Albspirit

Media/News/Publishing

8 GUSHT, KUR U NDAL RILINDJA E KOSOVES…

 

 

Gazeta historike Rilindja, si nuk u ndal edhe kur u ndalua para 29 viteve…

-Në 8 Gusht 1990 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk doli, natën ishte ndaluar në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 8 Gusht 2019/ Kosovës para 29 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, por nuk arriti ta ndalë.

“Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.

Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.

Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në mëngjesin e para 29 viteve – të 8 Gushtit 1990, me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë me makinë shkrimi. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…

“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve), t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja në revistën Fjala me shpeshtime botimi vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.

Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis.

Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi  për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja”.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për

privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës

Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të

Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.

Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

RILINDJA NË KOHË LUFTE,  NË RAPORTIME TË SHKURTIT 1999 TË QENDRËS PËR INFORMIM TË KOSOVËS DHE TË AGJENCISË SHTETËRORE-ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË:

http://www.kosova.com/ arkivi1997/i990212b.htm

 

U shënua 54-vjetori i gazetës së përditshmes “Rilindja”

 

 

Prishtinë, 12 shkurt (QIK) – Sot në Pallatin e Shtypit në Prishtinë, gazetarë dhe punonjës të shumtë shënuan përvjetorin e 54 të botimit të gazetës së përditshme “Rilindja”.

Përvjetorin e kësaj gazete e shpalli të hapur Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar i “Rilindjes”, i cili në fillim nga të pranishmit kërkoi një minut heshtje në nderim të gazetarit dhe kolegut të kësaj gazete, Afrim Maliqi, dhe për viktimat e rëna nga terrori shtetëror serb.

Në vazhdim, z. Jashari theksoi se “sot për herë të parë po e shënojmë përvjetorin e kësaj gazete pa botimin e saj, përkatësisht pas ndalimit të dytë të gazetës sonë nga regjimi serb”. Në vazhdim z. Jashari foli për shembëlltyrën dhe personalitetin e çmuar të Afrim Maliqit, i cili u vra dhjetorin e kaluar nga shërbimi sekret serb. Duke folur për të ardhmen e të përditshmes “Rilindja”, z. Jashari shfaqi shpresën se së shpejti e përditshmja “Rilindja” do të jetë sërish në duart e lexuesve, pasi për këtë ekziston edhe një vullnet nga ana e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Në vazhdim, fjalën e mori zëvendëskryeredaktori i “Rilindjes”, z. Bajram Kabashi, i cili theksoi se “përvjetori të cilin e po e shënojmë sot, për herë të parë në historinë mbi gjysëmshekullore të daljes së “Rilindjes” është i veçantë, sepse këtë ditë jemi tubuar që përpos të përkujtojmë historinë dhe traditën e bujshme të gazetës sonë, së bashku me juve kolegë të nderuar të profesionit, jemi tubuar këtu të shprehim pezmin dhe kundërshtimin tonë për ndalimin e gazetës “Bujku” që nga 16 dhjetori i vitit të kaluar. Kjo u bë me pretekstin e gënjeshtërt e manipulativ, se kinse i paskemi borxh fantom organizatës “Panorama”, e cila lindi si rezultat i heqjes së gjysmëautonomisë së Kosovës para një decenie”.

Në vazhdim Bajram Kabashi theksoi se “Rilindja’ filloi të botohet këtu e 54 vjet më parë, ndërsa si e përditshme, gazeta jonë botohet tash e 41 vjet. Ndalimi i “Bujkut” në fund të vitit të kaluar, shënon përpjekjen e fundit të Serbisë për të shuar zërin autentik të “Rilindjes” dhe të traditës pozitive të gazetës, e cila gjithnjë ishte në shërbim të aspiratës së popullit tonë për liri e pavarësi nga regjimi serb.

Kërkojmë urgjentisht nga regjimi serb që të na e kthejë pasurinë e plaçkitur me vlerë prej 400 milionë markash gjermane. Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës shqipe dhe për këtë kemi mbështetje e solidarizim gjithkombëtar e ndërkombëtar”, përfundoi Kabashi.

Në vazhdim zëvendëskryeredaktori i “Rilindjes”, i njoftoi të pranishmit se juria e përbërë nga gazetarët Shyqri Galica, Ali Cenaj e Frrok Kristaj, vendosi që çmimin për gazetar të decenies (çmim ky që e përditshmja “Rilindja e ndan për herë të parë), t’ia ndaj korrespodentit të “Rilindjes” nga Klina, z. Prend Buzhala, ndërsa shpërblimi tradicional “Gazetar i vitit” iu nda dy gazetarëve të “Rilindjes”, Evlianë Beranit e Zeqir Bekollit, si dhe fotoreporterit të kësaj gazete, Ilaz Bylykbashit.

Në fund të këtij përvjetori, gazetari Behlul Jashari i njoftoi të pranishmit se tash e tutje çmimi “Gazetar i vitit”, të cilin e përditshmja “Rilindja” e ndan çdo vit, do të ndahet me emrin e gazetarit dhe kolegut të nderuar Afrim Maliqi, propozim ky i cili nga të pranishmit u pranua me emocione e duartrokitje.

Nga ky manifestim iu dha përkrahje e plotë delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë, si dhe u përshëndet uniteti i këtij delegacioni.

 

http://www.hri.org/news/

balkans/ata/1999/99-02-22.ata.html

 

 

 

[14] Rilindja appears in Prishtina after nine-year ban

PRISHTINE, Feb 22 – ATA correspondent reported that the Albanian daily Rilindja was published on Monday in Prishtina after nine-year ban imposed by the Serb regime.The daily was published despite the fact that the ban was still in place. It was printed in a private printing house because the Rilindja publishing house and all its property in Kosova worth 400 million marks were occupied and seized by the Belgrade regime.

The preparation for the newspaper was done under extremely difficult conditions outside the building of the Press Palace where the Serb police had banned the work of its employers since last year when Bujku was also banned. /la/ak/

 

Albanian Telegraphic Agency

 

 

(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018

Please follow and like us: