Brunilda Spiro: Meteor, se nga yjet ka turp
Dje u zura keq me vehten…
Më ankohej për veten…
E mora vrapin si shpëtim
Po shtriga me ndiqte si hije
Hënë moj si hafije më harbohesh
Zjarr më je ndezur e unë zbuluar dal
Ti kënaqesh me shamatanë
Semafor i kuq i natës fisnike
që Agimi të jeshilon me blerimin vesëfreskët
E mbetesh si një gjethe e varur në një qosh të qiellit e në mëshirë të Diellit
Më ler të mos dukem
Nga vetja të zhdukem!
Të fashit ato rrëke malli që zhurmojnë
Si rreshjet e malit kur derdhen në lumë
Se pa pikën e keqardhjes, cikli i stinëve si Diellin më ka rrotulluar
Një trup pa shpirt e pa frymë
Ditët varen si këmisha në pastrimin kimik
Që presin të zotin t’i veshë të pastruara
Nga kujtimet e një dite më parë
Të pastruara nga parfumi, fytyrat dhe fjalët që kishin veç dje kuptim, sot,
Ajri i ka fshirë si gjethet pa kërcell, pa degë e pa pemë…
Pasi pemët lartohen në atdhe, larg tij ka vetëm gjemba
Që netët i gjakosin dhe ditët diku i grisin, diku i arnojnë
Si gjilpëra makinash qepëse të Kinës, dikur
Që qep e gris e gjaku i gishtave ngjyroste
Kapardinat që i gjeje veç me miq
E mbetëm ne të mjerët peng të miqve
Me ngjyra të ndryshme
Të bardhë, të verdhë, sybajame e sydalë
Peng të veshëve që dëgjojnë gjuhë që nuk i njohim
Dhe me pahir të gjitha i mësuam
Dielli në kupë të adhisos u ngrit…
Po sytë i ulim nga shkëlqimi që nuk na përket
E tallemi me madhështinë e të parëve tanë
Që si Zota, gremisen mitet e rrokullisen qiejt
Ne, të mjerët e shekullit të 21,
Ne që po rindërtojmë brenda nesh kullën që ata e rrëzuan…
Kullën e pabesë të Babelit dhe
Po e tërheqim kudo me dashurinë e mohuar
Ndaj njeri-tjetrit e llojit tonë
urrejtjen shenjtëruam dhe ndërsa
Dashuria flet në gjuhë të huaja
Urrejtja flet shqip…
Diku në një cep të globit vazhdoj të zihem së brendshmi
Se më ankohet për veten,
E për kë tjetër?
Turq nuk kam pranë, ata këmbëkryq janë shtruar në shtëpinë time
Dhe sintaksën që të parët e mbrojtën e “ata s’e morën e nuk e morën”,
tani po e marrin me lezet, urtë e butë e pa luftë,
Mashallah o Allah!
O Allah na mbro nga i ligu, se edhe pak dhe arnautët nuk po ngjasin arnautë!
Si ciganët i shpërndamë nëpër botë,
Dhe ata që akoma qëndrojnë,
Jataganët i fshehëm në pluhur të bardhë,
Në kimikate me emra modernë,
Burrave ua bleme mendte,
Nenat t’i vrasin dhe gratë t’i turpërojnë
e pinjollëve turpin t’ua ngjitin
Si recetë të helmit të ngadaltë
Që dashurinë ta quajnë turp dhe urrejtjen ta shenjtërojnë
Bijtë e të parëve krenarë
Që edhe hiri i madhështisë së dikurshme
Iku, u bë meteor
E nëpër qiej si shpirt i vrarë do endet, sepse nga Yjet ka turp.
Michigan, 04/08/2019.