Albspirit

Media/News/Publishing

Marjana Kondi: Unë vlej sa gjithë duartrokitjet e publikut tim!

Image result for marjana kondi

 

Unë vlej!

Jam aktorja dhe punonjësja e parë, e cila në vitin 2014 reformoi Teatrin Kombëtar duke më larguar nga puna (arsyet e së cilës i di vetëm drejtuesi i institucionit).

Jam aktorja që Shteti Shqiptar dëmshpërbleu me XX000000 lekë për largimin tim të padrejtë nga puna.

Jam aktorja që sot Kryeministri i Shqipërisë më dedikon një status në faqen e tij.

Jam aktorja që konsiderohem nga një Kryeministër-Artist si një ndër artistet që ka mbledhur më shumë duartrokitje në skenën e Teatrit Kombëtar.

Shoh që jam cituar, por jo plotësisht, zakon i vjetër i politikës që në rastin më të mirë e thotë të vërtetën përgjysmë dhe kjo e bën atë të gënjeshtërt. Kryeministri apo çdo palë politike duhet t’i citojë dhe referojë artistët në gjithë të vërtetën e tyre dhe e vërteta ime është që pasi kam kërkuar kushte, më kanë larguar nga puna në Teatrin Kombëtar, pikërisht unë që Kryeministri thotë që jam duartrokitur shumë.

Jam distancuar nga debati për teatrin dhe do të përfshihem kur të shoh që mendimi i artistit vërtetë vlen për teatrin dhe jo për përdorim politik.

Unë vlej!

Vlej sa gjithë duartrokitjet e publikut tim.

 

——————————————-

Statusi i Edi Ramës
Mariana Kondi, e cila i ka dhënë publikut shumë personazhe të spikatur në skenë e në ekran, është një nga aktoret që ka mbledhur më shumë duartrokitje në sallën e Teatrit Kombëtar. Ajo ka një qëndrim të qartë në debatin për godinën e teatrit, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror.

MARJANA KONDI:
Përtej së kuqes, llozhave, poltronave dhe perdes kadife, lëngonte një teatër i amortizuar e i braktisur nga instancat shtetërore. E kuqja e sallës ishte skuqja nga turpi i këtij shpirti që vuante. Të tillë për fatin e keq e gjej dhe sot. Kjo gjendje shton nevojën për të kërkuar një teatër të ri, të mirëmbajtur, me të gjithë elementët teknik si hapësira skenike, akustika, numri i sallave, elementët audio dhe ndriçim, kapacitet të lartë të vendeve për publikun, ambiente bashkëkohore pune për aktorët. Dhe këtë s’e kërkoj për vete, por për gjeneratat që do vijnë. Kërkesa për një teatër të tillë (pa cënuar asnjë centimetër nga territori ekzistues). Ndaj mbështes çdo iniciativë që kërkon t’i japë kombit, qytetit, publikut, aktorëve, regjisorëve, një teatër që kemi dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotëm të teatrit.

Please follow and like us: