“Basha-Kryemadhi, si shtojcë e Ramës”/Bislim Ahmetaj skanon Qeverinë dhe Opozitën
Kreu i Grupimit Dhjetor “90”, Bislim Ahmetaj, ka kaluar në filtër Qeverinë “Rama” , Opozitën dhe drejtuesin e saj Lulzim Basha, duke i konsideruar si fajtorë dhe përgjegjës për krizën politike ku ndodhet vendi ynë sot.
Ahmetaj i njohur si një nga kritikët e kreut të PD-së Lulzim Basha, në një intervistë ekskluzive për CNA.al, përveç kampeve politike, nuk ka lënë pa shenjëstruar as Soros-in
Madje, qeverinë e Ramës, Ahmetaj e quan trashëgimi të PKSH dhe vegël të Soros.
Ndërsa për qëndrimin e Ramës në pushtet, pavarësisht skandaleve të ndryshme Ahmetaj fajëson Opozitën.
Sipas tij, Rama qëndron në pushtet sepse përballë tij ka një opozitë apatike, të paaftë për të mos thënë të kapur.
“Atë që përfaqësohet nga çifti Basha- Kryemadhi e shoh në dy plane. Pamja e parë ajo pozitive, si të paaftë, dhe plani tjetër që nuk dua as ta besoj as ta pohoj si një bisht apo shtojcë të Ramës dhe shefave të tij antishqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë”, shprehet ai.
Ahmetaj është rikthyer pas në kohë, për të argumentuar paaftësinë e Opozitës.
Sipas tij, djegia e mandateve erdhi në një moment të gabuar, gjë që e dëmtoi Opozitën.
Një vendim i tillë sipas Ahmetajt duhej të ishte marrë më herët, që në kohën kur Qeveria u dërrmua nga protestat e studentëve.
“Ju e mbani mend që në fund të Dhjetorit pikërisht në ditën që Rama do të sillte në Kuvend për të shkarkuar dhe më pas për tu betuar gjysmën e qeverisë që ju dërrmua nga protestat studentore që shpërthyen gjatë atij muaji. Atë ditë opozita theu bojkotin 6 mujor dhe ju bashkua Parlamentit”, ka thënë Ahmetaj.
“Shuplakë” Bashës dhe mesazh Berishës
Kreu i Grupimit të Dhjetorit ’90, Bislim Ahmetaj ka folur me tonë të ashpra ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, duke iu referuar mënyrës se si ai e ka drejtuar Opozitën.
Nga ana tjetër Ahmetaj i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha,
“Unë e kam thënë dhe e përsëris “djegia” e mandateve duhet të ishte e përshkallëzuar, që do të thotë në krye të herës duhet të kishin hequr dorë nga mandati Lulzim Basha, Sali Berisha dhe gjithë kryetarët e partive të kualicionit opozitar, pasi të kishin testuar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, hapi tjetër duhet të kishte qënë tërheqja e gjithë deputetëve”, është shprehur Ahmetaj për CNA.al.
Sipas tij heqja dorë nga çdo lloj pushteti e kthen një parti politike në një lloj OJF-je, që mbahet me fonde.
Sa i përket izolimit ndërkombëtar të Partisë Demokratike, Ahmetaj ka thënë se kjo ka ardhur për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë që ka treguar në vite lidershipi Lulzim Basha.
“Lulzim Basha nuk ngjalli asnjëherë shpresë nuk krijoj asnjëherë besim, i shkon aksioneve të tij shterp deri në majë dhe pastaj shtin “bishtin ndër shalë” e kthehet në gradën “0”, ka thënë Ahmetaj.
Për të nxjerrë PD nga situata ku është Ahmetaj ka njoftuar bashkë me kritikët e tjerë të Bashës do të përpiqen që të demokratizojmë jetën e brendëshme të partisë, ta konsolidojmë votën e lirë brenda saj si dhe të garantojmë zhvillimin e karrierës.
“Ne na dhimbset PD-ja sepse na dhemb Shqipëria ndaj asnjëherë s’kam tentuar të largohem prej saj, të shkoj në ndonjë formacion tjetër politik apo të krijoj një parti të re siç më kanë sugjeruar shpesh herë edhe njerëz që sot janë rras si miza kali nën çadrën e Bashës”, është shprehur Ahmetaj./CNA.al