Mehmetali Rexhepi: MOTIVE SHKODRANE
ulur me ju e i munguar
gjithnjë mes nesh
një gardh i pa rrënuar
*
doja t’u dëftoja çfarë kurore përjetësie
t’i bëja zonjushës Marie të Shllakut
ndoshta shkëlqimin mund t`ia vijëzoja së pakut
*
por Maria ishte një peng dafine
ngjyrën e flakës ia mbante ndezur çdo stine
*
testamentin e shpirtit gjakoja si borxhi më i lirë
t’i varej degës pemës Saj në qiell
*
më thanë kurrfarë
bëmat tua arkiv për zjarr
me frymën mërgimtare
ikën dhe ato pamje
*
heronjtë tuaj bëjnë vetëvrasje
gjeja kodin asaj gjëme
*
vetës i thashë
kjo mandatë si ka të ngjarë
pengu i Asaj të jetë tharë
*
thanë
nga mësymja e Drinit mund të vish
në vrima fyelli të hysh
këmbët e mpira Rozafës t’ia shpish
gjiri i saj pa ndalë rrjedh
gurrat e përrenjtë i merr
dhe bëhet më i madhi sy
e më i gjëri gji
i Shqipnisë tamblin që i pinë
Filipët, Ndretë, Gurakuqët, Migjenët
me lot e kthyen në jare
çdo kënge që i pikoi loti është burrërore
nga sfondi vjen plaga princore
e Milosaos
ai peng vegullie për Shkodrën.
*
Mirko Gashi më ftonte të pi raki të fortë rrushi
e të dehem në jaret shkodrane
ison nuk ia mbaja dot lakadredhave të zërit Frederikut
mes kokave e qeshjesh rridhte Buna në det
e fare lehtë deti Bunës përpjetë
as numërohet burrnia
përpihej liqeni nga makutëria
peshqit më kot lakmonin flatra
fulterja u digjej mbi vatra
*
lirikave të Rreshpjes filozofinë e bardhë
ku brumëzohej dhimbja piqej mallëngjimi prarohej një tipar
*
se dashuria në verbëri të shpika
përpjetë-tatëpjetave baladës tundimi iu ndieka
“O, se dy sytë m’i kanë verbue,
m’i kanë verbue moj, kaçurrelat, kaçurrelat e tu!”
*
në Shkodër u matka me gram krenaria
e Rozafës i ngelë pa tambël fëmija
*
Shkodrës i bëjnë hije mitet e malet
*
sa lehtë jetën e marrkan
por dhe ditkan ta falkan
Gjilan, më 26 mars 2019.