Ilir Levonja: Donald Trump dhe qeveritari i shqiptarëve Edi Rama
Aty nga fillimi i tetorit 2017-të, Donald Trump pushoi nga puna ministrin e shëndetësisë së asaj kohe zotin Tom Price. U paraqit si dorëheqje, por ishte mirëfilli një pushim nga puna. Kjo e gjitha se Tom Price udhëtonte për punët e qeverisë me avionin e tij privat. Dhe ta mendosh që në Amerikë për shkak se është një vend i madh thuajse 99% e axhendës së një shtetari kryhet përmes ajrit, pra me avion, fitimi është kolosal. Nuk ishte problemi vetëm tek avioni privat, por tek faturat e kripura që zyra e financave në ministrinë e shëndetësisë paguante për shërbimin. Me plot gojën qe jo vetëm përfitim nga arka e shtetit por edhe rrjepje me dy duar e qytetarëve amerikanë. Kam shkruar edhe atëherë për këtë rast duke dashur të ofroj për shoqërinë një model komunikimi dhe bashkëpunimi midis shtetarit dhe shtetit. Megjithëse në Shqipërinë time sipas kryeministrit Donald Trump ishte një rrezik kombëtar jo vetëm për Amerikën por edhe për botën. Mirëpo me verpimin që bëri madje duke e thënë publikisht se nuk i pëlqente aspak metodat e Tomit në lidhje me shërbimet, për qytetarin amerikan rezultoi një shtetar normal apo koherent. Kurse kryeministri shqiptar kur e ka parë mbase ka rrudhur buzët ose ka nënqeshur hidhët?! Për momentin në Shqipëri po publikohen gjithandej investigimet e Faktoje.al një Web i krijuar me fonde të USAID-it, mbi faturat e kripura që ministrja e drejtësisë ka paguar hotelet në Europë. Por krejt ndryshe nga Trump, rreziku kombëtar i amerikanëve, shefi shqiptar grindet me qytetarët në fb duke u thënë se i marrin të keqen etj. Tani ta kuptosh se kush është në të vërtetë rreziku kombëtar i vendit të vet, Trumpi i amerikanëve apo Rama i shqiptarëve veç një mendje naive nuk e dallon. Nga ana tjetër disa Webe aludojnë se shumat janë fryrë jo rastësisht për përfitime. Një gjë të jeni të bindur, janë dy drejtimet e mendësisë sonë, e para që ne nuk kemi llogjikë financiare kur vjen fjala për tu dukur. Dhe e dyta ne nuk kemi asnjëherë si qëllim një post ministror për t’i shërbyer qytetarëve, por vetes dhe sojit, grupit a shokëve, shoqeve dhe dashnoreve a dashnorëve në rastin e seksit femër. Janë me pikatore krijesa të tilla tek ne por edhe kur janë stonojnë ose konsiderohen të pa aftë e për rrjedhojë janë dhëmbësin në minorancë. Kështu që si kjo e drejtësisë së sotshme nuk ka si bën përjashtim.
Futjuni përshembull faturave të Xhozit, a Jozefinës, ish kryetares së kuvendit të shqiptarëve dhe do dilni me vrap nga memoria e kompjuterit. Madje do ishte mirë që shërbimet e shtetarëve të bëheshin publike çdo fund muaji. Dhe ta shikonin shqiptarët se çfarë burrash a burrneshash ”të shenjtë” kanë në krye. Do dilnin me vrap jo nga memoria e kompjutrave por nga çatia e shtëpive. Megjithatë ajo që të bën përshtypje nuk janë hotelet e Brukselit apo të Berlinit, por ai i Prishtinës. Jo se nuk e ka standartin, mund të jetë edhe i atij klasi pesë yjesh. Po fakti që një ministre shqiptare fle në hotel në Prishtinë, paguan në Prishtinë një fature e barabartë me 1m rrugë rurale, të dërrmon. Në Prishtinë flihet tek shqiptarët, tek miqtë. Madje ky duhet të jetë një pakt i ndërsjellë qeverish. Dhe fondet prej pashallarësh të një nate hoteli le të shkojnë për jetimoret, spitalet a qendra të tjera publike. Le të shkojnë tek përkrahja sociale, tek invalidët, tek mencat sociale etj.
Mirëpo vendi im nuk ka për qeveritar të parë një rrezik kombëtar si Trump, por ka Edi Ramën murtajën kombëtar.