Albspirit

Media/News/Publishing

Deputeti gjerman, Peter Beyer: Kosova duhet t’i ruajë kufijtë e saj

Image result for harta e kosoves

Prishtinë, 3 shtator 2019 – Deputeti gjerman, Peter Beyer, ka përsëritur qëndrimin e palëkundër të Gjermanisë kundër ndryshimit të kufirit midis Kosovës e Serbisë.

“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që i ka dhe kjo është shumë e rëndësishme për Gjermaninë”, është shprehur ai.

Beyer ka thënë se Kosova do të përballet me sfida të shumta pas zgjedhjeve parlamentare dhe ka veçuar luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar dhe reformimin e sistemit të arsimit. Ndër sfidat e qeverisë së ardhme të Kosovës ai e ka renditur edhe dialogun me Serbinë.

“Së pari të presim rezultatet e zgjedhjeve, por, pavarësisht këtyre, qëndrimi i përgjithshëm është se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe është interes i Evropës por edhe Berlinit. Për atë arsye, është shumë i rëndësishëm vazhdimi i biseidmeve me Serbinë dhe këtë porosi e shpalosa edhe gjatë qëndrimit tim në Serbi, në takim me presidentin Aleksandër Vuçiq”, ka thënë ai.

Beyer ka thënë se emërimi i Matthew Palmerit si përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është një lajm i mirë, megjithatë shprehet se nuk e di çfarë të mira mund të sjellë emërimi i tij.

“Zoti Palmer e njeh rajonin dhe tani është me të vërtetë një lajm i ri që ai u emërua si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin, mirëpo nuk e di se çfarë të mire do të sjell ky emërim. Por pavarësisht prej kësaj, jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet ta emëroj një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në aspektin konstruktiv dhe të sinqertë për të vazhduar procesin e bisedimeve“, ka thënë ai.

Beyer ka thënë se amerikanët janë akterë të rëndësishëm për Ballkanin dhe aleat të Gjermanisë dhe ka shfaqur shpresën se do të japin kontribut të rëndësishëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Amerikanët janë akterë të rëndësishëm për Ballkanin, po  ashtu janë aleatë të Gjermanisë. Kam pasur takime të shumta dhe besoj për një kontribut pozitiv të tyre”, ka shtuar deputeti i CDU-së së kancelares Angela Merkel.

Deputeti gjerman ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Dje isha në Beograd. Atje kam bërë thirrje për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e re, e cila do të krijohet pas zgjedhjeve, duhet të kthehet në proces pa kushte. Jemi të gatshëm, sikurse në të kaluarën, të mbështesim Kosovën”, ka thënë ai.

Beyer ka folur edhe për gjasat për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se nuk mund të japër ndonjë datë, por i ka përmendur Kërshëndellat.

“Gjermania është shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Ka pasur edhe data, një datë kurrë nuk e kemi cekur nga ana jonë. Vërtet nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do ta jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë shpërblim për Kërshëndella”, ka thënë ai.

Deputeti gjerman i ka bërë këto komente të martën në Prishtinë, ku është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj.

Ky i fundit e ka vlerësuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe sidomos për kundërshtimin e idesë për ndryshim të kufirit midis Kosovës e Serbisë.

Please follow and like us: