Vladimir Nabokov: Cilësitë e lexuesit të përsosur
Leximi është një proces që kryhet me “shqisën” e drithërimave të shtyllës kurrizore.
Nabokov, i famshëm për romanet Lolita, Ftesë për Ndëshkim, Pnini e të tjera, njihet gjithashtu edhe si kritik i mprehtë letrar. Ai i kërkonte studentëve të tij të zgjidhnin katër nga kriteret e mëposhtme të asaj që duhet të jetë një lexues i mirë:
1. Lexuesi duhet të jetë anëtar i një klubi libri.
2. Lexuesi duhet të identifikojë veten me një hero apo heroinë.
3. Lexuesi duhet të përqendrohet në këndvështrimin ekonomiko-social.
4. Lexuesi duhet ë preferojë një rrëfenjë me aksion dhe dialog në raport me ato pa.
5. Lexuesi duhet të jetë një person që mund të jetë edhe vetë shkrimtar.
6. Lexuesi duhet të ketë imagjinatë.
7. Lexuesi duhet të ketë një fjalor.
8. Lexuesi duhet të ketë pak shpirt artisti.
Studentët prireshin të zgjidhnin identifikimin emocional, aksionin dhe këndvështrimin social-ekonomik. Natyrisht, siç mund ta keni marrë me mend, lexues i mirë është ai që ka imagjinatë, memorie, një fjalor dhe pak shpirt artisti.
Nabokov vlerëson elementin kohë në lexim dhe i jep rëndësi të veçantë rileximit:
“Incidentalisht, unë përdor fjalën ‘lexues’ shumë përgjithësisht. Është shumë interesante që njeriu nuk mund ta lexojë një libër; ai mundet vetëm ta rilexojë atë. Një lexues i mirë, një lexues madhor, një lexues aktiv dhe krijues është një njeri që lexon për së dyti. Dhe do t’ju them se pse ndodh kjo. Kur ne lexojmë një libër për herë të parë, vetë procesi i lëvizjes së lodhshme të syve nga e majta në të djathtë, rresht pas rreshti, faqe pas faqeje, kjo punë e komplikuar fizike mbj librin, vetë procesi i të mësuarit në kuptim të hapësirës dhe kohës se mbi çfarë flet libri, e gjitha kjo rri mes nesh dhe të kuptuarit artistik.
Kur ne shohim një pikturë ne nuk kemi nevojë të lëvizim sytë në mënyrë të posaçme edhe nëse, njësoj si një libër, piktura ka elementë të thellësisë dhe zhvillimit. Elementi i kohës nuk hyn me të vërtetë në një kontakt të parë me një tabllo.
Në leximin e një libri, ne duhet të kemi kohë që të njohim veten me të. Ne nuk kemi një organ fizik (siç kemi syrin në lidhje me një pikturë) që kap të gjithë tablonë dhe pas kësaj shijon detajet. Por në një lexim të dytë, ose të tretë, ose të katërt, ne ia dalim, në një farë mënyre, të sillemi ndaj një libri siç sillemi ndaj një tabloje. Gjithsesi, le të mos e ngatërrojmë syrin fizik, këtë kryevepër të përbindshme të revolucionit, me mendjen, një arritje akoma më e përbindshme. Një libër, nuk ka rëndësi se çfarë është – një krijimtari letrare apo një vepër shkencore (vija ndarëse e të dyjave nuk është aq e qartë sa besohet në përgjithësi)- një libër letërsie josh para së gjithash mendjen. Mendja, truri, maja e shtyllës kurrizore të drithëruar, është, ose duhet të jetë, instrumenti i vetëm i përdorur mbi një libër”./shtepiaelibrit/