INTELEKTUALI TROPOJAN IBRAHIM KADRI MALAJ, ME 12 VEPRA
Ibrahim Hajdarmataj
Ibrahim Kadri Malaj lindi në fshatin T’Pla të Tropojës, tani me banim në qytetin Bajram Curri, i cili është autor i 12 librave. Krijimtaria e tij në fushën letrare ka pasur mjaft sukses tek lexuesit, i cili është prezantuar me 12 vepra. Po ndalemi cfarë kanë thënë shkrimtarët për Ibrahimin.
Vite më parë shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli shkruante: “Ibrahimi kërkon t’u lërë shokëve,miqve dhe të afërme dicka të shkruar e cila mund të ishte edhe një rrëfim në prozë edhe një letër e gjatë. Por atij i ka ardhr për mbarë ta shkruajë në vargje sipas traditës së këngëve popullore,vecanërisht të rapsodive të Veriut. Varg pas vargu tregohen ngjarje dhe përmenden emra të shumënjohur e pak të njohur. Është një lidhje vjershash tregimtare me njera-tjetrën për të shprehur, siç thashë, një dashuri të përzemërt dhe një ndjenjë atdhetarie,ndjenjë kjo që është dobësuar si rrjedhim i krizës shpirtërore dhe materiale që po kalojnë shqiptarët. Mbase kjo dëshirë e autorit për të ngjallur dashurinë dhe atdhetarinë përmes një pune të lodhshme në këto mijëra vargje meriton përgëzime. E them këtë, pasi puna pa asnjë qëllim përfitimi material egoist e vlen ndofta nderimin më të vecantë. Pastaj vetë Tropoja,me natyrën dhe me djemtë e vajzat e saj,është një poezi e vërtetë”.
Ndërsa shkrimtari tropojan Avdyl Sulaj shkruan për Ibrahimin: “Albanolog dhe dijetar shqiptare e të huaj kanë kryer studime e botime të shumta historiografike, etnografike,etnologjike etj, për shqiptarët, kanë bërë objekt dhe kanë trajtuar edhe gjenealogjinë e fiseve të vecanta. Madje albanologët austriakë Franc Nopça e Karl Steinmantz kanë bërë hulumtime dhe për ndonjë fis të krahinës së Tropojës, si të Nikajt e të Mërturit. Por këta autorë nuk kanë arritur të bëjnë studime sintetizuese,ku të paraqitej gjeneza e plotë me shtrirje dhe lidhje ndërkrahinore të fiseve. Ndërkohë studiuesi Ibrahim Malaj e ka jetësuar këtë për një nga trevat etnike shqiptare, Malësinë e Gjakovës (Tropojën) dhe fiset e saj në këtë libër. Ai ka hulumtuar hollësisht nga burime gojore e dokumentare prejardhjen, degëzimet, lidhjet e rrjedhën ndër shekuj të tyre në vëllazeri e breza”.
Poeti i talentuar dhe kryetari i lidhjes së shkrimtarëve të Tropojës, Z. Lulzim Logu, propagandon: “Ibrahim Kadria tashmë është një emër i njohur i kulturës tropojane, ai ka guxuar të jetë kronikan i kohës, hulumtues i rastit për ngjarje të rëndësishme të saj,të jetë dëshmitar serioz dhe i paanshëm, debatues i kujdesshëm dhe i ekulibruar ,një qytetar i mirë i vendit të vet. Që nga Tropoja në breza deri tek T’Plani i Krasniqes, gati në dymbëdhjetë stacionet e tij, aq sa janë dhe veprat e botuara, ai nuk ka reshtur në misionin e tij të lakmueshëm, të shpalojë përpara opinionit Tropojën e vërtetë, historinë dhe traditat e saj të cmuara, duke u përpjekur të kontribojë në ruajtjen e vlerësimin e tyre si modele ku shfaqet padyshim shpirti dhe epopeja fizike dhe shpirtërore e popullit ndër epoka të ndryshme”.
Në bisedë me Ibrahim Kadri Malajn, ai më thotë: “Për të grumbulluar të dhëna për thesarin popullor, që është barometri kryesor dhe më i saktë, që reflekton dhe pasqyron mencurinë, filozofinë, urtësinë, bujarinë dhe virtytet më humane të popullit e pse jo edhe të kombit,më janë dashur shumë vite udhëtime, takime me njerëz të njohur e të panjohur, me dashamirë, sidomos me të moshuar, intelektualë dhe njerëz të ndryshëm”.
Këto ditë me shokë dhe miq, Ibrahimi festoi 90-vjetorin e lindjes dhe të shumta ishin urimet që i bënin. Unë po ndalem te urimi që i bëri kryetari i veteranëve të Tropojës, Z.Rexhep Shpati: “Ibrahim, 90 vjeç u bëre dhe 90 libra botofsh”.