Dr. Dorian Koçi: Shqiptarët në Odesë
Gjatë pushtimit osman, sidomos në Rilindjen Kombëtare kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontribute të shquara në lëvizjen kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesa rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose D. D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e programit të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Diaspora shqiptare, përveçse qendrave të rëndësishme si në Bukuresht, Sofie, Stamboll, Kajro ka pasur edhe një qendër të rëndësishme dhe në Odesë. Shqiptarët ishin vendosur që në fillimet e themelimit të Odesës, ku shërbenin si mercenarë dhe tregtarë të vegjël, të njohur si me emrin arnautë. Në mes të shekullit të XIX , drejt Odesës pati një rrymë emigrimi nga shqiptarë ortodoksë nga Korça, Përmeti e Kolonja. Shqiptarët në Ukrainës kanë emigruar aty kah vitet ’60 të shekullit XIX dhe kanë krijuar një koloni shqiptarësh. Kjo koloni shqiptarësh së pari ishin vendosur në Dnjevna afër Varnës në Bullgari. Në çerekun e parë të shekullit XIX këta shqiptarë u shpërngulën dhe u vendosën në Besarabi ku themeluan fshatin Karakurt. Një pjesë e këtyre migrimeve janë si rezultat i vuajtjeve të shqiptarëve në Perandorisë Osmane gjatë luftrave ruso−turke të viteve 1806−1812 dhe 1828−1829, por edhe migrime në rrugë të ndryshme të tërthorta e sidomos ajo me shtytjen e konsujve rus që ndodheshin në shumë qytete të perandorisë sidomos me ndërtimin e e hekurudhës transiberiane që filloi nga fundi i shekullit XIX. Kështu që emigrime të shqiptareve kemi në shumë vende të Rusisë si në Odesë, në Krime, në Kaukaz e gjetiu. P. Kërpeu, që ka bërë hulumtime në vitin 1850 te shqiptarët e Kara Kurtit shënon se atu jetojnë 109 familje me 1060 frymë. Ai gjithashtu njofton se shqiptar kishte edhe në qytetin Boograd 10 familje me 37 frymë, në Kombart 28 familje me 164 frymë në fshatrat Çishme−Qoj 1 familje me 9 frymë, Voolkanesh 3 familje me 41 frymë si dhe në Çadar Lunga,, Bash Gjor.[1]Sipas Qemal Haxhihasnit me ekspeditën që ka bërë në rrethin e Kolonjës jep të dhëna se shumë shqiptarë shkuan në Rusi në fillim të shekullit XX që ishin me origjinë nga Shqipëria Juglindore nga Kolonja, Bezhan. Kreshovë, Korçë, Ohër, Çermenike, Gollobërdë e gjetiu. Kështu që shqiptarët në Rusi u përhapën që nga Kaukazi, Odesa e Krakovi e gjerë në Irkusk e Vladivostok. Po ashtu në Hush të Moldavisë kanë jetuar familje shqiptarësh të ardhur nga Shqipëria dhe Italia. Këta banorë i takonin besimit katolik, por qenë të shtypur nga rusët ishin të detyruar që të konvertohen në ortodoksë.
Shqiptarët e Odesës kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Qyteti i Odesës, ishte nje qytet kozmopolit ku gjendeshin te gjitha popullsitë. Ne vitet 1823-1824, aty ishte i internuar shkrimtari i madh rus Pushkin qe shkruajti se “ajri eshte i mbushur me Europë”. Në Odesë ka dy rruge, Arnauti i vogel dhe Arnauti i madh, te cilat sot quhen ulica albanske dhe që dëshmojnë praninë shqiptare në këtë qendër të madhe urbane të Mesdheut. Pushkini pasqyroi në letërsi figurën e shqiptarit (arnautit) në tregimin e tij “Kërxhaliu”. Tregimi është një jehonë jo vetëm i kujtimeve të drejtpërdrejta të Pushkinit ndaj shpërthimit të revolucionit grek por edhe një ilustrim i motiveve romantike të karektereve të fortë dhe piktoreskë nga Ballkani. Pushkini në tregimin “Kërxhaliu” ndërthuri stilin historik dhe fantastik të rrëfimit i cili ishte mbizotërues në epokën e romantizmit gjatë dekadave të para të shekullit të 19-të. Në përdorimin këtyre formave, ai prezantoi tregime të besueshme, informuese dhe të dëshmitarëve okularë, sëbashku me legjendat dhe përrallat për heronjtë rebelë popullorë. Në këtë mënyrë, ai krijoi një rrëfim letrar të një karakteri trim, fisnik dhe romantik, përdorimi i të cilave filloi para, gjatë dhe pas përfundimit të fushatave heteriste në principatat. Të kësaj periudhe janë dhe dy vizatime origjinale të Pushkinit të luftëtarëve shqiptarë që ai i hasi në Besarabi. Pushkini shpesh vizatonte skica bardhezi si në letrat e tij personale, ashtu edhe në faqet e dorëshkrimeve të tij. Si një drejtim tjetër i krijimtarisë së tij, skicat e Pushkinit – aq të dashura në Rusi sa janë përpiluar dhe botuar shumë herë – por mbeten pothuajse të panjohura në vende të tjera. Shqiptarët e Odesës do të merrnin pjesë në zgjimin kombëtar. Si pjesë e bashkësisë ortodokse ata do të përkrahnin themelimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë.
Në Bruklin më 9 shkurt 1908, Fan S. Noli u shugurua në prift me qëllim për te çliruar kishën ortodokse shqiptare nga ajo greke. Noli e bëri këtë me shume për motive atdhetare, duke pare se shteti grek trumbetonte me të madhe nëpër dyert e Evropës se gjoja ortodoksit e Shqipërisë na qenkan grek dhe ne baze te saj kjo toke duhet t’u jepej atyre. Shugurimin e Nolit si prift u bë në praninë e tre priftërinjve tëpriftit të Rusisë, Ukrainës dhe të Rumanisë. Meshën e parë në gjuhën shqipe e tha më 22 mars 1908. Përpjekjet për krijimin Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në SH.B.A do reflektoheshin dhe në diasporën shqiptare ku kishte besimtarë ortodoksë të shumtë si në Rumani, Bullgari, Odesë dhe Egjipt. Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin. Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak. Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin kishtar dhe kishin marrë me qira një sallë që bënin provat. Tre vjet më vonë Fan Noli në 1911 predikoi shqip ne Odese në Kishën e Trinitisë së Shenjtë ose Shën Triadhës. Ajo ndodhej mes pazarit dhe rrugës Arnauti i Madh ne Ekaterinskaya 67.
Përmbajta e meshës që e mbajti në gjuhën shqipe mbante këtë tekst:
“Vëllezër dhe motra, besnikë të shumtë që merrni pjesë në këtë meshë sot. Për mua qe një kënaqësi dhe njëkohësisht një lumturi e madhe që të parit m’u dha rasti që ta nxjerr këtë meshë përpara
anëtarëve të kollonisë shqiptare në gjuhën shqipe, në gjuhën tonë amtare, në atë gjuhë që kanë folur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, gjuhë me të cilën jemi mëkatuar, që me të na ka rënë koka në dhetë. Grekërit thonë se sa janë të krishterë janë grekë, sepse janë orthodoskë. Por orthodoksia ëshë një gjë, kurse kombësia është diçka tjetër. Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërtetoi më së miri dhe mesha jonë sot, të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat se ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës! Të bekuar qofshi të gjithë!”. Në këtë mnyrë Kisha e Shën Triadhës në Odesë hyri në hartën shpirtërore të kombit shqiptar si një nga kishat ortodokse ku mesha ortodokse e komunitetit shqiptar në Odesë, jehoi shqip.
Pas revolucionit bolshevik te vitit 1917 dhe rënies së Odesës nën sundimin bolshevik në 1920 dhe zisë së bukës në 1922, fillon gradualisht dhe pakësohet komuniteti shqiptar. Nga komuniteti shqiptar tregtar i Odesës ka dalë shkrimtari Milto Sotir Gurra.Milto Sotir Gurra, është nga fshati Marjan i Oparit të Korçës. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në emigrim, duke nisur nga Odesa, Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai ka bashkëpunuar aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D.Toçkas. Ndërkaq, vetë qe botues apo bashkëbotues i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndija të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i Popullit të Korçës më 1922. Në këto organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në Rusi. Në vitin 1938 ai botoi librin me tregime “Plagët e kurbetit”. Një kontribut Gurra ka dhënë dhe në përkthimin e letërsisë ruse. Ai ka sjellë në shqip vepra në prozë të Turgenievit, Tolstoit, Çehovit, Gorkit etj.
[1] .Islami citura sipas L. Miletiç; AVZIMUSTAFA: NOLI NË MESIN E SHQIPTARËVE TË UKRAINËS. fq 60