Albspirit

Media/News/Publishing

Alice Elizabeth Taylor: Memoriali si përkrahje e dhunimit të të drejtave të njeriut nga Erdogani

Memoriali si përkrahje e dhunimit të të drejtave të njeriut nga Erdogani

Në 2016-ën, fraksione brenda forcave të armatosura turke tentuan të bënin grusht shteti kundër qeverisë dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Duke parë degradimin e sekularizmit, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirisë, ata tentuan të merrnin vetë në dorë drejtimin e vendit të tyre nga një njeri që vetëm formalisht nuk është diktator.

Që atëherë, Erdogan dhe qeveria e tij e kanë përqenduar edhe më shumë pushtetin në duart e tyre dhe po qeverisin me dorë të hekurt, duke imponuar rregulla autokratike dhe eleminuar këdo që ata mendojnë se përbën kërcënim për pushtetin e tyre absolut dhe totalitar.

Pastaj, më 15 korrik, Bashkia e Tiranës ndërtoi një memorial në Parkun e Liqenit të Tiranës për viktimat e grushtit të shtetit të dështuar. Në atë që mund të jetë kujtimi i parë jashtë Turqisë për të përkujtuar këtë ngjarje (në mbështetje të Erdoganit), bashkia bleu dhe 251 (numri i atyre që vdiqën) pemë nga Turqia dhe i mbolli në një rrugë që do të quhet “Dëshmorët e 15 korrikut ”.

Para ceremonisë së inaugurimit, të cilën autoritetet shqiptare nuk e reklamuan në mediat sociale, u zhvillua një marshim i quajtur “Triumfi i Demokracisë”, përmes Tiranës, drejt përmendores.

Nuk jam plotësisht e sigurtë se situata aktuale në Turqi, mund të quhet “triumf i demokracisë”.

Turqia tani është e rrethuar nga një klimë censurimi mediatik dhe çdokush që qeveria mendon se është armik ose kritik, shtypet.

Mijëra gazetarë, akademikë, mësues, artistë, aktivistë, nëpunës civilë, kurdë dhe anëtarë të opozitës janë burgosur; të tjerë kanë pasur fate edhe më të këqija.

Në këtë moment që po shkruaj më shumë se 130 mijë nëpunës publikë janë pushuar nga puna, të akuzuar për lidhje me grupe a shoqata të dyshuara si terroriste. Gati 50 mijë të burgosur po mbahen mbyllur me akuza të sajuara.

Turqia është kthyer në ‘burgun më të madh të gazetarëve në botë’ me rreth 175 gazetarë prapa hekurave dhe mijëra të tjerë po përballen me gjyqe e akuza dhe duke jetuar me frikë çdo ditë.

Gjyqet dhe akuzat janë të motivuara politikisht, shpesh nuk ka asnjë provë apo arsye, ndërsa gazetarët kurdë po burgosen vetëm për shkak të etnisë. Ata që po presin gjykimin mbahen në paraburgim të zgjatur dhe përballen me dhunën e policisë.

Qindra mijëra faqe në internet janë bllokuar, përfshi faqet e Wikipedia-s, YouTube-it, Facebook-ut, dhe Instagram-it, si dhe faqet e lajmeve apo platformat e të drejtave të njeriutMijëra libra janë hequr nga shkollat.

Raportimi kritik  në çdo lloj medie apo rrjeti social kufizohet e dënohet dhe mijëra qytetarë po përballen me ndjekje penale për postimet në media sociale.

Qeveria po godet gjithashtu dhe videot në internet, madje edhe të atyre që transmetojnë nga jashtë vendit.

Duke u renditur e fundit në Indeksin e Lirisë të organizatës Reporterët pa Kufij, autoritetet turke kritikohen se duke censuruar dhe burgosur ato pak zëra kritikë ndaj Erdoganit, po ‘zhdukin dhe ato pak vlerave të pluralizimit që kanë mbetur në Turqi’.

Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut publikoi një raport mbi shkeljet që po ndodhin në Turqi që nga grusht shteti, duke përfshirë edhe arrestimin e mbi 600 grave dhe fëmijëve, për shkak se shoqatat e burrave apo baballarëve të tyre akuzoheshin si të lidhura me organizatorët e grushtit të shtetit.

Raporte të ndryshme tregojnë se refugjatët dhe azilkërkuesit janë abuzuar e dhunuar. Ka pasur plot raste kur rojet kufitare kanë qëlluar me armë kur kanë parë refugjatë të kalojnë kufirin. Janë vërejtur raste gjithnjë e më të shumta të skllavërimit, punësimit të fëmijëve dhe shumica e fëmijëve të azilkërkuesve nuk mund të shkojnë në shkollë.

Mbi 1500 avokatë, përfshirë avokatët e të drejtave të njeriut, po gjykohen mbi akuza të sajuara për lidhje me terrorizmin. Plot aktivistë kanë rënë viktimë e rrëmbimeve dhe zhdukjeve me forcë, teksa familjet e tyre shprehen se ata kurrë nuk do të marrin drejtësi për këto ngjarje.

Kombet e Bashkuara raportuan se të arrestuarit dhe të burgosurit pas grushtit të shtetit po përballen me tortura dhe trajtim çnjerëzor nëpër burgje.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International raportoi se të arrestuarit përballen me rrahje, përdhunime dhe abuzim seksual. Policia është akuzuar se i mohon ushqimin dhe trajtimin mjekësor të burgosurve, i mban ata të lidhur me rripa plastikë derisa i shkakton plagë apo me sy të lidhur për ditë të tëra. Po ashtu ka pasur raporte se të burgosurve i mohohen të drejtat ligjore, nuk i tregohen akuzat ndaj tyre dhe se nuk lejohen të takojnë familjarët.

Të burgosurit shumë shpesh dënohen me burgim të përjetshëm, pa të drejtë apelimi të vendimin apo faljeje. E drejta për ankimim apo për të pasur një process të rregulltë e të drejtë ligjor është pothuajse e panjohur tashmë në Turqi.

Më pas në nëntor 2017, guvernatori i Ankarasë ndaloi aktivitetet publike nga komuniteti LGBTI, një vendim që më pas u mor dhe nga të gjithë bashkitë e tjera dhe qëndoi në fuqi deri në vitin 2019, kur Ankaraja e shfyqizoi.

Pastaj në korrik 2019, guvernatori i Stambollit ndaloi paradën e përvitshme të Krenarisë për vitin e katërt rresht, duke deklaruar se parade përbën kërcënim për sigurinë publike. Pavarësisht ndalimit, disa anëtarë të komunitetit LGBTI marshuan dhe policia hodhi gaz lotsjellës ndaj tyre.

Duke mos u mjaftuar me persekutimin e atyre brenda kufijve të Turqisë, qeveria e Erdoganit po përpiqet të ekstradojë ata për të cilët dyshon se kanë lidhje me grushtin e shtetit, por jetojnë në vende të tjera të botës. Një numër i madh i këtyre të dyshuarve janë mësues dhe akademikë, dhe pa respektuar asnjë procedurë, shumë prej tyre janë ekstraduar në Turqi nga Kosova dhe Moldavia, ku kishin kërkuar strehim.

Duke mos u ndalur me abuzimin e qytetarëve, qeveria turke tashmë ia ka vënë sytë copëzave të fundit të demokracisë, duke marrë masa shtrënguese ndaj kryetarëve të bashkive, deputetëve nga partitë pro-kurde – madje shumë deputetë nga Partia Demokratike e Popullit janë arrestuar me akuza për terrorizëm të motivuar politikisht.

Në Jug-Lindje të Turqisë, 50 bashkë-kryetarë bashkishë të opozitës, pasi u larguan me forcë nga zyrat dhe u zëvendësuan me të zgjedhurit e Erdogani, u burgosën dhe vazhdojnë të qëndrojnë aty falë akuzave të rreme për terrorizëm.

Gjendja aktuale e demokracisë së Turqisë mund të përmblidhet me thënien “ju votoni, unë fitoj”.

Pavarësisht se Turqia është anëtare e NATO-s, Erdogani po bëhet gjithnjë e më shumë i afërt me Rusinë dhe liderin e saj Putin.

Të gjitha këto janë ato që memoriali tek Liqeni i Tiranës po mbështet.  Nuk ka asnjë lidhje me njerëzit që humbën jetën gjatë grushtit të shtetit, por vetëm me përkrahjen e një qeverie autokratike, ksenofobe, homofobe, neo-islamiste, eurofobike që po shkel në mënyrë të pashembullt të drejtat e njeriut.

Turqia nën pushtetin e Erdoganit është pa dyshim anti-perëndimore, anti-BE dhe anti-demokraci, dhe çdo ditë e më tepër situata aty po  përkeqësohet.

Duke e vendosur këtë memorial në Tiranë, ne po japim një votë besimi për një regjim që po përndjek qindra mijëra qytetarë civilë të pafajshëm, çdo ditë.

Ky memorial tregon vetëm mbështetje për Erdoganin dhe është një vepër e prekshme  se si qeveria shqptare po mbyll sytë para arrestimit, ndalimit, torturës, zhdukjes, përdhunimit, heshtjes dhe abuzimit të mijëra njerëzve të pafajshëm gjatë tre viteve të fundit.

Përderisa nuk është sekret që Turqia ka ndikim të padrejtë dhe të paligjshëm në Shqipëri, dhe se kryeministri Rama merr këshilla nga Erdogani dhe Manuali i tij i Diktaturës, populli shqiptar nuk duhet ta pranojë këtë gjë.

Ajo që po ndodh në Turqi, po fillon pak nga pak të ndodhë këtu dhe të drejtat tona po dhunohen në të njëjtën mënyrë si në Turqi vitet e fundit.

Pranimi i këtij memoriali është të pranosh gjithë këto shkelje e dhunime, dhe përkrahja e tij është përkrahja e një figure politike që në histori do të mbahet mend si tiran, jo si hero.

Please follow and like us: