Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: ZHURMA BAHET ME HARRUE!

KOLEGJI  SAVERIAN SHKODER

SIKUR…

Në ballin e Kolegjit n’foto asht Stema me Shqipen Dykrenare dhe e shkrueme “Per Zot, Per Atme e Perparim”. Gjithshka e pershtatun me kulturen dhe qytetnimin Europjan. Aty u zbatuen programet ma të zgjedhuna e metodat ma të perparueme të formimit të brezit të rij në lamin e gjithanshem Perëndimor. Aty zbatohej arsimi dhe kultura ma e plota.Ajo shkollë i referohej tre drejtimeve themelore: “Punë –  Shkencë – Disiplinë”.Mësimi zhvillohej në klasa, kabinetet e fizikës, të kimisë dhe biblioteka shumë e pasun e Jezuitëve. Këtu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, dhe ‘Gramatika’ e parë Shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thonte Don Ndre Mjedja; e para gramatikë në Ballkan; veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj., skedari i famshëm i Atë Zef Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat ma vonë do të grabiteshin nga “dr. prof., e Akademisë së Shkencave RPSSh…”. 

Duhet kujtue Don Luigj Maca, dhurues i 1100 napolonave, si dhe familjet e nderueme të Shkodres që ndihmuene hapjen e kësaj qendre edukative e mësimore të rallë në Ballkan.

Në pullazin e Kolegjit ishte edhe Stacioni Meteorologjik, i vetmi në gjithë Ballkanin…

Në 1906 Prifti anglez Ruter solli një top me disa rregulla futbolli të shkrueme, që u bane loja e dashtun e Vllaznisë mavonshme, ku lulzoi Loro Boriçi e mbarë Rinia Shkodrane! 

Volejbollistët e basketbollistët zanafillen e vet e kanë në oborrin e këtij Kolegji. Këtu pat lëshue trup edhe Mark Çuni, i Pari Demokrat i Europës Lindore në Maji të 1945, per të cilin Don Mark Hasi, bashkohës i Tij thonte: “Ai nuk i vjen ma Rinisë Shqiptare !”(1954)

1841, SIKUR… VJOLLCAT EDHE  SHKODRA!.. 

Ndertesa në krahun e djathtë, pra ndertesa me harqe, që siper kishte Teatrin e Kolegjit, i Pari në Shqipni.., të fliste nga gurt’ e varrosun n’ atë Tokë të Bekueme, mbas vitit 1960.., dhe të shpjegonte sesi aty u le arti dramatik me vlera të panjohuna edhe sot gati mbas 200 vjetësh, që i dha jetë dhe lavdi kulturore Kryeqytetit Ilirisë, Shkodres… Asaj Bij’ së re, të bukur dhe Burrneshë të Rozafës së Pavdekshme, Heroinë e Nderueme nder shoqet e veta të Ballkanit, Trimneshë e Bujare e Sokolave të Kastriotit, ku sofrat e fitoreve u janë shtrue e çue prej pasuesve të Oso Kukës dhe, deri tek Martirët e paharrueshem t’ Atyne Maleve që nuk njohin mort e marre nga Kullat e Prek Calit, Ded Cokut, Gjelosh Lulit e sa mija të tjerve.., rreth Votres Shkodrane të shemun të Luigj Gurakuqit… E, deri poshtë Drinit nder rranojat e At Gjergj Fishtës, ku Flamuri i Shqipnisë vazhdon me u valvitë nder vargjet e Lahutës së Malcisë!..E shitun dhe e turpnueme perjetë të jetës, nga pasues tradhtarë e “Rilindas” vrastarë, të pjellun nder sarajet sllavo – anadollake të Tiranës… 

               Melbourne, 8 Gusht 2019.       

Please follow and like us: