Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Mehmetaj: Vjosa Osmani-kryeministre, mesazhi për partitë kryesore në Kosovë

 

 

 

Partia më e rëndësishme në Kosovë, Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës ka shpallur si kandidate për kryeqeveritare jo kryetarin e partisë Isa Mustafa, por një figurë tjetër Vjosa Osmani për kryeministre, nëse kjo forcë politike mund të jetë subjekti politik më i votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Padyshim duket një zhvillim pozitiv dhe ndoshta vendimi i parë që duhet të marrin partitë më të votuara në Kosovë është që 50 përqind e përfaqësuesve të legjislativit mund të jenë femra. Madje jo vetëm në legjislativ, por edhe në pushtetet e tjera, nëse do të zbatohej kjo formulë, do të ishte një risi dhe një vlerë e madhe për shoqërinë kosovare. Femrat shqiptare të Kosovës, pa marrë në konsideratë se çfarë force politike përfaqësojnë, janë padyshim elementi më pozitiv në shtetin më të ri të Europës.

Personalisht, por edhe si përfaqësuese e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të kem shumë rezerva për qeverisjen e kryeministrit Ramush Hajradinaj, por jam gjithmonë vlerësuese për femrat e përfaqësuara në të gjitha pushtetet, pra në qeveri, në diplomaci, në pushtetin gjyqësor, në institucione të tjera të pavarura.

Mua më vjen mirë që partia më properëndimore në Kosovë ka përzgjedhur si kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin, por nga ana tjetër do të dëshiroja që në pushtetin e ardhshëm legjislativ të kishim përfaqësues që vijnë nga konkurenca e lirë dhe jo nga preferencat e kryetarëve të partive, të eleminohej përfundimisht nepotizmi, lidhjet fisnore dhe atavizma të tjera që kanë shoqëruar institucionet e reja të Kosovës.

Nuk dua kurrsesi të ndikoj në votën që do japin votuesit e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por dua të them se aleatët më të mëdhenj euro-atlantikë janë një thesar i pazëvendësueshëm i LDK dhe presidentit Rugova, për të cilën duhet të jemi të gjithë krenarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, etj, pavarësisht bindjes politike apo besimit fetar.

 

 

Please follow and like us: