Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mallkuar qofshin pushimet politike!

Image result for protesta e opozites

Këto pushimet politike më kujtojnë atë këngën e Loretta Goggit, Maladetta Primavera, veçse me versionin, mallkuar vera, pushimet verore etj. Pasi është si të luash mendsh kur pas nji viti skandalesh politike, Edi Rama kuvendon akoma nga fejsbuku, tallet, ironizon, si kryeministër i Shqipërisë. Një vend si Shqipëria do e meritonte plotësisht një shpërbërje qeverie dhe çuarjen e vendit në zgjedhje, ashtu si Greqia, ashtu si edhe po veprojnë shqiptarët në pjesë e epërme të kombit, Kosovë. Mirëpo ndodh e kundërta tek ne, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Eshtë shumë e thjeshtë në demokraci, dështove, hap krahun. Kurse kryeministri në Shqipëri grindet me ndonjë qytetar në fejsbuk sa për të thënë se ka dikë kundërt, grindet dhe e ironizon tallur çfarë ka qejf me mendjen e mbushur se nuk ka humbur aspak nga reputacioni si qeveritar i ligjshëm i vendit.
Për më keq akoma kjo fushatë e dyzuar e opozitës, ca me regjistrimin për zgjedhje në 13 tetor, ca me takime nëpër Shqipëri siç edhe po vepron Lulzim Basha. Pa mënjanuar edhe komunitetin artistik në lidhje me godinën e teatrit kombëtar, një opozitarizëm për t’u patur zili, megjithëse nga ana tjetër nxorri në pah një hendek të madh social atë të mospërkrahjes së njëri-tjetrit karshi objekteve të kultit të fjalës. Aq sa të vjen keq kur e shikon një aktore ikonë me një karrierë dyzetëvjeçare që përulësisht të thotë se partia e saj është arti. Shoqëria karshi duket si një tren që rend përbri saj, indeferent, pa e kuptuar se nuk po vret artistin apo artin në përgjithësi por vetveten. Dhe të parët që po e bëjnë këtë janë ata që përkrahin ca dështakë si Edi Rama. Ndaj sa herë hedh sytë nga Shqipëria të kujtohet ajo kënga e vjetër, mallkuar qofshë moj verë pushimesh. Pasi nuk po e merr vesh i pari të dytin. Nuk po kuptojmë se ku janë standartet demokratike të një shtetari? Ku ato të një opozitari? Dhe ku ato të një shoqërie që kujton se është e denjë për komunitetin europian ndaj i duket normale të ndahet jo në tresh, por në katër, pesë a gjashtëfishin e vet.

Nuk e di se çfarë skandali tjetër duan më së pari opozitarët që kanë filluar të pëshpërisin për zgjedhje të reja por me Edi Ramën. Ka qënë një vit skandalesh dhe ja ky i fundit me kryetarin e bashkisë së Durrësit. Nuk e di përse i duhen Lulzim Bashës këto takimet në rrethe, kur rrethet, ruralizmi në përgjithësi i është mbushur mendja më përpara se vet Bashës që nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Dhe se Edi Rama nuk njeh asnjë koncept a standart demokracie veç uni të tij prej të parruari, shalvarexhiu, a mjaftisti me ideologji te tipit Enver Hoxha. Hiqeni nga mendja se do ta hiqnin Edi Ramën me delikatesë europiane a amerikane.

Lërini pushimet menjanë dhe kthejuni shesheve, fillojeni nga teatri sa nuk është vonë. Lërini deklaratat me shtatorin se gjoja në shtator do filloni nga protestat. Protestat nuk njohin vapë, nuk njohin pushime, nuk njohin deklarata personale por në grup opozitar. Nuk është tragjedi kombëtare të zbythësh Edi Ramën, tragjedi është t’i japësh kohë të kakarisi. Eshtë një absurditet i gjithi që skandal pas skandali dhe ai del më i fortë. Nga ana tjetër një opozitë që edhe bën fushatë, edhe deklaron, edhe distancohet, edhe shkon e regjistrohet. Çfarë do bëj edhe opozita votime siç bëri Edi Rama në 30 qershor? Eshtë absurditet ramist ky jo opozitar. Nuk ka demokraci me këtë logjikë. Nuk fitohet kështu. Madje opozita sot duhej të ishte më e bashkuar. Biles i bëni thirrje edhe presidentit t’i lëri mënjanë sportivitetet malore, të lëri edhe postin e presidentit se vlen më shumë si opozitar. Mjaft e latë me pushime Edi Ramën. Dhe lëri justifikimet se shqiptarët po pushojnë. 5% e shoqërisë ka privilegjin e pushimeve, të tjerët janë argatë të vapës, të të folurit me veten, pritjes etj. Sikur 100 skandale të tjerë të publikoni, Edi Rama nuk dorëhiqet. Sikur gjithë Europa t’i kthehet kundër, sikur Amerika, ai nuk dorëhiqet. Dhe nuk njeh kënd tjetër veç mendjes së tij. Kjo është simptoma e regresit tonë dhe ne e kemi plot historinë me shembuj të tillë. Kaq…, ndaj mbushni sheshet.

Please follow and like us: