Balluku ‘u tërheq baluket’ bosëve të karburanteve
Në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministria Belinda Balluku deklaroi se do të ketë zero tolerancë kundër informalitetit cilësor në sektorin e hidrokarbureve. Balluku e konsideroi shqetësuese mungesën e kapaciteteve monitoruese, ndërsa theksoi se lufta frontale kundër informalitetit cilësor do të vazhdojë çdo ditë. “Luftë frontale kundër informalitetit cilësorë që është po aq i rrezikshëm sa informaliteti fiskal. Do të vazhdojmë të ushtrojmë kontroll intensiv çdo ditë në çdo hallkë të sektorit të hidrokarbureve, pa asnjë lloj diferencimi në subjektet e mëdha apo të vogla, bizneset e tregtimit, prodhimit dhe eksportimit. Do merren masa të forta kundrejt atyre që shkelin ligjin, nuk ka tolerime”, tha ministrja. Sipas Ballukut, Shqipëria synon anëtarësimin e në Bashkimin Europian dhe është e patolerueshme që vendi ynë të importojë apo eksportojë karburant jashtë standardeve të cilësisë, ndërsa theksoi se për subjektet që kapen në shkelje nuk do të ketë vetëm gjoba, por edhe mbyllje të aktivitetit të tyre. “Nuk do ketë thjesht gjoba për subjektet që konstatohen me shkelje. Do të mbyllen ato subjekte që konstatohen me shkelje”, u shpreh Balluku.