Napoleon Lapathiotis: Erotike!
Dert të vërtetë, po heq me vrik
në monopatin erotik,
gjersa të bjerë një mugëtirë
ditën e zezë të vdekjes…
Një monopat i thellë, i trishtë
që ta mbaj mend përjetësisht,
– sa më sëmbon në zemër thellë,
kjo rrugë e stërpërpjekjes.
***
Dhe le të jetë – kujt i prish punë?
Një puthje po kërkoj dhe unë,
puthja e parë, e fundit qoftë,
me tmerr dhe me llahtarë!
Një puthje dua – ma do zemra,
që ma premtuan kaq shumë femra,
por që asnjëra nuk ma dha,
mbeta me buzë të tharë…
***
Ndoshta një ditë, kur të kem ikur,
nga thellësitë të dal pa pritur,
do bëhem njësh me errësirën,
të vi të të takoj,
dhe atë puthjen e bekuar,
që nuk lashë vend pa e kërkuar,
– si detyrim, si borxh të vjetër,
– ta marr e ta shijoj…
Shqipëroi: Arqile Garo
Janninë, shtator 2018