Në Spixanë të Kalabrisë zgjidhet “Miss arbëreshja 2019”
Në konkurrencën prej dhjetëra vashave me moton: “Bukuri arbëreshe” në Spenxanë të Kalabrisë (it.: Spezzano Albanese), u mbajt edicioni i XV, më 9 Gusht 2019, ku në një konkurrencë të madhe vendin e parë e zuri ILENIA Colloca (Kolloka) nga Frasnita.
Nga Rexhep Rifati
Gjatë shtegtimeve të mija nëpër lokalitetet arbëreshe, sidomos gjatë pjesëmarrjes në festivale dhe manifestime tradicionale, kam pa sesi arbëreshët krahas gjuhës e traditave, vend të posaçëm i kushtojnë kostumeve thuaja se shekullore, që i bartin nga brezi në brez.
Edhe me këtë rast do theksuar, se Arbëreshët, këta shqiptarë të Italisë, kanë arrit të mbajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi, thuaja se për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës, mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare, ku spikat veshja e tyre e hershme tradicionale.
Në këtë kontest do shikuar edhe revynë e e bukurisë arbëreshe përmes manifestimit tash më prej një dekade e gjysmë që mbahet në vendbanimet arbëreshe, kryesisht në regjionin e Kalabrisë.
Me organizimin e komunës Spenxanë të Kalabrisë ( it.: Spezzano Albanese), më 9 Gusht 2019 u mbajt edicioni i XV: “Miss Arbëreshë 2019”, manifestim spektakli ky, ku vashat arbëreshe krahas bukurisë, demonstruan edhe veshjet tradicionale të katundeve të tyre prej nga kishin ardhur.
Ishte ky një ngjarje kulturore, që siç mësojmë nga portalet arbëreshe, tërhoqi interesimin e shumë pjesëmarrësve edhe atë në një konkurrencë të madhe
Në mesin e vashave pjesëmarrëse, në këtë garë bukurie me emërtimin: “Miss arbëreshja 2019”, ngadhënjeu zonjusha ILENIA Colloca (Kolloka) nga katundi Frasnita.
Ndërsa vendin e tretë e zuri, bukuroshja Carla Cipriano nga grupi “Kreshnikët e Lirisë” nga Shën Benedhiti (San Benedetto Ullano), trup kjo artistike që vjet ishte edhe në Kosovë, meqë rast mori pjesë në Etno Fest në fshatin Kukaj.
Krejt në fund, duke i pa këto bukuroshe, duke defiluar me kostumet e traditës Arbëreshe, që në fakt janë edhe një dëshmi identiteti; por edhe bukurie, të punuara me pëlhura shumë ngjyrëshe dhe me një trashëgimi qëndisjesh tejet të pasur në ari e argjend. Këto pos që janë shenja identiteti, paraqesin edhe një pasuri të madhe të krijimtarisë kulturore arbëreshe, që në sfond i bashkohen krijimtarisë së gjithmbarshme shqiptare.