Albspirit

Media/News/Publishing

JORGE SAMPRUN: Zota dhe hijet, shënime për ‘Muzgu i perëndive të stepës’

Image result for JORGE SEMPRUN
JORGE SAMPRUN*
Revista “L’express”, prill 1981

Që në frazat e para të librit, ne ndiejmë charme-in që lëviz. E megjithatë, aty bëhet fjalë veç për një shtëpi pushimi shkrimtarësh në brigjet e Baltikut: ndeshje pingpongu jashtë në ajër, nën muzgjet e dritësuara deri në mesnatë të qiellit nordik. Gjëra të vogla, banalitete të jetës së përditshme, sikurse është edhe shfaqja e papritur midis lojtarëve mbrëmësorë e floknajës bionde të një vajze të re letoneze. Me fjalë të tjera, vetë jeta ashtu siç është.
Por, magjia e të shkruarit fillon menjëherë të veprojë. Midis fjalëve kalon heshtja, ashtu sikurse era kalon plazheve; nga gjestet më të rëndomta nisin e zgjohen jehonat, në fund të peizazhit lëvizin hijet dhe në kujtesën e lexuesit trenat e zbrazët fillojnë të popullohen nga fantazmat.
Jo shumë kohë më parë Milan Kundera na kujtonte ca vargje të poetit çek Jan Skacel: “Poetët nuk i shpikin poemat. – Poema është diku, aty prapa. – Ajo qëndron aty prej shumë kohe. – Poeti s’bën gjë tjetër veç e zbulon”. Kadare, pa dyshim, u përket këtyre njerëzve, që zbulojnë “diku, aty prapa” poemën tronditëse të jetës.
Ne e njihnim atë si një shkrimtar të madh qysh nga dalja në frëngjisht e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, (1970), që ishte një libër i paparë. “Dimri i vetmisë së madhe” (1978) e rikonfirmon edhe një herë këtë talent. Në të bëhej fjalë për një kronikë sa historike, aq dhe romaneske: shkëputjen e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, më 1961. “Muzgu i perëndive të stepës”, i shkruar në të njëjtin kontekst historik, ka një regjistër fare të ndryshëm dhe është më intimist. Dhe, pa dyshim, më efikas.
Narratori, ky “unë” i tij, me një biografi, edhe pse të shkurtuar, na jep të skicuar Kadarenë vetë, këtë shkrimtar shqiptar që ndjek studimet në Institutin “Gorki” në Moskë. Pas faqeve të mrekullueshme të pjesës së parë, ku bëhet fjalë për mjediset e shtëpisë së pushimit të shkrimtarëve, gjejmë portretet e letrarëve zyrtarë, të përshkruar me një mprehtësi e ironi mizore, pikërisht në çastin kur, më 1958, shpërthen fushata e shpifjeve kundër Pasternakut, që sapo ka fituar Çmimin Nobel. Po kështu, pasazhi në një apartament të braktisur, ku i riu shqiptar zbulon fletët e fragmenteve të “Zhivagos” të lënë pa frymë për nga thjeshtësia dhe emocioni që mbartin.
Por pyetja që shtron ky rrëfim, nganjëherë kaq çehovian, kaq i shenjuar prej tipareve të thella të një vendi që Kadare e përçmon në të gjitha planet, pra pyetja që tërthorazi shtrohet është kjo: perënditë e stepës, ata të cilëve shkrimtari shqiptar u paralajmëron muzgun, a janë vallë vetëm udhëheqësit makutë e meskinë të Rusisë? Po aq sa të Rusisë, a nuk janë ata, në të vërtetë, perënditë e socializmit real?

Shkrimi është botuar në prill të vitit 1981, shoqëruar me shënimin kuptimplotë të revistës “L’express”, shënim që ka lidhje me dy rreshtat e fundit të artikullit, ku bëhet aluzion i hapur negativ për udhëheqësit e Shqipërisë. “Për arsye diplomatike, Kadare nuk mundi të merrte pjesë në emisionin “Apostrophe”, ku ishte ftuar gjithashtu Wiliam Styron. Motivi: një shqiptar nuk mund të takojë një amerikan, një sovjetik, një afrikano-jugor”.

* Jorge Samprun është shkrimtar dhe personalitet i shquar franko-spanjoll dhe Akademik i Francës.

 

Please follow and like us: