Dy punëtorë të vdekur nga shembja e skelës, arrestohen dy persona, një i tretë në kërkim
Dy persona janë arrestuar nga Policia ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur dje, ku dy punëtorë humbën jetën si pasojë e shembjes së skelave në një pallat, ndërkohë që tre të tjerë mbetën të plagosur. Sipas policisë, janë arrestuar në flagrancë për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, dy drejtues teknikë, ndërsa është shpallur në kërkim administrator i kompanisë së skelave. Gjithashtu për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës “, për punonjësit e Inspektoratit të Punës Tiranë, pasi punonjësit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës. Ngjarja ndodhi në rrugën “Faik Konica”, ku humbën jetën shtetasit E.B., 31 vjeç, si dhe shtetasi O.K, 36 vjeç.