Xhoi Jakaj: Pse duhet të jesh bamirës në Shqipëri?
“Për të bërë bamirësi, ka nevojë për dashuri” si dhe përfshirje të personave me influencë të lartë në shoqëri si individë të pastër dhe jo abuzues me termin “BAMIRËSI”.
Në gjithë botën ka të varfër, po ka politika sociale shumë të zhvilluara që nuk ndjehet aq shumë varfëria.
Niveli i varfërisë në vendin tonë është në ekstreme të jashtëzakonshme dhe këtë fakt e pranojnë të gjithë dhe pushtetarët e lartë të shtetit.
Klasat janë ngatërruar dhe shtresa e mesme sa po vjen dhe ulet në numër, ekziston hendek i madh midis grupeve shoqërore në Shqipëri.
Po rritet klasa e të pasurve, pakësohet klasa e mesme me nivel mesatar jetese për shkak të taksave dhe mospërballimit te disa prej tyre nga ajo pagë mujore që marrin dhe si pasojë po rritet numri i të varfërve aq sa në zona thella të Veriut ose Jugut, poema e mjerimit dhe “tollumja” e shqyer e Lulit të vocërr, është bërë aq aktuale sa dhe dora e shtrirë ndonjëherë nuk është vetëm për një punë, një ndihmë momenti, si një pako ushqimi apo një kurë medikamentesh që sjellin mbase edhe shpëtimin e jetës, por shkon edhe më tej pasi rriten pasojat sociale nga mungesa e mundësisë së arsimimit të fëmijëve dhe drama e tyre vazhdon…
Pse duhet të bëjmë BAMIRËSI dhe të ndihmojmë në çdo kohë tjetrin?
Sepse të mbush shpirtin tënd dhe një shpirt i pasur me dashuri ka çfarë të ofrojë gjithnjë, kurse një shpirt i ngushtë nuk e posedon ktë privilegj; jo çdokush ka mundësi të bëjë bamirësi në vlera materiale, por ka mundësi që t’i bashkëngjitet nismës në mënyrë vullnetare, ka mundësi ta thotë një fjalë të mirë, ka mundësi të të buzëqeshë, ka mundësi të të bëjë një njeri të lumtur në këtë konglomerat rrëmujërash që pjell çdo vit politika në Shqipëri dhe shtimit të pakënaqesive shpirtërore si dhe paksimit të vlerava materiale e monetare të individit.
Përpos asaj që bëjmë për t’i ndihmuar nevojtarët, fillojnë e marrin nga pozitiviteti i njëri-tjetrit, (këtë gjë e bëri grupi im vullnetar sot që në nisje të ditës).
Bamirësia duhet të kthehet në shkollë edukimi me grupe shoqërore që e kthejnë në kauza sociale dhe një shkollë e tillë i bën më socialë të gjithë, të bën ty të ndihesh mirë e njëherësh ata që mbështeten i bën më falënderues ndaj atij/asaj që u dha këtë mbështetje.
Në një kohë kur vlerat njerëzore po vijnë duke u zbehur, ne duhet të jemi të gatshëm çdo ditë për të ndihmuar dikë. Gezim dhe Eva Dedaj të cilët kanë një biznes ndër të tjera thanë dy fjalë të mençura që vlejnë për të gjithë.
Secili nga ne duhet të bëjë një veprim pozitiv për të ulur shpenzimet tona, të heqim një kafe, një vakt ushqimor nga yni, një blerje fustani apo kostumi ose një fundjavë pushimesh dhe së bashku bëjmë gjëra të mëdha në dobi të njerëzimit dhe ruajtjes së vlerave njerëzore aq të vlefshme për jetët tona.
Ata janë pjesë e rëndësishme e nismës së aktivitetit të bamirësisë që kam ndërmarrë këtë gusht me një grup vullnetarësh dhe shpirti tyre mbart shumë mirësi për të tjerët e pakot që dhurojmë do i pagëzojmë më emërtimin “Eva”, emrin e zonjës edhe pse ajo nuk e kërkoi këtë gjë.
Varfëria nuk mund të luftohet për një ditë të vetme. Nëse do ta ndiejmë praninë e njeri- tjetrit, ne gjithmonë do të bëjmë mirë dhe nuk do të ketë nevojë për ditë ndërkombëtare sensibilizimi për zhdukjen e varfërisë.
Ajo që e motivon skuadrën e kësaj nisme humanitare i kalon kufijtë e tokësores të kësaj bote dhe kthehet në hyjnore e ndonjëhere hyjnitë janë mes nesh, mjafton t’i zbulojmë ata ky është dhe objektivi im.
Përparësia jonë në grup është të zbulojmë shpirtin njerëzor, atë që sakrifikon për tjetrin, jo ata që ngrenë një qendër apo fondacion e brenda 5 viteve kthehen në miliardere në kurriz të “varfërisë dhe bamirësisë”.
Unë kam qëllim ta kthej në një shkollë mirëfilli , sigurisht nëse gjej mbështetje nga një filantrop që përveç se të ndihmojmë të tregojmë here pas here dhe përjetimet e mbresat gjatë vullnetarizmit të personave të përfshirë në bamirësi, se ky angazhim të jep një kënaqësi të veçantë, që mbase edhe po t’i kalosh pushimet në vendet më të bukura, resortet më të shtrejta dhe vendet me ekzotike me bukuri tê rralla natyrore, nuk merr më shumë kënaqësi sesa nga lutja e një nëne që mund t’i shkosh në shtëpi, e nga fëmijë me sy të përlotur dhe që të shikojnë nga duart se çfarë do t’u dhurosh këtë herë, e një hall që mund t’ia heqësh dikujt që i ke shtrirë dorën në ditë të vështira.
Ka pasur dhe raste kur një dhurim është bërë shkak për shpëtimin e jetës së personave me sëmundje të rënda dhe kënaqësia kur shpëton dikë shoqërohet me shpërblimin e publikuar, por kjo gjë ndihmon në sensibilizim, ndaj them se duhet një shkollë e tillë ku të japim shembuj prej vërteti…
“Kush shpëton një jetë, ka bërë një mrekulli hyjnore që i shërben gjithë njerëzimit”
Varfëria në Shqipëri është vrastare, therëse, kështu që, nuk ka rëndësi se ku je, nuk ka rëndësi se çfarë bën, në qoftë se ke dashuri për njerëzit, për jetën, për gjithçka, ty të është dhënë mundësia ta kthesh atë dashuri në një vepër të madhe, pasi zemra nuk njeh shifra.
Ne shohim sot njerëz të profesioneve të ndryshme që kanë miliona, nuk është problem se nuk po ngopim dot të varfërit, por s’po ngopim dot të pasurit nga lakmia e shtuar…
Me grupin tim vullnetar kam ndërmarrë nismën jo vetëm për të bërë bamirësi, por ajo që ka rëndësi për mua, është që të lë gjurmë të mira te njerëzit e t’i vazhdojmë kauzat tona pa egon e fitimit për vete, sepse kur shikoj “ashpërsinë e njerëzve të pasur” them me vete mësova nga butësia e shpirti të madh të të varfërve, kur shikoj “padrejtësinë e njerëzve të pasur” them me vete mësova prej drejtësisë së njeriut të pamundur ekonomikisht, por njeri me vlera të larta morale.
Kjo që po bëj unë me një grup vullnetarësh është një gjë shumë e vogël dhe pse kam vite që e ushtroj bamirësinë në forma të ndryshme dhe organizoj evente bamirësie me miq, mikesha, kolegë, nxënës dhe studentët e mi.
Por ne e kemi një shembull të madh per t’u ndjekur dhe ai është emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” ndërtuar bukur, thjesht dhe me vërtetësi nga Elvis Naçi, Ola Bruko Papaproko dhe Sidrid Bejleri.
Post Scriptum: Le ta marrin si nismë shumë televizione të tjera pa bujë të personazheve publikë me SHOU ku një emision i ndërtuar prej vitesh nuk ka për mision “Bamirësinë e vërtetë” por reklamim. Ja çfarë bëmë edhe ne?!
Jam shpesh pro publikimit të ndihmës dhe mbështetjes, por e asaj pa përfitime personale, e asaj paqësores që nuk kërcet kur trumbetohet, por prek çdo zemër të mirë që ka shpirt për të përmbushur një KAUZË, një MISION.
Hatixhe Hasandocaj: Mirënjohje e pafund për Xhoi Jakaj dhe ekipin e saj të bamirësisë!