Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Magjia e Çirçes

Image result for circja dhe uliksi

Si nëpër ëndërr, turbull ndihej harpa.
Për luftën diç tregonte një i verbër.
Pastaj … veç mjegull, vela të përçarta.
Dhe deti shkumëzuar, tallazegër.

Humbëm në avujt që lëshonte vera,
Përgjumur pranë sofrës rreth e qark.
Uliksi në mëngjes na gjeti derra
Zhgrryer në baltë e lidhur fort në thark.

Sa ndenjëm?! S’di. Në hiçin e pamatë,
Koha, si ne, gërhinte derrërisht.
Nderonim shkopin me gërveç të thantë
Dhe na pëlqente qenia jonë me bisht.

Po shpesh na digjte malli dhe, papritur,
Si për çudi, nisëm të derdhim lot.
Afronim feçkat duke hungëritur
Qanim … po bota s’na kuptonte dot.

Se bota s’di që derrat psherëtijnë.
As që përloten, fshehur nëpër ferra.
As frikën therëse kur ulërijnë.
Një Zot e di pse i gatoi derra.

Please follow and like us: