Albspirit

Media/News/Publishing

Një studim aktual për flukset në rritje të migrantëve të parregullt

Image result for emigrantet

 

Përgjatë viteve të fundit (2015- 2018), Shqipëria është përballur me një fluks në rritje të migrantëve të parregullt që hyjnë në vend, kryesisht përmes kufirit jugor me Greqinë. Fluksi i imigrantëve të parregullt të kapur në Shqipëri gjatë vitit 2018, ishte rreth 5.730 shtetas të huaj, pothuajse pesë herë më i lartë se në 2017. Ndërkohë që edhe numri i grave dhe fëmijëve ka ardhur duke u rritur ndjeshëm përgjatë 2018. Shumë migrantë detyrohen t’i drejtohen kontrabandistëve dhe rrjeteve kriminale për të shmangur ndalimet përgjatë kalimit të paligjshëm të kufijve, shpesh edhe për shkak të pamundësive për të gjetur rrugë më të sigurta për migrim. Edhe pse Shqipëria konsiderohet si një korridor transit në “Rrugën e Ballkanit Perëndimor”, flukset masive të migrantëve të parregullt rrisin rrezikun që grupet më vulnerabël të bien pre e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual.

Ky dokument politikash analizon trendet aktuale të imigracionit në Shqipëri dhe diskuton disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen autoritetet, duke u fokusuar kryesisht në grupet më vulnerabël të azilkërkuesve dhe migrantët e parregullt, siç janë fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë, gratë dhe të miturit të cilët mund të jenë viktima potenciale të trafikimit, shfrytëzimit dhe abuzimit.

Studimi nxori në pah disa nga sfidat kryesore institucionale në menaxhimin efikas të flukseve migratore të parregullta dhe kryesisht në adresimin e nevojave specifike të grupeve më vulnerabël. Studimi ofron një set rekomandimesh, ku ndër të tjera theksohen masat për të reformuar politikat dhe kuadrin institucional në lidhje me: përditësimin e procedurave për identifikimin, vlerësimin e duhur të nevojave të grupeve vulnerabël në pikat kufitare, mekanizma referues më efikas, politika gjinore në adresimin e nevojave të grave në pikat kufitare, procedura më të qarta dhe të shpejta në koordinimin institucional me njësitë e mbrojtjes sociale dhe autoritetet kufitare; mekanizma efikasë për identifikimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore; rritja e kapaciteteve profesionale dhe ligjore të agjencive ligjzbatuese dhe autoriteteve kufitare; mjediseve më të përshtatshme për akomodimin e fëmijëve të pashoqëruar ose të ndarë në qëndrat tranzitore; dhe shërbime më gjithëpërfshirëse ligjore, psikologjike dhe sociale për këto grupe.

(Ky studim është përgatitur nga Armela Xhaho dhe Alma Lleshi. Albspirit do të publikojë së shpejti studimin e plotë).

Please follow and like us: