Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Katiola Karoli

Image result for katiola karoli

Katiola Karoli

 

 

Nuk mund!

 

Të dua, por nuk dua të jesh pjesë e dhimbjes sime.

Le të mbetem unë një hije gri dashurie.

Mure të ngurtë, zbrazëti në varr-zemër

Vrarë nga trille-thika e lojëra pabesie.

 

Qiell i rrudhosur si plakë 100-vjeçare

Shpirt-burgosur jete mes mijra hallesh

Nuk dua të të bëj pjesë të dhimbjes sime

Nuk mund të jem për ty Ore-Mali a Zanë-Përralle.

 

Zëri im

 

Zëri im do jetë vetëm në gërma

Atje do qaj, qesh, do të ulërij

Nëse je i zgjuar do dëgjosh rrahjet e zemrës

Fjalë që shpirti derdhi vetëm për ty.

 

Në brigjet e shpirtit tim u lodha

U lodha duke pritur, thinjur e shpresuar

Nëse do ta kuptosh ndjenjën time

Tretur mes vargjeve ke për të më lexuar.

 

***Me dashuri ***

 

Zi nate vaj kukuvajke…

I shtrenjti idhull kthehu tek unë.

Po pres me ankth një të dlirë agim.

Të të hidhem në krah, të them të dua shumë.

 

Kuaj të egërsuar tē shpirtit tim.

Turfullojnë kërkojnë të ikin larg.

Ndjenja të sapolindura, të virgjëra dëshira

Si këto kuaj kërkojnë të rendin prapë.

 

Të dua nga qelia e zemrës-burg, thërras

Degët lakuriq të shpreses thyhen.

Çarqet që nata e pabesë ngre

Unë me dashuri kam për t’i shpërthyer.

Please follow and like us: