Genc Pollo: Gylenistët në mërgim dhe primati i shtetit ligjor
Ambasadori turk, Hidajet Bajraktar, një burrë shtatmesëm, i qeshur e shoqëror erdhi të më takonte pak kohë mbas 15 korrikut 2016, ditës kur segmente të Ushtrisë tentuan pa sukses e përgjakshëm të rrëzonin organet kushtetuese të Turqisë. Zoti Bajraktar, për të cilin kisha dëgjuar se i përkiste rrymës politike Republikane të themeluesit të Turqisë post-otomane, Mustafa Qemal Ataturkut, ishte një njeri i hapur e i përzemërt; me të mund të flisje fare mirë përtej zhguallit zyrtar që mund të kishin bashkëbiseduesit. Kështu folëm edhe kur erdhi të më takonte në Kuvend si Kryetar i Komisionit për Edukimin dhe të përcillte kërkesën e Ankarasë për mbylljen e institucioneve arsimore, që mund të ishin të afërta me lëvizjen Hyzmet të Fetulla Gylenit.
Në vijim, ai do t’ia paraqiste këtë kërkesë qeverisë tonë. Përgjigjen time mund ta merrni me mend: megjithëse Komisioni kuvendor, si dhe opozita brenda tij, nuk kishin rol në një procedurë eventuale, ligji parashikon rregulla të qarta për mbylljen e institucioneve private të arsimit të lartë, kryesisht me natyrë arsimore e financiare. Ligji duhej respektuar dhe në bazë të tij zor se mbylleshin shkollat e Gylenit; ose duhej provuar se këto shkolla përbënin rrezik akut për sigurinë kombëtare e më gjerë, çka prapë dukej e vështirë. E informova gjithashtu, për të dalë nga ndonjë konflikt i mundshëm interesi, se një pjesë syresh ishin licencuar nga unë kur shërbeja si ministër Arsimi.
Me ambasadorin Bajraktar u ndava miqësisht dhe në takime të tjera folëm sërish edhe për gylenistët e Turqisë, dhe ai kishte vërtetë goxha antipati për ta, por nuk diskutuam më mbi shkollat e tyre në Shqipëri.
Dhjetë ditë më pas, gjatë seancës plenare, ne kafenenë e deputetëve fola veçmas me ministren e Arsimit; i tregova për bisedën time me turkun dhe e pyeta nëse e njëjta qasje ishte bërë ndaj asaj. Ajo e konfirmoi kërkesën e ambasadorit duke shtuar se shkollave në fjalë nuk mund t’u ndodhte, pasi ligji i mbronte dhe se ky ishte qëndrimi i qeverisë.
KIDNAPIM NË SLLATINË: TRUPAT ME AVION NË TURQI DHE TURPI NË KOSOVË E NË SHQIPËRI
Në mars të vitit 2017, gjashtë shtetas turq, me leje qëndrimi në Kosovë dhe të punësuar lektorë në shkollat gyleniste të atjeshme, u rrëmbyen nga policë kosovarë pa asnjë letër apo procedurë minimale ligjore dhe u dorëzuan policëve turq në aeroportin ndërkombëtar në Sllatinë; ata i ngjeshën në një avion të posaçëm, që do t’i çonte direkt në atdheun e tyre për t’u përballur me drejtësinë postpuçiste e mjaft problematike të Turqisë.
Rreth dhjetë orë më vonë, Kryeministri kosovar mësoi nga mediat se çfarë kishte ndodhur; brenda ditës ai shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e Zbulimit, përgjegjës direkt të kidnapimit. Por përgjegjësit, që ishte më lart se ai ne hierarki, nuk kishte se ç’t’i bënte.
Afro dy vjet më vonë, unë mësova se njëri ndër gjashtë turqit ishte edhe shtetas shqiptar; kishte marrë shtetësinë gjatë qëndrimit të mëparshëm në Shqipëri. Kaq mjaftonte e tepronte që një qeveri serioze të përmbushte detyrimin ligjor për të ndërhyrë në mbrojtje të të drejtave e ligjshme të shtetasit të saj, që nga kërkimi i informacionit deri te shërbimi e prania konsullore në gjyq. Por zor se në qeverinë e Tiranës i vajti kujt mendja për këto gjera. Dhjetë muaj pas kidnapimit në Sllatinë, në një përsëritje banale të precedentit të përtej Drinit, qeveria e Tiranës duke shkelur ligjin me katër këmbë, rrëmbeu dhe sikterisi matanë detit dëshmitarin kyç të bandës së Habilajve, para se ky të jepte dëshminë para prokurorëve.
Post Scriptum: E pabesueshmja ndodhi! Kryeministri kosovar u mallkua publikisht nga Presidenti turk meqë kundërshtoi kidnapimin! Madje, Presidenti i shtetit fqinj i bëri thirrje edhe popullit kosovar: “Kujdes! Asnjë votë për të!” Ju dhanë munxët në mexhlis do të shkruante ndonjë kronikan. Por mos kujtoni se kjo ishte për mua e pabesueshmja. Jo! Fare! Ajo që nuk besoj dot edhe sot e kësaj dite është që askush në ofiqtë lartë, në Prishtinë apo edhe në Tiranë, nuk hapi gojën e të thoshte ndonjë llaf solidarizimi me Kryeministrin e Kosovës.
AKTI I TRETË I DRAMËS?
Para afro një viti, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çaushoglu, gjatë konferencës së shtypit me homologun shqiptar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, pak si tepër açik, shprehu kërkesën për mbylljen e shkollave të gylenistëve dhe dorëzimin e “puçistëve”. Përgjigjja e homologut shqiptar ishte e duhura: shteti ligjor e procedurat në fuqi. Shto këtu edhe konventat ndërkombëtare për ekstradimin.
Para dy javësh vizitoi Tiranën, ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Soylu, me të njëjtën kërkesë. Ai takoi edhe Kryeministrin edhe homologun e tij dhe kumtoi se u morën vendime të rëndësishme. Këta tanët pohuan se u fol për gylenistët. Ndërsa shtetin ligjor, procedurat në fuqi, e konventat ndërkombëtare, nuk u kujtuan më t’i përmendin.
Në ditët e javët në vijim, shumë sy vigjilentë do të shohin nëse ndodh gjë siç u kërkua. Por nëse ashtu ndodh, të jemi të qartë se gjëja mund të dihet ku fillon, por nuk ka si dihet se me kë mbaron. Pa qenë vetë i prirur ndaj ekzagjerimit e panikut më vijnë ndërmend fjalët e pastorit protestant Niemoller në Rajhun e Tretë: “Kur erdhën të më arrestonin, s’kishte mbetur më kush që të fliste për mua. Të tjerët i kishin marrë prej kohësh”.
EPILOG SOT PËR SOT…
Tema më e nxehtë që po debatohet këto ditë zhegu në Tiranë është pllaka përkujtimore për viktimat e 15 korrikut në Turqi. Lexoj argumente pafund që lidhen me reciprocitetin, precedentin, përshtatshmërinë, vasalitetin e kështu me radhë. Por mua më intereson të di diçka tjetër: cili organ shtetëror e mori këtë vendim dhe bazuar mbi cilën procedurë ligjore? Pa paragjykuar aspak vendimin konkret, që mund të jetë objekt i një shënimi tjetër.
Ministria e Punëve të Jashtme tha se nuk kishte gisht. Shefi i Bashkisë së Tiranës tha vetëm se vendi i pllakës kishte qenë më parë vend plehrash e prandaj t’i lemë rehat të gjallë e të vdekur. Më cekët për publikun tonë dhe më ofenduese për viktimat para tri viteve nuk bëhet, por puna është se edhe ai nuk i doli tamam për zot e as nuk na tha se si e qysh u ngrit pllaka përkujtimore. Që faktikisht po mbetet jetime; mbase pa të drejtë. Sërish, rregullat, procedurat e shteti ligjor!/gsh.al/
*Ish-deputet e ish-ministër