Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: SKËNDERBEUT

Fotografia e Sadik Bejko

Duke ngjitur malet për te kështjellat e tua
Me sytë lart te muret që grisnin cipën e qiellit,
Mendoja ata që le pas, ushtarët e tu, i le te shtëpitë
Te kodrat, te fushat, gjer te dallgët e anëdetit.

Te kështjellat, kur u ngjita, nuk gjeta heshtarë në pirgje,
As gjeneralët e tu të lavdishëm me leshnikun në purpur.
Rrugës takova barinj, bujq dhe sharrtarë
flokët e tyre pleksur me brymë dhe me erë ,
balli nga rrudhat i çarë.

Ishin njerëzit që na mësuan drapërin për korrjet,
Na mësuan shpatën për luftë, plugun për të mbjellat,
Njerëz nga ata që në mbrëmje këndonin këngët e tua,
Na rrëfyen gojëdhanat, na ringritën legjendat.

Këta më lartoheshin si kështjellat e tua, Skënderbe,
Këta më të papushtuarit sesa muret –njerëzit-
ushtarët e tu kur punonin arat
kur lindën, rritën fëmijë…
Nga majëmalet te shkuma e anëdetit.

Please follow and like us: