Helena dhe Ismail Kadare, në dosjen e bashkëpunëtorit Çiftelia
Shqipëria përgatitet të hapë disa nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit pas miratimit të ligjit të ri, por ende nuk është e qartë se çfarë duhet kuptuar me termin “dosje Sigurimi”?
Në Shqipëri kanë vepruar tri drejtori të Sigurimit të Shtetit: Drejtoria e Parë, që merrej me “veprimtarinë armiqësore” brenda vendit, Drejtoria e Dytë që ruante udhëheqjen e lartë komuniste nga pikëpamja agjenturore dhe Drejtoria e Tretë e Zbulimit Politik që vepronte e kamufluar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Dy të parat ishin në varësi të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme për Sigurimin. E treta ishte në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit.
Ish- drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi që ka studiuar dosjen e shërbimit sekret prej vitit 1922, sqaron:
“Të tria këto drejtori kanë vepruar me sekretari të posaçme. Dokumentacioni i prodhuar ka ardhur nëpërmjet sekretarisë dhe kartotekave.
Sekretaria ka prodhuar dosjet administrative në të cilat pasqyrohet veprimtaria e përditshme e institucionit, analiza, përgjithësime, raporte, përgjithësime, etj. kartoteka me qendrën e saj në Degën e 4 në Drejtorinë e Parë ka prodhuar dosjet e rrjetit sekret dhe dosjet e përpunimeve.
Kur flitet për dosje, të interesuarit kanë parasysh pikërisht këtë të fundit, pavarësisht se nuk e shprehin saktësisht”
Z.Dervishi sqaron se rrjeti sekret përbëhej nga rezidentët, agjentët, informatorët e strehuesit.
Këta kanë pasur dy lloje dosjesh: dosje personale dhe dosje pune. Në dosjen personale vendoseshin plani i rekrutimit, deklarata e bashkëpunimit, vërtetimi biografik (ustanofka), vendimi për mbylljen e dosjes, etj.
Në dosjen e punës vendosej një kopje e informacionit që jepte bashkëpunëtori. Kopja tjetër vendosej në dosjen e përpunimit.
Dosjet e përpunimeve (përndjekjeve). Ishin disa llojesh të cilat identifikoheshin si 2A (përpunim aktiv), 2B (kontroll operativ), PP (Përpunim Paraprak) dhe problem i centralizuar (kur ndiqeshin dy e më shumë persona).
Po çfarë kanë brenda dosjet?
Hapja e tyre mund të bëhet edhe subjekt spekulimesh nëse materiali nuk administrohet me seriozitet.
Ja një rast nga një dosje e bashkëpunëtorit me pseudonimin Çiftelia.
Pas eliminimit të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetor të vitit 1981, i gjithë ish-Sigurimi i Shtetit përpiqej të mblidhte fakte komprometuese.
Zelli ka qenë aq i madh sa sajoheshin edhe histori të paqena.
Një zyrtar i lartë i qeverisë së marsit 1992, i mirëinformuar me dosjen “Shehu”, tregon se aty ka parë edhe dëshmi që tentonte të implikonte Ismail Kadarenë.
“Në tekst ishte shkruar se Ismail Kadare ka qenë një mik i ngushtë i armikut Mehmet Shehu. Që ai hynte pa teklif në shtëpinë e tij, kur ai ishte i gjithëpushtetshëm.
Madje kur Mehmet Shehu ndodhej jashtë shtetit apo me pushime jashtë Tiranës, Ismaili, bashkë me gruan e tij Helena, shkonin në shtëpinë e Shehut dhe përdornin krevatin e ish-Kryeministrit…” deshmon ish-zyrtari.