Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shenjtërimi i saj

Fotografia e Ilir Levonja

 

Hose Maria Bergolio, ose Papa Francesco, i 266-të i Selisë së Shenjtë, nuk do harrohet kurrë për ne shqiptarët. Dhëntë Zoti që ata pjesëmarrës aty, t’i kenë pasur të mprehura majat e lapsave. Kjo ditë e sotshme (4 shtator 2016) është vërtetë për t’u mbajtur mend. Po kështu edhe ky njeri. Një i tillë që shkeli mermerin e Vatikanit me këpucët e Buenos Airesit. Thjesht për t’u ndjerë pranë shumicës globale që bie ndesh me luksin e shtëpisë si tij. Ky burrë nga Argjentina, ose jugu i skajshëm, zgjodhi me dorën e Zotit në grigjën e shqiptarëve një prej tyre. Pa diskutim atë që nga sytë e të të mjerëve shihej si një ëngjull. Ndërsa nga sytë e të të nginjurve, si model për demagogjinë e radhës në fushatën politike po të radhës. Dhe ata (të mjerët) nuk janë pak në këtë glob që sot e ka mbytur, ngrohja globale, droga dhe arratia njerëzore. Dëshira për të ikur. Në fakt, e përditshmja sërish, si të thuash po u bën një padrejtësi. Qoftë dhe me laurimin e saj. Pra shenjtit të tyre. Postera apo banera dixhitale qarkullojnë kudo me buzëqeshjen e shenjtores. Aq të shumtë sa do ta trishtonin edhe vet atë në gjallje. Ndofta gëzimi legjitim do të ishte më i drejtë ndryshe. Pa karrike të radhës së parë. Por batalionet e shenjtit nuk e kanë këtë mundësi penguese. Ata janë të nënshtruar të ndjejnë mungesën e saj. Të qajnë dhe të qeshin kohësisht. Të gëzohen si fëmijë. Të falin urie. Kurse karrikeparet, priviligjenin që të luajnë me emrin e shenjtit…, ashtu si me rruzat në perin e tespieve.

Bota e saj ishte një fushë veprimtarie mes mizerjes, kockamanëve, të rrezuarve përtokë dhe të pashpresëve.

Ndofta në këto ditë horeje shqiptarësh, shqiptarët duhet kishin arsyen më madhore që t’i nxirrnin me shqelma përjashta këta të radhës së parë. Por nuk e bënë.

Nga ana tjetër mijra pyetje naive më bluajnë kokën:

A do ndikohen për mirë shqiptarët nga ky shenjtërim i bijës së saj?

Sidomos shqiptarët shtetarë. Në raport me njeri-tjetrin. Me veten, me vendin. Për t’u bërë model për njerëzimin kudo?

A do zhvillohet ndryshe e nesërmja politike e Kuvendit të tyre?

Ku gjuha e komunikimit, e pritje përcjelljes së njeri-tjetrit, e vlerësimit të shoqi-shoqit, do jetë si gjuha e shenjtit që tashmë kanë?

A do t’i fusin shkopinjenën rrota shoku-shokut. Me imponime politike doganash. Me modelet e luftës së ashpër dhe demagogjinë e foltoreve. Me dy kombëtare, me pesë shtete?

Me yshtjen e tendencave gjoja nacionale? Atdhedashurie, por ama ndaj një atdheu imagjinar?

A do ta përmirësojnë mirëqënien e tyre?

A do ta përmirësojnë infrastrukturën e së përditshmes? Ato rrugët në lagjet. Apo rrethinat? Ku jeton e vërteta e njerëzve pa dëshirë për të ndrequr, meremetuar, mirëmbajtur?

A do ta japin vetveten aq kollajllisht në një të thjeshtë, vote?

A do të thonë më, ata janë qenër të gjithë? Njëri më mut se tjetri?

A do të jenë më përpara…, më shumë qytetarë shqiptarë se sa “démokratë”, “socialistë”, “komunistë”, etj?

A do vazhdojnë të prodhojnë intelektualë me shumicë, shkencëtarë, humanistë, profesorë, doktorë, juristë, arsimtarë e artistë…përmes selive dhe të teserës së dy partive, se sa përmes legjislacionit sekulär, të shtetit perëndimor?

A do vazhdojnë të prodhojnë misionarë fetarë me lëmoshat qoftë nga Orienti a Perëndimi?

A do fillojnë ta jetojnë besimin me mënyrën shqiptare…, si shqiptarë? Si racë e bukur? Si racë e vjetër?

A do ndërgjegjësohen se në këtë shekull të ri…, ricklimi, qoftë i mbetjeve, qoftë i drejtuesve politikë e shtetarë, është prioritet dhe domosdoshmëri kohore?

A do ta kuptojnë më në fund…, se mundësia që i jepni një individi, për t’ju drejtuar, nuk është rast kultural për të pasuruar atë dhe sojin e tij. Por rast kultural i ndreqjes së të përditshmes tuaj. I ardhmërisë së fëmijeve tuaj.

A do ta kuptojnë më në fund se kur flitet për investime me paratë e shtetit, flitet për paratë tuaja. Dhe se ju keni të drejtën e plotë të vetqeverisjes dhe pjesëmarrjes.

A do ta gjykojmë drejtë e gjakftohtë vetveten?

A do ta bëjmë këtë ndonjë ditë?

Janë shumë, shumë hamendësime….

_______________________

 

A do ta kuptojmë më në fund se, modelet, shembujt si ky i shenjtit tone, nuk janë më për t’u mburrur, por thjesht, për t’i ndjekur.

Dhe Zoti mos vonoftë e të na fusi në udhën e duhur.

Please follow and like us: