Ilir Levonja: Degradimi dhe nënshtrimi social
Vrasja e një tekniku kondicionerësh, për më zi akoma, djalë i ri, 26 vjeç tregon degradimin moral të shoqërisë sonë. Ta kthesh nga të duash është një makabritet social që pjellin vetëm sejmenët e drogës. Një trend i kudogjendur, i cili kërkon të bëhet investitor brenda javës. Tek ne është e modës loja me teknikët ose me zanatçinjtë ku nën pretekstin se nuk u pëlqeu puna nuk të japin lekët ose do t’i japin kur t’i kenë. Kjo në masën 99% është kulturë e këtij soji.
Nuk përjashtohet mundësia që edhe ky konflikt të ketë nisur kështu, me një lloj presioni për të mos paguar fare atë që vjen e të bën punën. Eshtë strategji e gangove alabakë që nga njëra anë ngasin makina prodhim jashtë serie, mbajnë bizhuteri të shtrenjta në duar dhe në qafë, portofol në sqetull dhe xhel në kokë, por nga ana tjetër nuk duan të të paguajnë. Ky trend pushton me dhunë dhe në një farë mënyre administratat i janë bindur për faktin e edukatës së rryshfetit dhe frikës. Gjykatat po e po, madje u kanë shërbyer dhe vazhdojnë t’u shërbejnë. Nuk e kanë problem të blejnë këdo, një zyrtar a një noter, të marrin një leje ndërtimi në bashki dhe befas zgjohen pronarë ”hotelesh” me pesë yje në vendet më strategjike të qyteteve ku jetojnë por edhe gjetkë.
Nëse do bëhej një investigim i burimeve të investimit do ishte lehtësisht e dallueshme burimi i të ardhurave të tyre. Por jemi tek degradimi moral social, deri diku ka një nënshtrim shoqëror sa të gjithë mund të ankohen në kor se kujt t’i drejtohen? Ku ta kërkojnë të drejtën etj? Mund të jetë kështu, por në tërësi të gjithë pranojnë bakshishin, rryshfetin, të gjithë kërkojnë t’ia hedhin njëri-tjetrit duke qënë me ndërgjegje pjesëtarë të një kohë ku njeriu ha njeriun. Të gjithë kërkojnë me ngulm trofeun edhe pse e dinë që nuk u takon, por e kërkojnë, duke harruar të jetojnë.
Ndaj sot Shqipëria në përgjithësi po përjeton Siçilinë e pas Luftës së Dytë Botërore apo të kohëve të Toto Rinës. Qytetet shqiptare janë sot plot me kartele droge, kartele të të fortëve, deri lagjet në periferi. Deri fshatrat kanë nga një grup a nga një të fortë. Janë plot me Toto Rina që ditën u thoshte korleonezëve se portokalli është dielli sicilian nga ana tjetër e mbolli vendin me rafinerinë e drogës. Këta quhen investitorë…, ngasin makina të shtrenjta, kanë dashnore, para, ngrejnë kulla. Në fund të vrasin me plumb koke po nuk u pëlqeu puna që i bën. Vetëm 26 vjeç ngrihet e shkon në punë e kthehet i pa jetë.
Makabritet social, degradim, rënie. Shkurt të vësh duart në kokë.