Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Isuf Musliu: GJUHA SHQIPE DHE KULTURA SHQIPTARE NË ZVICËR

Fotografia e Cerciz Loloci
 

HYRJE
Meqenëse një segment i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, duke nga çereku i fundit i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI, po zhvillohet në truallin e shtetit të Zvicrës, ne e shohim të udhës, që para se të thellohemi në studimin tonë, të njihemi më parë me historikun e shkurtër të Zvicrës, këtij vendi tepër mikpritës për këdo e në radhë të parë për ne shqiptarët me organizimin politiko- shoqëror të saj në kantone, me pozitën e saj gjeografike, shtrirjen sipërfaqësore të saj në Evropën Qendrore, popullsinë e saj, gjuhët e popujve që përdoren në këtë shtet demokratik apo gjuhët zyrtare në Zvicër, Zvicra me të huajt dhe pa ta, struktura dhe ekonomia shoqërore; Shteti federal i Zvicrës, federalizmi i kantonit dhe komunat sovrane të Zvicrës, neutraliteti i Zvicrës, kultura dhe arsimimi në Zvicër, Universitetet e Zvicrës, Zvicra dhe Shqiptarët, emigracioni shqiptar në konfederatën e Zvicrës etj..

Këto do të ishin disa nga njohuritë e para për truallin e shtetit të Zvicrës, ku emigracioni shqiptar dhe popullata shqiptare jeton, punon e vepron si njëra ndër katër popullsitë e saja përbërëse të Zvicrës së sotme.

Kështu, njihemi më për së afërmi me rrethin e ri, me shtetin e ri, në të cilin shqiptarët me punën e tyre kanë krijuar një diasporë të fuqishme politiko –  ekonomike dhe kulturore – arsimore e gjuhësore, duke shfrytëzuar kushtet e përshtatshme në shoqërinë demokratike zvicerane, ku çdo qytetar i çfarëdopërkatësie qoftë është i barabartë para ligjit dhe gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e qytetarit vendas.

 

Pozita gjeografike e Zvicrës

 

Zvicra zë një pozitë gjeografike në jug të Evropës Qendrore, që karakterizohet kryesisht me kodrina dhe male të pasura me pyje e me gjelbërim të theksuar dhe me një natyrë piktoreske.

Ajo nuk ka dalje të drejtpërdrejtë në det, duke filluar që nga skaji më jugor i vendit, deri te porti më i afërt detar, Gjenova (në Itali) kap një distancë prej rreth 250 km.

Pika më veriore e saj, ndodhet në kuadër të Shafhausen në 47° dhe 48° të gjerësisë veriore, kurse pika më jugore ndodhet në kuadër të Kiasos dhe Tiçios në gjerësinë 45° e 49° nga perëndimi në lindje, Zvicra shtrihet nga Gjeneva e deri në Grizone.

Zvicra ashtu sikurse edhe Shqipëria futet në brezin malor të Evropës Qendrore.

Ajo përfshin pjesën qendrore të Alpeve, lumenjtë Rina dhe Rona, ndaj jo më kot për këtë arsye Zvicrën jo rastësisht e quajnë edhe kështjellë e ujit të Evropës.

Një pozitë c këtillë gjeografike gjatë historik të saj e ka karakterizuar Zvicrën si një nyje të rëndësishme komunikacioni dhe një vend të rëndësishëm transit të Evropës.

Zvicra shquhet për karakteristikat gjeografike si një vend kompleks. Ajo ndonëse nuk bën pjesë në Alpet e mirëfillta, platoja ose pllaja si rrafshnaltë gjeografike dhe krahina e Jurës ia detyrojnë Alpeve një pjesë të mirë të morfologjisë së tyre gjeografike.

Kufijtë e shtetit të Zvicrës në jug shtrihen deri në fushën e Italisë, kurse në veri deri përtej Rinit në Malin e Zi (të Gjermanisë). Prandaj, ne mund të therni se tre rajone natyrore e përbëjnë territorin e Zvicrës: Alpet dhe Paraalpet, që kapin 60 % të vendit, Platoja, që ngërthen 30 % dhe Jura që arrin një shtrirje gjeografike deri në 10 % të sipërfaqes së saj.

Kryeqyteti i Zvicrës është Berna. Zvicra është organizuar në 20 kantone të plota dhe 6 gjysmëkantone.

Ka një sipërfaqe prej 41.293,2km².

Popullsia e Zvicrës arrin 7.100.000 banorë.

Në Zvicër fliten këto gjuhë: gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja, shqipja dhe retroromanishtja. Dita kombëtare është 1 gushti, që festohet që nga viti 1291, që përfaqëson njëkohësisht historinë e besëlidhjes apo marrëveshjes ndërkantonale.

Kushtetuta e parë e Zvicrës daton që nga viti 1815 e ashtuquajtur Kushtetuta e Parë e Napoleonit.
Hidrografia e Zvicrës
Falë reshjeve të bollshme atmosferike Zvicra ka sasi të shumta ujërash, siç janë: lumenj, liqene, etj.

Zvicra është ekspozuar nga katër rryma të mëdha kryesore, që i njeh Evropa: nga rrynimet, kontinentale të oqeanit në lindje, të veriut mbipolar dhe të jugut mesdhetar.

Këto ndikime të jashtme që ushtrojnë në një reliev kompleks dhe të përthyer, përcaktojnë edhe sasinë e mikroklimave lokale dhe krahinore e ndërkrahinore të theksuara.

Zvicra ndonëse është më e pasur me reshje se pjesa më e madhe e krahinave të tjera të Evropës, nuk ka reshje të njëtrajtshme. Përkundrazi reshjet janë të ndara në mënyrë shumë të pabarabartë nga aspekti i shtrirjes gjeografike.

Kështu pra, ka zona të veçanta ku në monitorë regjistrohen 129cm reshje në vit. Në Lugano 175cm, por ka edhe vende, ku nuk ka reshje më tepër se 53 cm.

Reshjet e dobëta dëshmojnë për këtë zonë të thellë Alpesh, siç është fusha valezane, ku ekziston një rrjet tepër i dendur ujitjesh të fushave të mbjella me kultura të ndryshme bimore.

Topografia e përthyer ka kushtëzuar krijimin e vendeve të mbyllura klimatike dhe autonome, që shkaktojnë ndryshime lokale të gjendjes së përgjithshme meteorologjike.

Krahinat e liqenit të katër kantoneve për shembull janë të njohura për brigjet e tyre të rrahura nga erërat e ngrohta lokale.

Zvicra ka shumë liqene të mëdhenj e të vegjël. Ndër ta veçojmë liqene natyrore dhe liqene artificiale.

Ndër ta mund të veçojmë: liqenet e Tumit, Brieneit, Zugut dhe të katër kantoneve. Liqeni i Cyrihut dhe disa të tjerë kanë tipare tipike si liqenet e Belshit në Shqipëri, pellgu të cilëve, duke qenë i mbyllur, ujërat e tyre dalin nga të çarat e shkëmbinjve, për t’u rishfaqur në formë burimesh në anën tjetër të pellgut. Liqenet e Zvicrës qofshin të mëdhenjtë ose të vegjël ia shtojnë bukurinë peizazhit mrekullueshëm zviceran. Liqenet në Zvicër nuk kanë distancë më të madhe se 15 km ndërmjet tyre.

 

Struktura dhe ekonomia shoqërore e Zvicrës

 

Nga mesi i shekullit XIX, popullsia që merrej me bujqësi përfaqësonte më se gjysmën e popullsisë së përgjithshme aktive për punë, pra rreth 60%, kurse në vitin 1960 popullsia, që merrej me bujqësi përbënte vetëm 13 %, ndërsa tani kjo përqindje ka rënë në 4%, nga njëra anë. Ndërkaq shpopullsimi relativ i krahinave të Alpeve dhe jura në dobi të Pllajës, Platen, pasqyron qartë ndryshimin e strukturës të zënit me punë të sektorit parësor, bujqësia drejt sektorit dytësor, nga ana tjetër, kurse industria, mjeshtëritë e dorës, punimet manifakturale, përbëjnë sektorin e tretë të shërbimeve shoqërore.

Kështu që braktisja e fshatit në Zvicër, nuk është aq e theksuar siç ndeshim në vendet e tjera të industrializuara.

Për shkaqe historike dhe praktike që në fillimet e saj industria është vendosur dhe është zhvilluar në fshat, në rajone rurale.

Imigracioni i huaj gjithmonë ka qenë në funksion të evolucionit të strukturës së punësimit dhe të konjukturës së shoqërisë zvicerane.
Gjuhët zyrtare të Zvicrës

Tiparet etnike dhe gjuhësore të Zvicrës së sotme do të formohen pas periudhës së romantizmit, kur erdhën shtresa të reja të popullsisë me origjinë gjermane. Ndërkaq, në pjesën perëndimore të Zvicrës u vendosën burgonët, të cilët tanimë ishin kristianizuar dhe shpejt ishin asimiluar nga popullsia romake, pranuan edhe gjuhën e tyre latinishten.

Një dukuri e këtillë u shfaq edhe ndër fiset lombarde në Zvicrën jugore, sundimi i tyre nuk solli ndonjë ndryshim rrënjësor në kulturën e tyre. Këta, në fillim u vendosën në sipërfaqe të gjera gjeografike të Zvicrës lindore, por më vonë u tërhoqën në luginat e larta grizone në kohën e mesjetës për të kaluar aty një jetë të pavarur dhe autonome.

Në të vërtetë retoromanët, po të mos e kishin pasur të zhvilluar instiktin e tyre shumë të fortë për të mbijetuar në rrethana dhe mjedis të ri, shumë shpejt do të ishin asimiluar në një grup tjetër gjuhësor më të afërm të fqinjëve të tyre.

Ja, kështu na del sot katërgjuhësia në Zvicër. Në pjesën romane dhe burgonte, latinishtja vulgare do të shndërrohej në dialekt franko-provansal.

Ndërkaq, në viset e pushtuara nga alemanjët (gjermanët), aty rreth vitit 900 gjuha e tyre do të shtrihej gjithandej në Zvicër. Në luginat e jugut futet brenda dialekteve lombarde, kurse gjuha retoromane do të rezistojë dhe do të vazhdojë të flitet në trevën e Grizonit.

Po si qëndron përqindja e përdorimit të gjuhëve sot në Zvicër? Ku shtrihen të folmet dhe ç’treva zënë?

Sot në Zvicër 65% e popullsisë së saj e flet gjermanishten, 18% e popullatës zvicerane flasin frëngjisht, kurse 10% flasin italisht, 1 % flasin gjuhën romanshe. Pjesa veriore dhe qendrore e Zvicrës, trevat në kufi me Gjermaninë dhe Austrinë flasin gjuhën gjermane. Zona Lozanë-Gjenevë e më gjerë në kufi me Francën, flet gjermanisht ndërsa pjesa jugore në kufi me Italinë e veriut, zona e Fiçinos flet gjuhën italiane.

Ndërkaq, shqipja arri të flitet në 6 %, ndonëse kjo gjuhë hyri në përdorim me ardhjen e emigrantëve shqiptarë kohëve të fundit, në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Zyrtarisht është konstatuar se më tepër se 2% e popullsisë, që banon në Zvicër flasin gjuhën shqipe në familje, ndërsa në mjedisin shoqëror jashtë familjes, flasin një gjuhë tjetër.

“Kjo lloj dygjuhësie karakterizohet nga fakti se fëmija duhet të përballojë jashtë mjedisit familjar, përgjithësisht njëgjuhësh (monolingua), një gjuhë të ndryshme, që nuk e flasin me doemos prindërit e tij ose që e flasin keq. Ky tip i dygjuhësisë ka prirje të zhvillohet e të përhapet shumë aktualisht në vendet e pasura si pasojë e dyndjes së punëtorëve të krahut nga vise të huaja”[1].

Sepse “mësimi i gjuhës joamtare si gjuhë e mjedisit – nevojë imperative e jetës së përditshme dhe njohja e gjuhëve të mjedisit shërben si urë ndërlidhjeje e kulturave gjuhësore”[2].

Zvicra shquhet edhe për monumente kulturore.

Veprimtaria e fisnikëve dhe e klerit në mesjetë vjen gjithnjë, duke u pasuruar me peizazhe e monumente kulturore.

Kështu, kështjella të mëdha, kala dhe manastire dhe qytete të reja janë ndërtuar vijimisht ndërmjet shekujve IX dhe XIV.

Kishat e Romanmotier dhe të Payerme të shekullit X Grossrnuster e Cyrihut, katedralet e Bazelit dhe të Schaffhausenit përfaqësojnë ndërtimet më të rëndësishme monumentale të artit e të kulturës, që janë ngritur në Zvicër.

Sa i përket kishës së vogël të Zillisë, në Grizon, ajo ruan një thesar të vërtete, ku tavani i saj është i ndërtuar rreth vitit 1160, i formuar prej 153 panelesh druri, i pikturuar dhe i gdhendur, tregon jetën e Krishtit dhe të Shën Martinit.

Në këtë shtet ekziston edhe liria e besimeve të popujve të ndryshëm, të cilët përveç besimit mund të zhvillojnë edhe kulturën e tyre kombëtare, të kultivojnë gjuhën amtare dhe të shkollohen në gjuhën e tyre.

Këtë mundësi ia ofron dhe garanton e drejta legjislative e Zvicrës, e drejta e iniciativës, organizimi i jetës kantonale dhe i komunave sovrane në Zvicër, e cila është e ndarë në 26 shtete sovrane, prej të cilave 23 konsiderohen kantone dhe tri gjysmëkantone dhe mbi të gjitha shteti federal i Zvicrës – federalizmi.

 

Shteti federal dhe federalizmi i Zvicrës

 

Kushtetuta e vitit 1848, shquhet për tiparet e saj thelbësore, të cilat përmbajnë aktualitetin e tyre të konkretizuar në aspektin juridik, mësime këto që janë nxjerrë nga përvoja e gjatë historike të një shteti të civilizuar e modern.

Uniteti i këtij shteti helvetik është ruajtur falë mbrojtjes dhe stimulimit të nduarnduarshmërisë së pjesëve përbërëse të tij, të popujve e të kulturave të tyre.

Ky shtet federal i përbërë sot nga 26 kantone dhe gjysmëkantoneve sovrane është pajisur me një strukturë federaliste, që ruajnë një pjesë të konsiderueshme të lirisë, të vendimeve politike dhe të autonomisë në fushën administrative të kantoneve në cilësinë e tyre si shtete autonome brenda konfederatës.

Secili prej tyre kishte ligjet e veta në pjesën dërrmuese të komunave. Kjo do të thotë se të drejtat popullore në kantone dhe në komuna si rregull i përgjithshëm janë sajuar nga të drejta federale, natyrisht duke u karakterizuar nga disa nuanca të veçanta, sipas kantonit apo komunës. Kompetencat e konfederatës janë përcaktuar me kushtetutë, e cila garanton sigurinë e brendshme dhe të jashtme, garanton kushtetutat kantonale dhe bënë lidhje diplomatike me shtetet e huaja. Edhe dogana, posta, telekomunikacioni, organizimi monetar dhe organizimi ushtarak janë në kompetenca të saj. Konfederata armatos ushtrinë, duke krijuar të drejtat uniforme, si të drejtën penale e të drejta të tjera të domosdoshme për lirinë dhe sigurinë e qytetarit dhe të bashkësisë shoqërore.

Ajo kontrollon trafikun dhe hekurudhat, ekonominë, pyjet, gjuetinë, peshkimin dhe përdorimin e shfrytëzimin e energjisë hidraulike.

Ajo merr masat e duhura për të siguruar zhvillimin ekonomik të vendit, si p.sh.: Mbrojtja e bujqësisë, zhvillimin e blegtorisë së përgjithshme, zhvillimi i industrisë së lehtë, funksionimi i bankave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në shumë fusha konfederata kufizohet me nxjerrjen e ligjeve dhe me kontrollin e zbatimit, që u takon kantoneve.

Tipi i qeverisë, që parashihet nga kushtetuta është Republikë Demokratike, thënë ndryshe demokraci gjysmëdirekte.

Organet e federatës i përbën populli, kantonet, asambleja federale, parlamenti, këshilli federal, Qeveria dhe Gjykata federale. Mjafton që 100.000 shtetas me të drejtë vote të bëjnë kërkesë për një projekt të hartuar me të gjitha pjesët e sajuara ose me terma të përgjithshme, natyrisht qe kjo kërkesë duhet të shoqërohet edhe me nënshkrimet e të interesuarve, dhe ky projekt lidhet për diskutim e miratim.

Në shumë kantone, iniciativa lejon jo vetëm ndryshimin e kushtetutës, por edhe të ligjeve. Njihen dy lloj referendumesh:

  1. Referendumi i detyruar, – që zbatohet në kushtetutën kantonale, i bën të detyrueshme të gjitha modifikimet e kushtetutës, që i nënshtrohen popullit.
  2. Referendumi fakultativ, – që përdoret për ligjet federale dhe vendimet federale me rëndësi të përgjithshme, mund të zbatohet nëse 5000 shtetas ose tetë kantone e kërkojnë 90 ditë pas publikimit të tij zyrtar.

Referendumi përdoret nëpër kantone, por sipas mënyrave të ndryshme nga njëri kanton në tjetrin kanton. Konfederata, sot përbëhet prej 3061 komunave, që përfaqësojnë po aq republika të vogla. Këto komuna kanë një autonomi të gjerë.

Pavarësia administrative e komunave dhe e kantoneve i bënë të mundshëm qytetarit që të marrë pjesë intensivisht në jetën politike të vendit.

 

Kultura dhe arsimimi në Zvicër

 

Çdo kanton i Zvicrës krenohet për sistemin e vet arsimor, që ia ka përshtatur nevojave të veta. Nuk do harruar se çdo komunë ka kompetenca të mëdha gjatë përpunimit të disa rregullave shkollore. Mund të ndodh që dy komuna fqinje të të njëjtit kanton të zbatojnë kushte të ndryshme për të kaluar nga shkolla fillore në shkollën e mesme, që korrespondon me shkollën tonë tetëvjeçare. P.sh. në njërën komunë mund të kalohet pa provim, kurse në tjetrën duhet zbatuar provimi për regjistrim.

Nuk mund. të ketë përparim ekonomik e shoqëror të vendi, pa një sistem arsimor të strukturuar mirë, të fortë, të plotë dhe të qëndrueshëm. Këtë realitet Zvicra e ka kuptuar dhe e ka zbatuar me kohë.

Kështu e mbështetur dhe e frymëzuar nga mendimtarët e mëdhenj si Ruso, Pestaloci, Zhirar, Felemberg dhe de Piazhe, ajo ka ndërtuar një sistem shkollor shumë të mirë, të përsosur e të qëndrueshëm.

Ndonëse institucionet politike të Cyrihut dhe të Llozanës janë në varësi të plotë të konfederatës, ndonëse arsimimi profesional është i bazuar në legjislacionin federal, përshtatur dhe i organizuar nga çdo kanton, duhet thënë se arsimi fillor, i mesëm dhe superior është më tepër çështje e kantoneve.

Zvicra njeh, pra 26 sisteme të ndryshme të bazuara në ligje të dalluara dhe që i përgjigjen apo i përshtaten nevojave të ndryshme kulturore dhe gjuhësore të çdo vendi, të çdo kantoni.

Problemet, që kanë të bëjnë me tipat e shkollave, kohëzgjatja e studimeve, problemet financiare e pedagogjike, si dhe pengesat eventuale të personelit mësimdhënës u janë lënë të zgjidhen nga vetë kantonet përkatëse.

Sidoqoftë, legjislacioni shkollor i tyre do të duhej të futej në një kuadër gjithëkombëtar dhe të paraqesë një minimum pajtueshmërie nga kantoni në kanton kur këta gjenden në fqinjësi. Prandaj, duhet që ata të merren vesh për të harmonizuar dhe orientuar politikën e tyre shkollore. Konferenca Zvicerane e drejtorëve kantonale të arsimit publik CDIP është organi më i lartë zyrtar, i cili në bazë të marrëveshjes për koordinim të rrjetit shkollor, duke filluar që nga tetori i vitit 1970 zbaton detyrat që i ngarkohen.

Nëpërmjet një bashkëpunimi aktiv në kuadër të organizatave ndërkombëtare, Këshilli i Evropës UNESCO, OSDE dhe me shërbimet e veta zhvillojnë bashkëpunim me vendet fqinje. Zvicra i bënë ballë sfidave të reja të arsimimit dhe perfeksionimit, që shtron sot arsimi në kushtet kur bota ka hyrë në mijëvjeçarin e tretë.

Kantonet i përmbahen moshës 6 ose 7 vjeçare për regjistrimin në shkollë fillore, ndërsa arsimimi i detyrueshëm është zakonisht 9 vjet, por ngandonjëherë edhe 10 vjet.

Vitet e fundit shumë kantone kanë futur edhe një vit shkollor, vitin e dhjetë shkollor fakultativ. Sa i përket fillimit të vitit shkollor, me votim federal ai është caktuar në fund të stinës së verës. Zvicra ka tetë universitete kantonale.

Zvicra ndonëse është një shtet neutral, ajo është e gatshme kurdoherë që edhe me luftë të mbrojë pavarësinë e vet, në rast kërcënimi nga kushdoqoftë.

 

(Pjesë e punimit të Magjistraturës të botuar nga Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë, 2007)

[1] Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistika, Tiranë, 1999, fq. 175.

[2] Mehmet Halimi, Rëndësia e mësimit të gjuhës joamtare, rev. “Shkëndija” Nr. 1-15 shtator – 1 tetor, 1978, fq. 10.

Please follow and like us: