Albspirit

Media/News/Publishing

Silva Turdiu, nusja e ‘mallkuar’ e bllokut komunist tani në rrjetet sociale, si u godit dashuria nga helmi i luftës së klasave

Historia e njërës prej vajzave më të bukura shqiptare gjatë diktaturës komuniste. E fejuara e djalit të Mehmet Shehut, që u nda për shkak të biografisë së keqe. Silva Turdiu, femra që solli fillimin e fundit për Mehmet Shehun.
Featured image of article: Silva Turdiu, nusja e ‘mallkuar’ e bllokut komunist tani në rrjetet sociale, si u godit dashuria nga helmi i luftës së klasave
Silva Turdiu

Rënia dhe shkëlqimi i Silva Turdiut. Mbase ky mund të ishte një ndër vlerësimet që i bëhet kurbës së jetës së kësaj femre, të cilën fati dhe bukuria e përplasën në pikat ekstreme. Vajza e brishtë, delikate dhe e hajthshme e fundviteve ‘70 dhe fillimit të viteve ‘80 ka hyrë në historinë e regjimit komunist si nusja që nusëroi më pak ditë në Bllokun e kuq. Dashuria për djalin e kryeministrit të asaj kohe u godit nga helmi më i zi që lëshoi sistemi komunist, luftën e klasave. Por tashmë që vitet kanë ikur me vrap dhe vuajtjet janë harruar, Silva shkëlqen, sikur gjithçka e kaluar të kishte qenë një ëndërr. Këtë gjë e reflektojnë më së miri sekretet e dala në dritën e Facebook-ut prej vetë Silva Turdiut, e cila, si gjithmonë, i ka mbytur të ligat e kësaj bote me heshtje, edhe në ato raste kur të tjerët e kanë përbaltur. Energjitë, pasionet dhe inteligjenca janë vënë në shërbim të jetës, ndërsa vdekjen e ka vrarë me urtësi.

Sikur 
Nëse top-femra e viteve ‘80 do të kishte ardhur në jetë vetëm 20 vjet më vonë, pa frikë ajo sot do të ishte një miss, dhe më shumë se kaq. Mund të ishte një yll ekranesh, apo edhe një sportiste me famë përtej kufijve. Por kjo nuk e pengon për të qenë e suksesshme dhe e admiruar jo vetëm nga bashkëmoshatarët e saj, por edhe nga të rinjtë. Shumë kryeqytetas e kanë njohur dhe kanë jetuar me çastin e bukur. Shumë të tjerë kanë dëgjuar dhe vetëm me fjalë ushqejnë simpati. Ndërsa të tjerët që e shohin apo e takojnë sot, që dëgjojnë histori apo rrëfime për volejbollisten e bukur, pa mëdyshje do të thonë: sikur….

Fati 
Në komunizëm nuk mund të ishe njeri nëse nuk kishe ngjyrën e atij që sundonte. Gjithë të tjerët ishin armiq. Ky ishte edhe mallkimi i Silvës, një prej fëmijëve të familjes Turdiu, një emër ky që ngjizej bashkë me historinë e përditshme të Tiranës. Babai i saj, një profesor i njohur i matematikës, i cili asokohe respektohej nga të gjithë nën zë jo për prejardhjen, por për vlerat prej shkencëtari. Ndërsa nëna e saj, me origjinë nga Shkodra, vinte nga dera e Pipajve. Shumë prej pjesëtarëve të saj, të shkolluar jashtë vendit, ishin intelektualë dhe patriotë, të cilët nuk i lidhte asgjë me turmën dhe të menduarit autoritar. Njëri syresh ishte edhe Arshi Pipa, profesori dhe kritiku i zotë i letërsisë, njëherësh edhe shkrimtar me vlera, i cili u burgos në kohën e miqësisë së madhe mes Titos dhe Enverit. Por më pas ai arriti të dilte nga kthetrat e burgut dhe të arratisej në Amerikë. Edhe gjaku në damarët e Silva Turdiut nuk mund të ishte ndryshe. Prejardhja është pengu dhe shtysa e fatit.

Rruga 
Ata që e kanë parë filmin “Kryengritje në pallat” nga fillimi i viteve ‘70, me siguri shquajnë një vogëlushe imcake që aktron mes emrave të aktorëve si Robert Ndrenika, Mimika Luca, të cilët kanë bërë histori në kinematografinë shqiptare. Ajo është Silva Turdiu, e cila bashkë me disa fëmijë të tjerë ndërtojnë me imazhe një fabul, e cila është lojë, por kur rritesh është realitet. Dy vëllezërit e përkëdhelur, Qestori dhe Erleti, shpesh prishin lodrat e shokëve dhe braktisen prej tyre. Por, një natë, Qestori sheh në ëndërr sikur lodrat bëjnë kryengritje, duke e akuzuar atë dhe të vëllanë për pakujdesi ndaj lodrave. Pas kësaj vëllezërit ndryshojnë sjelljen me bashkëmoshatarët e tyre dhe me lodrat. Pjesë e kësaj loje do të ishte edhe Silva.

Gracka 
Teksa hidhte shtat Silva Turdiu, askujt nuk mund t’i shpëtonin detajet e spikatura prej femre. Trupi i harlisur, vështrimi i ëmbël dhe brishtësia, intuita e lindur binin ndesh në atë mjedis prej burrash dhe burrneshash. Në rininë e saj ajo listohej mes misesh të pakurorëzuara, si Brikena Çabej apo Liljana Hoxha (bashkëshortja e djalit të Enver Hoxhës). E rritur jashtë kopshtit të Bllokut shihej si lule me gjemba. Ajo ishte një nxënëse shembullore, sportiste e zonja, por brenda vetes kishte plot pasione. Duke u lindur dhe rritur në kohën e revolucionit kulturor, i ndërprerë në vitet ‘70, Silva arriti të marrë, në doza jo të vogla, edhe aromën e kulturës së Perëndimit. Siç e tregon edhe vetë, në ato vite dashurohej pas muzikës italiane apo angleze. Në Tiranën e vobektë dhe të shtrydhur nga ideologjia, Silva Turdiu arriti të dalë nga kthetrat e turmës për të qenë jo vetëm individi, por edhe femra.

Tifozllëku

Pasionet dhe energjitë e mëdha nuk mund të mos tregoheshin edhe në sport. Silva Turdiu u bë një prej lojtareve më të mira të volejbollit në ekipin e Dinamos dhe më pas në Kombëtaren tonë. Ajo periudhë përkon me momentet e arta të këtij sporti në Shqipëri, ku vajzat tona korrën disa trofe në kampionatet ballkanike dhe europiane. Silva Turdiu, bashkë me Ela Tasen, Mimoza Ibrahimin dhe shumë volejbolliste të tjera, i dhanë krenari këtij vendi në periudhën më të egër dhe më të dhunshme që kanë kaluar shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar. Pallatet e sportit dhe ekranet e televizioneve ishin ndër të vetmet kënaqësi të asaj kohe kur diktatura sa kishte nisur të tatëpjetën. Tifozllëku për vajzat shkonte përtej pasionit. Por ai që ra viktimë e një pasioni të tillë ishte djali i kryeministrit Mehmet Shehu. Siç thuhet edhe në dëshmitë dhe kujtimet e shumta për atë periudhë, zanafilla e lidhjes së Skënder Shehut me Silva Turdiun nisi pikërisht në shkallët e pallatit të sportit.

Arketipi

Në fillimin e viteve ‘80 ishte e vështirë të sfidoje arketipin e kohës. Ideologjia dhe propaganda farkëtonte vetëm numra. Por njëri prej tyre, i cili tentonte të ishte ndryshe, ishte djali i kryeministrit të vendit komunist. Skënder Shehu, që sapo kishte kaluar të tridhjetat, ishte një djalë i zgjuar që e shihte botën ndryshe. Madje, me një sy krejt tjetër edhe nga prindërit e tij. I pëlqente jeta e natës, aq sa mund të bëhej në ato vite. Zgjidhte shoqërinë, sipas tipit dhe botës. Edhe fshehurazi mund të ndante mendime me ndonjë nga diplomatët e huaj që kishte Shqipëria ato vite izolimi total. Dhe natyrshëm, një djalë i tillë, në moshë për t’u martuar, nuk mund ta ngulte syrin dokudo. Krejt pa dashje, i shtyrë nga pasioni, ai do të nisej në aventurën më të kushtueshme për jetën e tij dhe të familjes së tij.

Nuse në Bllok

Në verën e vitit 1981, në mjediset e Bllokut, por edhe në gjithë Tiranën, lëvrinin thashetheme për një lidhje dashurie mes Skënder Shehut dhe Silva Turdiut. Si për rastësi, Sigurimi nuk arriti ta ndalojë që në zanafillë. Kjo lidhje mori pëlqimin e parë edhe të prindërve Mehmet dhe Fiqiret Shehu. Më 1 shtator të vitit 2981 deklarohet fejesa mes çiftit, e cila shënoi dhe fillimin e fundit të kësaj familjeje. Një apo dy ditë më pas, edhe Enver Hoxha bashkë me Nexhmijen do të shkonin në shtëpinë e mikut të tyre të luftës për të uruar çiftin. Kjo vizitë përmban shumë mistere dhe dilema edhe sot e kësaj dite. Por, një gjë është e sigurt: aty nisi rrënimi i vërtetë i Mehmet Shehut dhe i gjithë familjes së tij. Dhe Silva Turdiu do të ishte nuse në Bllokun e udhëheqjes komuniste vetëm për pak muaj. Lufta brenda dhe jashtë gardhit ishte shumë më e egër se çdo pasion.

Ndëshkimi

Në dhjetorin e vitit 1981, kryeministri Mehmet Shehu i dha fund jetës (apo u vetëvra) me pengjet e mëdha, ku njëri prej tyre ishte edhe lidhja e djalit të tij me një vajzë nga familje me biografi jo të mirë. Edhe në autokritikën që ka bërë në Byronë Politike, Mehmet Shehu merret gjatë me problemet e familjes së tij. Në natën e 18 dhjetorit ai është gjetur i vdekur në shtrat, në shtëpinë e tij. Mehmeti kishte përjetuar presione të mëdha për një periudhë tremujore nga Enver Hoxha, i cili kishte kërkuar që të prishej fejesa e Skënderit me Silva Turdiun. Këto histori janë rrëfyer deri në detaje në ditarin e Nexhmije Hoxhës, publikuar disa vite më parë. Sipas kujtimeve të ish-diktatorit, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu kanë zhvilluar të paktën tri takime për prishjen e lidhjes së çiftit të pazakontë për atë kohë.

Heshtja 

Emri i Silva Turdiut do të zhdukej edhe nga thashethemet e tavolinave të kryeqytetit deri në fillimin e viteve ‘90. Madje edhe më tej. Vetëm 6 vjet më parë, pikërisht në kohën kur dolën kujtimet e së vesë së Enver Hoxhës, Silva do të reagonte jo për veten e saj, por për të mbrojtur emrin e familjes Turdiu. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo dërgoi një letër, ku përgënjeshtronte pjesën më të madhe të gjërave që thoshte Nexhmije Hoxha për fejesën e prishur. “Do të preferoja që Nexhmije Hoxha dhe soji e sorollopi i tyre të mos shkruanin më për mua e familjen time”, – thotë zonja Turdiu në reagimin e saj, të botuar në një të përditshme shqiptare në vitin 2004. Më tej ajo vijon: “Në pamundësi për ta kontrolluar këtë fakt nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta përgënjeshtroj. Do të kisha heshtur sikur të flitej vetëm për mua, por më vjen keq të përlyhet reputacioni i të tjerëve, shumica të vdekur e që nuk mund të përgjigjen”. “Kujtimet e Nexhmijes përmbajnë, mes të tjerash, edhe thashetheme tendencioze për jetën private të familjarëve të mi, gjashtëdhjetë vjet me parë, që janë aq ordinere sa nuk meritojnë përgjigje”, – thuhet në replikën e saj rreth kujtimeve të Nexhmije Hoxhës. Më tej ajo mbron familjet e prindërve të saj, duke hedhur poshtë akuzat që u gatuan dikur në emrin e luftës së klasave.

Sekretet e Facebook-ut

Disa kohë më parë, në rrjetin më të madh social në botë, Facebook, është regjistruar edhe Silva Turdiu, e cila, si miliona njerëz në mbarë botën, ka nxjerrë një pjesë të vogël të sekreteve të saj. Me dhjetëra foto nga e kaluara dhe e tashmja ndodhen në profilin e personazhit të harruar prej më shumë se dy dekadave. Fotografi të rinisë së saj, të shoqeve të shkollës së mesme, të ekipit të volejbollit, por edhe fragmente jete të ditëve të sotme serviren duke ngjitur disa copëza të harruara. Një detaj interesant është edhe moria e fansave on line, ku mes bashkëmoshatarëve apo miqve të dikurshëm nuk mungojnë as të rinj, të cilët nuk e kanë parë apo njohur ndonjëherë Silva Turdiun. Rreth 400 adhurues i janë bashkuar listës së gjatë të fansave të Silva Turdiut. Komentet e shumta në fotot e lançuara në Facebook flasin qartë se kush ka qenë Silva e dikurshme dhe të ngacmojnë me shkëlqimin e ditëve të sotme. Nuk mungojnë as adhuruesit. Megjithëse jeta e saj sot ecën qetë dhe harmonishëm me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj. Naishtedikur

Please follow and like us: