Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Vargje për shoqërinë

Image result for flamuri kuq e zi

28 NËNTOR 1991

Kushtuar kremtimit te festës së pavarësisë

Njëzet e tetë nëntori, ditë e rrallë e vendit tonë,
E ka shkruar historinë, e ka shkruar përgjithmonë.
E ka shkruar në flamurin, në flamurin kuq e zi,
E përjetëshme do mbetet, do jetë nder për Shqipëri!

Por nëntor i këtij viti, do të mbetet paharruar,
Vlora jonë e bukur trime, Vlora jonë e bekuar.
Me djemtë e saj si luanë, me bijtë e martirizuar,
Të burgosur, internuar, nga rregjimi i mallkuar.

Ky Xhemali dhe Fadili, * dy pishtarë të lirisë,
Hipur në shtiz të flamurit, grisën yllin e tradhtisë,
Të rrethuar nga policët, policët e sigurimit,
Hoqën nga flamuri ynë, simbolin e komunizmit!

Ditën e festës së madhe, kryetari kuqalosh,**
Se ç’po ecte rëndë, rëndë, ecte fryrë si kaposh,
Po kujtonte ditëziu, kohën që kish perënduar,
Koha s’ishte më e tija, frika kishte fluturuar.

Trimat që s’ishin përulur, s’ishin epur nga torturat,
Dolën para tij si diva dhe i thanë atij si burrat:
Mjaft flamurin komunizmit, lart ia ngritët gjer tani,
Sot flamurin e Skënderit, do ta ngremë ne në liri!

Ky Altini *** djalë azgan, ngre flamurin arbëror,
Turmë e tërë brohoret, kënga po ushton në kor.
Rrofsh moj Vlorë, Vlora jonë,Vlora jonë e krenarisë,
Përsërite dymbëdhjetën i dhe dritë Shqipërisë!

Vlorë, nëntor 1991.

* Dy të rinj, Xhemal Mustafaraj nga Vlora, ish i burgosur politik dhe Fadil Ndreu nga Dibra, lindur dhe rritur në internim, grisën nga flamuri ylli e komunizmit dhe e dogjën në mënyrë demostrative, më 27 nëntor 1991.
** Ish Kryetari socialist i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit Vlorë.
*** Altin Kokoshi, shtatëmbëdhjetë vjeçar, nipi i Qazim Kokoshit, firmëtarët të aktit të pavarësisë më 28 nëntor 1912.

Mësuesve të mi

Seç po shfaqen para syve, plot me plagë dhe tortura,
Madhërisht në mendjen time, seç lartohen ata burra,
Që i kisha nënë e babë, që i kisha miq dhe shokë ,
Që s’më lanë në errësirë, që më dhanë dritë e forcë.

I paçmuari doktor, ky Isufi ynë * i lartë,
Mendje ndritur i nderuar, ndriçon si një yll i artë,
Gjoni dhe Patër Mëshkalla **, dy simbole të lirisë,
Dy titanë madhështorë, shërbëtor të Perëndisë.

Tahir Hoxha me Meçanë***, që përherë ishin në ballë,
Fjalë e tyre, fjalë e rëndë, ishin dy burra të rrallë,
Dhe i urti avokat****, oh, Xhevdeti orator,
Biri i qytetit plakë, një dishepull trimëror.

Por si mundem të harroj, si do mundem mos kujtoj,
Buzagazin dhe të urtin, atë burrë që më mësoi,
Gjakun dhe fisnikërinë, nderin edhe dashurinë,
Mikun tim të paharruar, Engjëllin*****zemër lirinë.

Ky vegim, vegim i rrallë, nëpër mendje më vërtitet,
Dhe imazhi shumë i lartë, kurrë nuk do të më shqitet,
Lapidar do ngrihen lart, lart në qiellin hyjnor,
Lavd dhe nder për atdheun, për atdheun arbëror.

Tiranë, shkurt 2001

* Doktor Isuf Hysenbegasi nga Starova e Pogradecit, simbol i vetmohimit..
** Gjon Shllaku dhe Patër Mëshkalla nga Shkodra, klerikë dhe studiues të shquar.
*** I pari mësues nga Tragjasi, i dyti Meçan Hoxha agronom nga Velça e Vlorës.
**** Xhevdet Kapshtica nga Korça, avokat i shquar i asaj kohe.
***** Engjëll Kokoshi nga Vlora, miku im më i mirë.

DJALOSHIT MIRDITOR

Kjo poezi i kushtohet djaloshit shtatëmbëdhjetë vjeçar që dha jetën, një natë janari të vitit 1955, i ngrirë në një shtyllë telefoni, i lidhur me urdhër të operativit të kampit Bulqizë

Ishte dimër, binte borë,
Cingërima thante sytë,
Lidhur hekurat në dorë,
Të morën të fundit frymë.

Nuk u qave, nuk vajtove,
Nuk kërkove as mëshirë,
Si titan atje qëndrove,
Promete, njeri i lirë.

Ndjenim dhimbjen fare afër,
Kur morëm tënden mandatë,
Ah, o Zot, atë masakër,
Qysh durove atë natë!

Ju, o kriminel mizorë,
Ju çerberë egërsie,
Si e vratë atë të gjorë,
Yll i rrallë djalërie?

Tiranë, janar 2005.

VELIUT

Kushtuar shokut tim Veli Premtaj

Prej qelisë kur u lirova, ndjeja veten të vetmuar,
Nga shokët e fëminisë, që qëndronin të larguar,
Përmbi shpatullat e mia, hija e rëndë e mjerimit,
Porsi guri i Sizifit, rëndonte mali ndëshkimit.

Vallë s’kishin të mbaruar, brengat e hallet për mua,
Deri kur dënimi im, do më ndiqte prapa thua?
Nuk mjaftuan vuajtjet ferrit, brenda në kafaz i mbyllur,
Por dhe kur isha i lirë, shpirtin ta mbaja të ndrydhur?

Krejt papritmas ti u shfaqe, si kalorës i shpëtimit,
Zemrën time qetësove, me balsamin e shërimit,
Pranë meje ti qëndroje, nuk u ndave kurrë nga unë ,
E jetonim bashkë rininë, të dy bashkë shkonim në punë.

Por kur dielli rilindi, errësira u shpërnda,
Dhe kur shpresat ngrohën zemrat, zemra jote ne na la,
Nuk durove dot lirinë, fluturove lart në re,
Fluturove lart në qiell, më nuk do të jesh me ne.

Por do mbetesh pa mbarim, jetë për jetë do të kujtohesh,
Si kujtim i paharruar, asnjëherë s’do të harrohesh,
Fjala jote, fjalë burri, do të mbetet thellë në zemër,
Fjalë e artë, fjalë hyjnore, fjalë e urtë, fjalë me emër.

Tiranë, maj 2005.

SHOKUT TIM

Kushtuar shokut tim të fëminisë dhe burgut, Jorgo Beshos, vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Jetën bashkë e filluam, ende kur ishim fëmi,
Bashkë luanim sylla mbylla, nuk na trazonte njeri.
S’kishim halle as dhe brenga, luanim edhe këndonim,
Zërat seç buçisnin fortë, botën donim të pushtonim.

Vitet rrodhën porsi lumë, porsi lumë prej kristali,
Ëndrrat tona djaloshare, askërkush më nuk i ndali,
Ëndërruam dhe luftuam, për lirinë e dëshëruar,
Së bashku me Myrtezanë, shokun tonë të paharruar.

Por përpara ish pantera, pantera e zezë mizore,
Që na grabiti rrëmbyshëm e na ndau nga jeta prore,
Na lëndoi, na sakatosi, na vërviti mes të ferrit,
Ku sundonin pa mëshirë, tre gojët e Luçiferrit.*

Zemra jote shumë e fortë, zemra jote shumë e zjarrtë,
U ngrit dhe kundër Zeusit, plot me flatra krah të artë,
Hape krahët fluturove, lart në qiellin e nxirë,
Dhe e ndale vrullin tënd, atje në botën e lirë.

Por Atroposi** mizore, nuk të la që të gëzoje,
Të shkëlqeje, të tregoje, aftësitë arbërore,
Kur arrite majë malit, kur shpërtheve ti në jetë,
Të preu fijen e jetës, të mbylli në varr të shkretë.

Ike me zemër të plasur, për atdhe dhe për liri,
Për ato kishe luftuar, me plot zjarr në Shqipëri.
Ike pa i patur pranë, familjen dhe shoqërinë,
Larg në botën e lirë, që të rrëmbeu rininë.

Jorgo, shoku yn i dashur, Jorgo, shoku yn i parë,
Përgjithmonë të kujtojmë, të kujtojmë ty me mall,
Unë bashkë me Myrtezanë, që të dy pleq të moshuar,
Shokun e rinisë nderojmë, shokun tonë të paharruar..

Tiranë, prill 2006.

* Sipas Dantes dikur ishte engjëlli i mrekullueshëm që udhëhoqi kryengritjen kundër perëndisë. Për këtë u përzu nga qielli në thellësitë e tokës. U shndrrua në djall përbindësh me tre gojë dhe u bë mbret i Ferrit.
** Sipas mitologjisë ishte njëra nga tre hyjneshat e jetës. Lakezis endte fillin e jetës, Klotoja mblidhte lëmshin, ndërsa Atroposi e priste atë fill.

SIMBOLI I BURRËRISË

Kushtuar, Bujar Kaloshit, me rastin e
dhjetëvjetorit të vrasjes, më 26 korrik 1996..

O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë,
Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?
Thellë në zemër më goditën, më goditën në Tiranë,
Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.

Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,
Seç goditën zemrën djalit, trimit tim të paharruar.
Dhjetë vjet kam që lëngoj, dhjetë vjet kam që po pres
Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë.

Si kushtrim buçet nga larg, zëri djalit që ushton,
Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon.
Uturon nëpër shkrepa, zëri i djalit të ri,
Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!

S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,
Ato le t’i lemë prapa, ato brezat le t’i nxënë,
Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot rehati,
Dua, dua drejtësi, të prehem në qetësi!

Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,
Biri yt ka fluturuar, lart në qiellin e amshuar!
Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,
Si simbol të burrërisë, përgjithmonë i paharruar!

Tiranë, korrik 2006.

FOTOGRAFIA

Si kujtim një miku im,
Me qëllimin mirëdashës,
Më tregoi fotografinë,
Kishin dalë shokët e klasës.

Bashkë me shoqet e mira,
Që u ndriste i bukuri sy,
U shkëlqente mirësia,
Vetëm unë s’isha aty.

Isha hedhur dhe degdisur,
Brenda rrathëve të ferrit,
Nga Minosi çakërdisur,
Ngado mbuluar prej territ.

Rri shikoj fotografinë,
Po dëgjoj rrahjet e zemrës.
Kush ma shkatërroi rininë?
Kush ma preu rrugën e jetës?

Doja dhe unë të jetoja,
Tok me shoqe edhe shokë,
Doja dhe unë të gëzoja,
Por më ndanë nga kjo botë.

Ndaj tani këtu qëndroj,
Thellë zhytur në mendime,
Si t’ia bëjë e të veproj,
Që t’i heq nga mendja ime?

Tiranë, tetor 2008.

MALL…!

Strukur thellë në qoshen time, zog i mbyllur në kafaz,
Para syve shumë kujtime, zemra gati sa s’më plas.
Ç’po lëngon edhe vajton, kujton kohën e kaluar,
Ç’ke moj zemër që rënkon, ç’nostalgji të ka mbuluar?

O ju shokë të fëminisë, o ju shoqe lule mali,
Ju kujton zjarri rinisë, zemra duket sikur ndali.
Dhimon, Lilin, Shezaiun, Jorgon shokun tim të parë,
Kos’e vdekjes i përpiu, qetësisht prehen në varr.

Kujtoj Duron dhe Aliun, Luanin dhe Myrtezanë,
Këngën “Erëza malore”, përgjithmonë e kishte pranë
Me Minellën bisedoj, kujtoj kohën e kaluar,
Edhe Pipin e takoj, mendja më ka fluturuar.

Tek të mirat vajzat tona, Ana, Shazia dhe Vjoleta,
Ti, Aliqi dhe ti, Dona, ti, Zymbyle dhe ti, Vera,
Mbi të gjitha ndiej një mall, një mall që më robëron,
Oh, moj Neri, yll i rrallë, zemrën pse po ma copëton.

Qeshnim, qanim, ah, së toku, zhytur në ëndrrat qiellore,
Moshën e artë jetonim, moshën pa dallime prore.
Trrilli kohës ne na ndau, ca në jug, ca në veri
Na degdisi, na shpërndau, në kafaz dhe në liri.

Dhe tani që jam i thinjur, emrat tuaj i kujtoj,
Nuk e di pse zemra dridhur, po kërkon që t’ju takoj,
Nuk e di se çfarë besoni, nuk e di ku bëni pjesë,
Zemra ime ju kujton, po ju pret me gaz dhe shpresë.

Larg nga zhurmë e kësaj bote, le të mblidhemi tani,
Ndarjet le t’i flakim tutje, le të bëhemi fëmi,
Ejani, po ju thërras, lozim, qeshim si aherë,
Pleqëria të pëlcasë, të rinj jemi kurdoherë.

Tiranë, tetor 2008.

ERËZA MALORE

Kushtuar shokut tim Myrteza Baboçit

Kur të vegjël ishim, kur ishim fëmi,
Kur nuk kishim brenga, nuk ndjenim mërzi,
Zëri yt i bukur, zëri prej bilbili,
Zemrën na gëzonte, aromë trëndafili

Dhe ky zë i ëmbël plot me forcë ushtonte,
Qetësonte shpirtrat, zemrat i gëzonte,
“Erëzën Malore” bukur e këndoje,
Edhe shpirtrat tanë na i ekzaltoje.

Por një ditë së bashku, mbyllur në kafaz,
Trupat plot me plagë, mbushur me maraz,
S’donim salltanete, kishim derte plot,
Donim veç lirinë, për të derdhnim lot.

Kampeve u endëm, duke ëndërruar,
Bashkë me dashurinë, lirinë shenjtëruar,
“Erëza Malore” prapë na mbajti gjallë,
I harronim brengat, s’ishim më në hall.

Tani që u plakëm, zëri përsëri,
Po ushton fuqishëm, si zë në rini,
Zëri prej bilbili, zë prej kanarine,
“Erëza Malore”, aromë trëndeline!

Tiranë, korrik 2009.

Please follow and like us: