Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkia e Tropojës, pas tri dekadave merret nga Partia Socialiste

Image result for ibrahim hajdarmataj

Ibrahim Hajdarmataj

 

 

Demokratët e vendlindjes të Z. Sali Berisha u treguan tolerantë, të kulturuar dhe fisnikë

 

 

Më 13 gusht 2019, në zyrën e nënprefektit të Tropojës u zhvillua mbledhja për konstituimin e këshillit bashkiak dhe betimin e kryetarit të bashkisë.

Pas  Hymnit të Flamurit, mbledhjen e deklaroi të hapur këshilltari më i vjeter, i cili mbajti fjalën e rastit, Z. Ukë Haxhi Kurmekaj. Pastaj kryetari i verifikimit të mandateve, Z. Xhavit Rexhep Çelaj, deklaroi se 21 këshilltarë të këshillit bashkiak të bashkisë Tropojë, sipas dokumentave janë konform ligjit. Me këtë rast u zgjodh kryetare e këshillit bashkiak Znj. Shotë Myftar Bashaj dhe kryetar i bashkisë Tropojë Z. Rexhë Byberi, i cili bëri betimin para këshilltarëve. Ndërsa zv/ministri i Punëve të  Brendshme, Z. Besfort Lamallari, përshëndeti të pranishmit, duke iu uruar suksese të mëtejshme dhe kryetarit të bashkisë, Z. Rexhë Byberi i dorëzoi një lidhje të botimeve të akteve ligjore të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu edhe deputeti i kuvendit popullore, Z. Ilir Beqaj bëri përshëndetjen e rastit.

Në fund, prefekti i qarkut të Kukësit, Z.Zenel Kuçana, mbajti fjalën e rastit, i cili ndër të tjera tha:

“Që sot e tutje pavaresisht se cilin subjekt politik keni përfaqësuar, ju jeni përfaqësues të të gjithë qytetarëve të Tropojës, duke mos shikuar siluetën e askujt nëse është i majtë, i djathtë, i qendrës etj. Ata janë të gjithë qytetarë të barabartë dhe ju jeni shërbëtorët besnikë të tyre. Përkushtimi, vizioni i gjerë, mendimi i specializuar, duhet të konkretizhet te interesi i përgjithshëm i qytetarëve, i qytetit, njësisë administrative dhe fshatit. Ky relacion për secilin prej jush, duhet të prevalojnë mbi cdo interes tjetër.  Betimi juaj sot me fjalë, duhet të përkthehet nesër në praktikë me vepra reale që ju të justifikoni besimin  e dhënë nga  qytetarët e Tropojës. Në emër të kryetarit të Këshillit të Ministrave, Z. Edi Rama, ju uroj suksese dhe dalshi faqebardhë në punën tuaj misionare, fisnike, ju 21 këshilltarë, përfaqësues të 13 partive politike, si dhe kryetarin e bashkisë  sapo zgjedhur, Z. Rexhë Byberi”.

Me dhjetra qytetarë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe OJF-ve, nën tingujt e daulleve dhe kërcimeve karakteristike tropojane të çikave të qytetit të Bajram Currit, të gjithë së bashku festuan në lokalin “Mefati” me një koktej.

Pastaj u drejtuan drejt bashkisë, të cilët gjetën zyrën e ish-kryetarit të bashkisë dhe të sekretarisë së tij të hapur. Disa zëra thashethemexhinjsh flisnin para disa ditëve, se bashkia e qytetit Bajram Curri, e drejtuar që 3 dekada nga Partia Demokratike, duke qenë vendlindja e Sali Berishës, nuk do ju dorëzohej socialistëve, zërat e thashethemeve shkonin deri atje, saqë edhe tanket po të vijnë, bashkia nuk dorëzohet. Ndodhi krejtësisht e kundërta, demokratët tropojanë u treguan tolerantë, të qetë dhe fisnikë, asnjë nga ata nuk bënë veprime jashtë ligjeve. Kjo tregon mencuri dhe pjekuri politike.

…Lehtë trokita tek informacioni i bashkisë Bajram Curri, sot më 14 gusht 2019, në orën 10:00 të mëngjesit, ku bisedova me punonjësen e kësaj bashkie, Z. Sanie Sulaj:

-A është paraqitur kryetari i bashkisë në punë?

-Po!

-A janë paraqitur punonjësit e bashkisë në punë?

-Po!

-A kishte probleme?

-Asnjë problem, cdo gjë normale, biles punonjësit e përshëndetën dhe e uruan kryetarin  e ri të bashkisë.

-Faleminderit.

Shumë pozitiv është fakti, se në bashkinë Bajram Curri jeta vazhdon normale.

 

Please follow and like us: