Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Mazi: Kosova, me integritet territorial apo me territore të shkëmbyera?!

Kosova, me integritet territorial apo me territore të shkëmbyera

Çështja e Kosovës në këto tre dekadat e fundit ka qënë lejtmotivi i angazhimit politik dhe diplomatik të Shqipërisë. Kanë qenë tepër aktive, kanë luajtur rol të ndjeshëm në shumë drejtime në lidhje me Kosovën dhe rrugën drejt pavarësisë të saj, gjatë gjithë kësaj periudhe, një grup i vogël ambasadorësh profesionistë, me përvojë të gjatë të Shqipërisë, veçanërisht në diplomaci dhe në marrëdhëniet shumëpalëshe.

Janë marrë shumë vendime politike në organizata ndërkombëtare, rreth 35 të tillë vetëm në OSBE, duke filluar me atë të “konsensus minus një” për përjashtmin e ish-Jugosllavisë nga Mbledhja e Nivelit të Lartë në Helsinki në 1992, falë punës të madhe edhe të ambasadorëve të Shqipërisë dhe të miqve që ajo kish bërë në lidhje me çështjen e Kosovës.

Eshtë punuar për disa vite me radhë me ekipe profesionistësh dhe nën drejtimin e Ahtisarit, u negociua dhe u përmbyll paketa që mban emrin e tij lidhur me Kushtetutën dhe Pavarësine e Kosovës. Kësisoj ishte shtruar rruga politiko-diplomatike për të thënë, siç qe e vërteta, se të gjitha mjetet paqësore diplomatike ishin ezauruar dhe, në fund, u bë luftë e përgjakshme duke u kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj nga tashmë mbi gjysmën e shteteve anëtare të OKB-së.

Pavaresisht punës të pandërprerë dhe të organizuar të Serbisë, çka vazhdon pa ulur intensitetin edhe sot, për të penguar me çdo kusht ndërkombëtarisht njohjet e Kosovës nga shtete e tjera, si dhe për të sabotuar rritjen dhe ecjen e saj përpara, përfshirë duke vënë epitete të turpshme për shqiptarët nën sytë e “e ulur në tokë” të BE-se, u ndërtua baza e shëndoshë politike, diplomatike dhe juridike për pavarësinë e Kosovës. Dhe ajo u arrit!

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-se, edhe pse çështja e legjitimitetit të shpalljes së pavaresisë së Kosovës në kuadër të së drejtës ndërkombëtare u dërgua në këtë gjykatë për diskutim dhe mendim me kërkesën e Serbisë me shpresën e delegjitimimit të saj, Gjykata i vuri vulën ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë e mbeshtetur kjo fort në të Drejtën Ndërkombëtare.

Sikur të mos ishte bërë gjithë ajo punë dhe luftë e madhe dhe e gjatë, sikur të mos ishte angazhuar komuniteti ndërkombëtar e të mos kish ndërhyrë NATO, etj., duket se ndër ne sot kjo gjë sikur harrohet ndërsa flitet dhe punohet (nga disa) për shkëmbim territoresh!

Individë që flasin e punojnë në këtë drejtim sa duket harrojnë se sot janë por nesër nuk do të jenë më ku janë sot, siç është e ditur se ndodh në sisteme demokratike dhe gjysmë demokratike. Nga marramendja se dikush/disa mund ose do të mbeten si lidera të shqiptarisë në histori, duket se harrohet që vetë hisoria do të jetë ajo që mund t’i ndëshkojë rëndë dhe t’i hedhë diku në koshin e mbeturinave! Përse?

Nëse vijohet të ecet në këtë rrugë dhe ajo – shkëmbimi i territoreve – më në fund, të bëhet, të arrihet, është e qartë se kjo gjë hedh në erë, rrëzon të gjitha përpjekjet e mëdha të deritanishme, të vetë shqiptareve në radhë të parë; dhe në radhë të dytë, hedh në erë dhe rrëzon të gjithë punën dhe paketën e Ahtisarit dhe ekipit të tij si dhe atë të të gjithë grupeve negociatore shqiptare. Ajo vë në pikëpyetje të madhe vetë thelbin e pavaresisë së shtetit të Kosovës, mund te thuhet se ajo e bren atë nga brenda.

Një shkëmbim i miratuar territori sot do të thotë se kjo gjë mund të ishte bërë fare lehtë qe dje, kur negociohej dhe përgatitej kushtetuta e Kosovës; kjo do të thotë se ishte bërë gabim i madh që nuk qenka bërë që dje kjo gjë! Ajo krijon precedentin e një shkëmbimi tjeter territoresh diku gjetke; ajo hedh poshtë vetë thelbin e bërjes të luftës për t‘a cliruar dhe pavarësuar Kosovën nga Serbia.

Ajo rrëzon raison d’etre të paprekshmërisë të kufijve të Kosovës që kur ajo ishte krahinë autonome në ish RSFJ, të paprekshmërisë dhe të kompaktësisë të territorit të Kosovës. Nëse ndodh, ajo do të ecë drejt delegjitimimit edhe të luftës së NATO-s dhe të vetë pavaresisë të Kosovës, me ndihmen edhe të Shqiperisë në këtë rast, apo të ndonjë drejtuesi të saj e të Kosovës, në emër gjoja të vendosjes të një paqeje të gjerë, të qëndrueshme, paketë, në këtë zonë të turbullt të Ballkanit. Ajo do qesë në asgjë për çka edhe u bë gjithë ajo përpjekje e vuajtje popullore të disa brezave, mbi 100 vjet me radhë, dhe ajo luftë e gjakderdhje e madhe, deri sa u arrit pavarësia.

Nëse bëhet, ajo vetëm do të shpërblejë me sukses dhe për suksesin e saj politikën anti-kosovare serbe që punon, prej tashme mbi dy dekadash, për të hedhur poshtë gjithëçka është arritur deri sot për Kosoven dhe në Kosovë; ajo nuk hyn në këtë lojë që të humbë, por do të arrijë të marrë nën Serbi territoret e pakicave serbe në Kosovë, së bashku me minierat plus, dhe ato territore që ende sot janë jashtë kontrollit të qeverisë qendrore të Kosovës.

Edhe pse në këtë linjë mund të dojë apo të tentojë të ecë apo gjoja të argumentoë favoret, të mirat e mëdha që do vijnë ndonjë drejtues apo gazetar në Kosovë dhe Shqipëri, apo ndonje shtet apo drejtues i huaj, ajo gjë nuk duhet bërë. Për gjithësa u tha më sipër dhe më: Mendimet për këtë çështje dhe qëndrim sa vijnë e shtohen dhe forcohen. Shtetet e ndryshme duhen dëgjuar me vëmëndje, në mënyrë të balancuar, dhe po kështu duhen bërë edhe analizat e qëndrimeve të tyre.

Kufijtë, kjo çështje është aq e rëndësishme, aq sensitive, aq e gjerë dhe e thellë. Ajo prek interesat dhe aspiratat e popullit të Kosovës dhe të Shqipërisë, sa ajo do të kërkonte medoemos një mendim dhe pozicionim të qartë mbarë popullor.

Ajo nuk mund të ceket e të vendoset nga një grusht njerëzish, qofshin edhe drejtues. Kjo çështje madhore meriton të kalojë përmes një referendumi në radhë të parë e kryesisht në Kosovë. Le të shprehet populli i Kosoves direkt sesi e shikon ai vetë këtë pikë nevralgjike të së ardhmes të saj.

Shqipëria do të ishte e udhës që të mos përzihej shumë në këtë çështje, por vetëm të japë ndonjë ndihmë e këshillë të ndershme, profesionale, të menduar e peshuar shumë mirë e gjatë, pas të ketë analizuar thellë të gjitha pikat pro dhe kundër, dhe nëse një gjë të tillë e kërkojne së bashku, në unitet, institucionet dhe drejtuesit e zgjedhur të Kosovës.

Autori ka qenë për shumë vite diplomat karriere, dy herë ambasador i Shqipërisë në OSBE, ka punuar në Sekretarian e OSBE-së dhe ka qenë kandidati zyrtar i Shqipërisë për Sekretar të Përgjithshëm të OSBE-së.

Please follow and like us: