Albspirit

Media/News/Publishing

Georgjios Vizyinos: Hënës

Image result for Georgjios Vizyinos

Kjo pamja jote madhështore dhe e zbehtë,
në lartësitë ku ti moj Hënë, vozit krenare, 
sikur ta dije ç’ ngushëllim më sjell të fshehtë,
gjithë nostalgji dhe ëndërrime djaloshare!

As dhe një mik të vjetër s’ mundem, nuk,
ta krahasoj me ty, ç’ është e vërteta.
Të sjell në mend kur isha pinxho, picirruk,
dhe nuk do t’ të harroj sa të jetë jeta.

A më mban mend kur isha vocërrak,
me një dëshirë të çmendur thellë në zemër?
Me një llahtarë, të zbrisje qoftë për pak,
të loznim bashkë te prroi që s’ kish emër?

A të kujtohet, ti ndër qiej, unë në tokë,
tek rendnim vrap e kush të dil i pari?
E ndërsa ti e re ke mbetur, unë mbi flokë,
sodis të hirtën pleqëri tek shkon behari!

A të kujtohet fshati ynë aty mbi pllajë?
Shtëpia me bahçenë plot lule bore?
E në mes luleve, mban mend dy sytë e saj,
oh sa e desha!… aq sa dhembja më ndjek prore?

Ajo ka faj, pse q’ atë ditë e për shumë kohë,
hiret e tua, Hënë e mirë, i lashë pas dore.
Pse pretendonte të mos ngrë sytë e të shoh
veç bukurisë së saj gjë tjetër, përrallore.

Ajo ka faj, nëse tani më s’ mundet dot
të ngazëllehet si dikur kjo zemra ime,
të lozim, mikja ime, bashkë e të dy tok,
të rendim prapë nëpër lëndinat plot kujtime!

Ajo ka faj! Dhe ti e di përsenë?
Se me një tjetër shkoi u ngatërrua!
Pse tradhëti e saja mori dhenë,
e ranë rrufetë e zeza përmbi mua!..

Që atëhere shkoj si qorri n’ errësirë!
– Thua me helm jetën ma mbushi, kështu ngjan!
Gjersa dhe miqtë e mi s’ patën mëshirë,
e më lanë fill, mes shkretëtirës së pa anë.

Dhe vetëm ti ende, mikeshë e fëminisë,
dhe vetëm ti, ende s’ më ke harruar.
Rrezet e ëmbla që më çon mes mirësisë,
balsam mbi plagët më pikojnë, qofsh e bekuar!

Moj mike, rrofsh! Këtë buzëmbrëmje ferr
ma lehtësove kraharorin e trazuar.
Zbraza dhe zemrën që ish mbushur vrer,
sapo k’ të këngë për ty, e kam mbaruar!

Shqipёroi: Arqile Garo 
Nga libri “Pelegrin në Ujëvarat e Poezisë Helene”.

Please follow and like us: