes kullash ngritur rishtazi, është pasqyrë, reflektim i ashpër i shoqërisë. Eja marrim të paktën një herë rolet që meritojmë në të! Por kësaj here, ndjesë Shekspiri, por “As we like it” (Si të na pëlqejë ne, publikut).