Bashkim Zeneli: Kur Teodorakis e vlerësonte Kadarenë, shkrimtarin më të madh europian
https://www.youtube.com/watch?v=r4oJmSOrz60
Pas zgjedhjeve të 3 korrikut, puna në ambasadë do të vazhdonte fare normalisht. Diplomatët ishin të gjithë në krye të detyrës dhe pushimet e verës i kishin programuar vetëm për pak ditë, më së shumti për 10 ditë. Sektori konsullor po përballonte, si përherë, një punë shumë voluminoze, dhe sepse ishte sezoni veror dhe mijëra bashkatdhetarë niseshin për pushime në atdhe. Ato ditë, së bashku me Engjëllushen, na kishin ftuar për darkë në hotel “Hilton”, në qendër të Athinës, çifti i mjekëve Lyra, zonja Pari dhe zoti Yoannis, të dy ndër mjekët më të shquar në Greqi; Pari një endrinologe dhe Yoannis specialisti më i mirë në vend i kirurgjisë plastike. Kishte studiuar në Brazil. Ishte jashtëzakonisht miqësor dhe me shumë humor. Ishte edhe nënkryetar i Kongresit Botëror të kirurgjisë plastike. Me ta na kishte njohur profesor Tritan Shehu, që i kishte miq të vjetër dhe së bashku do të rrinim shpesh për një gotë verë. Për Tritanin flisnin shumë mirë dhe vërtet ai kishte shumë miq, personalitete të fushave të ndryshme.
Do të na mirëkuptonin të dy e sidomos zonja Pari, kur vend e pa vend do t’i trokisnim në derë për të njohurit tanë nga Tirana dhe ajo do të ishte gjithmonë e gatshme për të ndihmuar. Folëm për tema nga më të ndryshmet, por edhe për zgjedhjet në Shqipëri. Profesor Yoannis e njihte shumë mirë politikën dhe, në nivelet më të larta të saj, e nderonin shumë. Midis të tjerash, u tregova se pas disa ditëve isha i ftuar në 80 vjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar grek, Mikis Teodorakis. Profesor Yoannis do të ‘hidhej’ përpjetë: “Po ky është një nder i madh që të bëhet se… ambasador, me politikanë e me deputetë e zyrtarë takohesh për ditë. Mikis Teodorakis është një figurë brilante e Greqisë, jo vetëm si muzikolog dhe kompozitor, por edhe si politikan, studiues, publicist e gazetar.
Ai është shumë i dashur në Greqi. Ne të gjithë krenohemi me të. Ai ka qenë një luftëtar i shquar antifashist që në moshë fare të re. Më vjen shumë mirë që ju ka ftuar… Dhe, ambasador, mos harroni se është edhe një mik i madh i popullit shqiptar. Ka folur gjithmonë hapur, publikisht, edhe para demokracisë në Shqipëri, për popullin shqiptar e për luftën që ai ka bërë kundër fashizmit”… Me Mikis Teodorakis do të takohesha në Athinë, në një veprimtari kulturore. Tek po bisedoja me heroin kombëtar Manolis Glezios, afrohet z. Teodorakis, një burrë i madh, me flokë kaçurrela pak të thinjura, në atë kohë 78 vjeç. “Mikis”, do t’i thoshte Glezios, “takoje këtë mikun tim, është ambasadori i ri i Shqipërisë. Ne jemi shumë miq bashkë, zoti ambasador, dhe me siguri do të jeni edhe mik me z. Teodorakis”. Kompozitori me famë botërore më shtrëngoi dorën dhe pyeti: “Flisni frëngjisht”? “Jo”, i thashë. “S’ka problem, flasim anglisht…”. Më pyeti sa kohë kisha në Greqi dhe nga vija. Kur i tregova për Gjermaninë, u entuziazmua dhe tha: “Ou Gjermania, gjermanët janë një popull i madh…”.
Pastaj, krejt pa pritur, do të më pyeste: “Si është Ramiz Alia? Unë e kam mik dhe takohem me të sa herë që vjen në Athinë për ndonjë mjekim”. Më tha të shënoja numrin e tij të celularit që të takoheshim për ndonjë gotë verë… Unë i dhashë kartëvizitën time. “Ah, unë nuk mbaj gjithmonë kartëvizita”, do të më thoshte.
Mikis Teodorakis ishte një figurë emblematike në Greqi, me karakterin e tij rrebel, kryelartë, antikonformist e kurajoz. Dhe grekët e respektonin dhe e nderonin pafundësisht, pa thënë edhe thjesht si një kompozitor i famshëm. Kisha vërtet kënaqësi që u njoha me të, e më pas e kisha për nder ë do të bisedonim shpesh bashkë. Zoti Teodorakis ka lindur më 29 korrik 1925 në ishullin aq të bukur të Chios. Mbreti i parë i Chios, Oinopion, i vuri emrin e vajzës së tij, Chiona, ishullit. Vetë Oinopion, sipas mitologjisë, ishte djali i mbretit të verës Dionisit dhe nënës së tij Ariadne. Në shekullin e 6 p. K. Chios kishte 80 mijë banorë. Nga ky ishull ishte edhe historiani i famshëm Tukididi (460-396 p. K.). Ishulli ka qenë mbi 300 vjet nën pushtimin osman. Në vitin 1833 pushtuesit do të ndërmerrnin një masakër të madhe ndaj popullsisë, me vrasje të burrave, grave e fëmijëve, nën drejtimin e Sulltan Muratit II. Në Luvër ka një pikturë të njohur të Delakroix që i kushtohet ngjarjes. Pushtuesit gjermanë qëndruan nga 4 maj 1941 deri në fund të luftës. Që në moshë fare të re ka nisur të kompozojë. Studimet i ka kryer në Athinë e më pas në Konservatorin e Parisit.
Ka qenë një luftëtar i shquar kundër fashizmit dhe udhëheqës i njohur i rinisë. Për veprimtari antifashiste është arrestuar disa herë dhe është internuar. Që nga viti 1964 do të zgjidhej deputet në Parlamentin grek dhe më pas Ministër i Kulturës.
Me ardhjen e juntës së kolonelëve në fuqi, do të internohej përsëri. Në vitin 1970 do të shkonte në ekzil, në Paris. Aty do të shkruante, në vitin 1972, edhe librin e tij me jehonë të jashtëzakonshme “Jeta ime për lirinë”. Mikis Teodorakis i përkiste në ato vite rretheve komuniste që në Greqi ishin të fuqishme. Por do të shkëputej prej tyre pas kthimit nga Franca dhe, në vitin 1973, do të punonte ngushtë, sidomos me mikun e tij Theodoros Pangallos për krijimin e një të majte të vërtetë europiane. Ka kompozuar vepra për koncerte, vepra orkestrale, muzike dhome, shtatë simfoni të vlerësuara dhe mbi 1000 këngë. Në vitin 1964 do të kompozonte, krahas shumë muzikave të filmave, edhe Alexis Zorbën e pavdekshme, atë himn popullor, krenar për çdo grek. Në Greqi, Mikis Teodorakis vlerësohet si një Hero Kombëtar.
Ai është i përfshirë thuajse në çdo enciklopedi kulturore të botës. Në enciklopedinë gjermane “Alle lander unserer Erde”, botim i Bertelsmann Lexikon Verlag Gmbh, Munchen, 20001, do të shkruhet në mënyrë brilante për të. Por po ashtu, për Mikis Teodorakis është shkruar shumë edhe në Enciklopedinë Wissen von A-Z, Lexikon, Themenwissen-Wissenstest, botim i Bertelsmann, 2012, Munchen, por edhe në enciklopedinë e famshme “Chronik des 20 Jahrhunderts, Chronik Verlag Harenberg, Dortmund 1988”; edhe në KnauRSIllustrierte Ëeltgeschichte, Band 3, Munchen 2001; në “Kulturgeschichte Europas, Naumann und GobelVerlag, Koln”; në “Weltgeschichte-eine Chronik, NATURALIS Verlag, Koln”. Këto janë botime shumë të njohura gjermane, që iu riktheva pikërisht për të folur për dimensionin kulturor botëror të Mikis Teodorakis. (Dhe tek shkruaja këto radhë për Mikis Teodorakis, do të gjeja, përsëri në një enciklopedi të famshme gjermane, vlerësimet më të larta për të. Bëhet fjalë për “Knaurus Lexikon (Das ëissen unserer zeit auf dem Neuesten Stand”, Munchen 1998.) Mrekullisht në këtë enciklopedi shkruhet edhe për antikitetin, për teatrin, për kulturën, për olimpiadën, për Akropolin, për maratonën, për filozofët, dramaturgët, historianët, mjekët, tragjedianët, për Likuogun e madh, juristin ë famshëm që jurisprudenca i drejtohet edhe sot… për figura legjendare luftëtarësh e prijësish, për perënditë dhe perëndeshat. Sa shumë shkruhet për Eskilin (Aischyles 525-456 p. K.).
Mikis Teodorakis është i nderuar me çmimet me të larta në Greqi, por edhe në Japoni, SHBA, Berlin, Romë, Kanë, Londër, Bruksel, Vjenë… Do t’i telefonoja në numrin që më dha dhe do të takoheshim për darkë në një restorant në Vuliagmeni. Ishte jashtëzakonisht miqësor dhe shumë i drejtpërdrejt. Më foli fare në përgjithësi për jetën e tij. Donte të dinte nga unë sa më shumë për Shqipërinë. Në bisedë e sipër, do t’i tregoja për ardhjen time të parë në Greqi, në vitin 1990, në pranverë, dhe takimin që kam pasur në spital, ku ishte i shtruar, me poetin e madh Janis Ricos. Do t’i tregoja edhe për intervistën që i pata marrë muzikologut të shquar e me famë botërore Jorgo Leocakos. Më pas edhe për pjesëmarrjet e mia të shumta në veprimtari politike rajonale në Athinë, apo në përbërje të delegacioneve nga Kuvendi i Shqipërisë. Do të entuziazmohej shumë tek i fola për Janis Ricos.
E kishte njohur shumë mirë, kishin qenë shumë miq bashkë dhe do të më tregonte se nga poezia e tij ishte frymëzuar shumë për të shkruar muzikë. (Në tavolinën ku ishim ulur do të vinin herë pas here burra e gra për ta përshëndetur me shumë respekt). Do të vlerësonte shumë edhe muzikologun e shquar Jorgo Leocakos. “Nuk është vetëm më i miri në Greqi”, do të më thoshte me shumë admirim për të, “por është edhe ndër më të mëdhenjtë në Europë. Jemi shumë miq… Mbi të gjitha, është një njeri shumë i thjeshtë…”. Por më bëri përshtypje shumë të madhe dhe u ndjeva jashtëzakonisht mirë kur do të më thoshte se “… unë kam dëgjuar shumë nga miku im Leocakos se ju keni në Shqipëri gjithashtu një muzikolog shumë të shquar… Nuk e di nëse jeton, në mos gabohem ka studiuar në Itali… Kështu kujtoj nga Leocakos… Nuk e mbaj mend emrin…”. “Ramadan Sokoli”, i thashë, pa e ditur mirë nëse e kishte fjalën për mjeshtrin tonë të madh. “Po, po, Sokoli, më ka folur shpesh Jorgo… Jorgo ka ardhur shpesh në Shqipëri dhe ka shumë miq…” “Ramadan Sokoli”, do t’i tregoja, “jeton, është në Tiranë”. I thashë se ai është figura më e madhe e kulturës sonë kombëtare në fushën e muzikologjisë. Ai është themeluesi i kësaj shkence në Shqipëri; me kulturë të gjerë, pa dyshim kolosi më i madh i etnomuzikologjisë shqiptare… I thashë se kishte studiuar në Itali, në Firence, për kompozicion dhe flaut (me ato që dija). I thashë edhe se vërtet muzikologu i shquar grek Jorgos Leocakos e vlerëson shumë zotin Sokoli… “Kjo”, do të shprehej Mikis Teodorakis, “ju bën krenarë për këto figura të ndritura të popullit tuaj. Por unë kam edhe një admirim të veçantë për Ismail Kadarenë… Ai është një shkrimtar shumë i madh. Kam lexuar disa libra të tij, në greqisht por edhe në frëngjisht. Jo vetëm ne ballkanasit duhet të jemi krenarë për këta shkrimtarë të mëdhenj si Ismail Kadare, por ata duhet të nderohen edhe në Europë. Jemi vende të vogla, ambasador, nuk na njohin mirë. Dhe kujtojnë se jemi të vegjël në gjithçka. Ja, edhe ne grekëve na njohin për të kaluarën, për antikitetin dhe më pak për historinë e këtij shekulli… Po Kadareja! Kadareja është juaji, i shqiptarëve, por edhe yni, i Ballkanit, i Europës e më gjerë. Se të tillë shkrimtarë lindin rrallë…”. Plotësisht e saktë, mendova me vete! Pastaj më foli për marrëdhëniet midis të dy vendeve dhe popujve tanë; më foli për emigrantët shqiptarë në Greqi dhe midis të cilëve “kishte talente shumë të mëdha në fushën e muzikës dhe instrumentistë të shkëlqyer”. Do të fliste me një admirim të veçantë për violonçelistin tonë të njohur Renato Ripo… Folëm lirshëm e hapur për tema nga më të ndryshmet dhe duke kërkuar të di diçka më shumë për kompozimin e tij të famshëm, sublim, himn, të Zorbës, duke qeshur do të më thoshte: “Kazantzakis, ky bir i shquar i Kretës, i Iraklios, ka shkruar një histori të mrekullueshme për Zorbën. Dhe tani gjithmonë themi “Zorba” i Kazantzakis. Dhe kur themi kështu, do të thotë Zorba greke… Zorba është një figurë sa reale aq edhe e letërsisë, e muzikës dhe e kinematografisë. Zorba i ka kapërcyer menjëherë kufijtë e Greqisë, sapo u shkrua. Kazantzakis e ka gdhendur me mjeshtëri tipin dhe botën e Zorbës. Se vetë Kazantzakis ishte një njeri i madh, me kulturë të madhe. Ai ishte edhe poet, edhe shkrimtar dhe përkthyes, po a e dini ju ambasador, se Kazantzakis ka qenë edhe ministër menjëherë pas luftës?… Unë nuk e di se ç’kërkojnë ata të Akademisë në Stokholm për t’i dhënë çmimin Nobel. Po atë e njeh gjithë bota, njohin Zorbën e tij… Nuk ia dhanë sa ishte gjallë, por tani pse nuk ia japin? Po kush mund të krahasohet me Nikon? Tani po bëhen nobelistë në disa vende, por… nuk e di… unë nuk kam lexuar gjë nga ata… Nikos vetëm me Zorbën duhet t’i jepnin Nobelin… Por, ambasador, pak rëndësi ka tani, po flas me revoltë se nuk përmbahem kur duan të na gjykojnë disa… nuk di ç’të them… Ai e ka titullin Nobel, jo vetëm nga populli i tij…”
E ndërpreva duke i thënë se “edhe Kadareja ynë është nominuar vit për vit, por nuk e ka fituar…: “Jam plotësisht dakord me ju se edhe Kadareja e ka këtë titull. Ai njihet sot në të gjithë botën, veprat e tij janë kudo të përkthyera.” Dhe i tregova se çfarë më kishte thënë në Gjermani nobelisti Gūnter Grass për këtë temë e që e kam përshkruar në librin tim “Për Gjermaninë – histori diplomatike dhe kujtime”. “Po, e kam dëgjuar se Kadare është nominuar disa herë dhe të nominohesh disa herë radhazi, në një farë mënyre, tregon se e ke fituar këtë çmim, apo jo?… Të kuptohemi, nuk e kam thjesht tek çmimi, as për Kazantzakis e as për Kadarenë”, do të shpërthente me temperamentin tij të vërtetë. “E kam tjetërkund; e kam me këta Europianët e ftohtë, me këta të Stokholmit që dinë shumë pak për kulturën dhe historinë tonë të pasur…
Po ne keni kripë, ambasador, ne kemi jod, më kupton, ne jemi me botë të madhe, me zemër të madhe; ne kemi tradita e zakone të mrekullueshme, ne kemi dashuri të madhe, ne kemi epos, ne kemi këngë e valle që mahnitin këdo. Ne grekët dhe shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit… Por ne në Ballkan duhet të duam më shumë njëri-tjetrin, duhet të shkojmë mirë me njëri-tjetrin… Kemi pasur shumë luftëra dhe është derdhur shumë gjak… Edhe Janis Ricos duhet të ishte nobelist… Ne kemi disa shkrimtarë nobelistë, pore dhe Janis duhet të ishte… Unë, i dashur ambasador, jam i dashuruar me poezitë e Ricosit, i kam pasur frymëzim për muzikën time… Jam i dashuruar me Zorbën; më duket vetja diçka nga ai, nga bota e tij, nga shpirti i tij, nga rebelimi i tij. Se edhe rebelimi është forcë shpirtërore. Dhe më vjen shumë mirë që grekët e duan aq shumë muzikën time, Zorbën tim, që e dinë të gjithë, e vallëzojnë të gjithë. Tani po shkoj drejt të 80-ve, miku im, dhe jam krenar që jam ky që jam, që kam bërë diçka për popullin tim, jo vetëm në muzikë. I fola se në shqip kishim të përkthyera disa libra të Kazantzakis, që shumë vite më parë. Dhe do të më kujtoheshin në ato momente “Krishti kryqëzohet përsëri”; “Kapedan Mihali”; “Bilanci i një jete”; “Udhëtoj nëpër Japoni e Kinë”, “Jeta e Alexis Zorbës”; “Vëllavrasësit” etj. “Kjo flet shumë”, do të më thoshte, “ja, flet për ato që thashë më lart… Këtë nuk e kanë bërë të gjithë… Po le të flasim përsëri për Kadarenë… Ç’bën, shkruan? Sa vjeç është Kadareja? Ou, po qenka shumë i ri, po unë jam 15 vite më i madh… Pa më thuaj ambasador, po kush ka shkruar më mirë, më bukur e më thellë për Eskilin tonë? Ka pak muaj që e kam lexuar, nuk po e kujtoj titullin…” “Eskili, ky humbës i madh”, i shpjegova. “Po, po, ky libër. Po Kadareja ka shkruar aq bukur për historinë tonë, për antikitetin tonë, për kulturën dhe heronjtë tanë të mitologjisë… Ja sa i madh është Kadare… Në këtë libër flet edhe për traditat tona të përbashkëta, greke dhe shqiptare, por edhe për traditat ballkanase, për zakonet, doket, për dasmat, mortet, vajet, këngët, vallet… Flet edhe për kodet, shumë herë të egra, të gjakmarrjes, por edhe për ato që rregullonin jetën. Flet edhe për dashuritë, për betimin, për besnikërinë, për shprehitë kanunore, për eposet dhe për rapsoditë… E çfarë duan më shumë ata të Stokholmit? Janë të ftohtë, ambasador…” “E paskeni lexuar mirë Eskilin e Kadaresë, z. Teodorakis”, i thashë vërtet me shumë kënaqësi… “Po jo vetëm këtë, miku im”, do të vazhdonte mjeshtëri i madh, “kam lexuar disa libra të Kadaresë… Prandaj fola edhe për Nobelin… edhe për Kazantzakis, Ricos-in dhe Kadarenë…” (Duke mbetur tek Kazantzakis aq i dashur për Teodorakisin, do të shënoj se në vitin 2016, Stavri Dajo, miku im me kulturë të gjerë, do të përkthente mrekullisht “Zorbën” që do ta botonte shtëpia botuese “Literatus”.
Ky mjeshtër i shquar i ka dhënë lexuesit vërtet një përkthim mjeshtëror, ashtu siç mjeshtërisht, që në vitin 1996 kishte përkthyer edhe “Jeta e Alexis Zorbës”.) Folëm edhe për politikën, shumë natyrshëm. Mikis Teodorakis, i drejtpërdrejt siç ishte, një antikonformist i njohur, do të fajësonte të dy partitë e mëdha, Demokracinë e Re dhe PASOK-un (në qeverisje) se “nuk dinë t’i shërbejnë siç duhet popullit… Greqia nuk duhet të shkojë poshtë… Ne jemi vend i mrekullueshëm, me njerëz të mrekullueshëm, por po qeverisemi nga politikanë të mefshtë… Në Parlament ka deputetë që nuk dinë se çfarë të flasin e çfarë të bëjnë… dhe ata janë “të rrezikshëm”sepse përdoren lehtësisht nga partitë…” Do të takohesha edhe në dy-tre raste të tjera me këtë personalitet të madh dhe figurë të ndritur të popullit grek. Në një rast, në një bisedë e sipër, do të më fliste me një nderim të jashtëzakonshëm për divën greke të muzikës, Maria Callas. “Ajo”, do të më thoshte, “ka qenë artistja më e madhe greke, por edhe botërore e shekullit që lamë pas. Ne do të ishim bashkëmoshatarë sot, se ajo më duket se ishte 1 vit më e madhe se unë. Një këngëtare e një artiste me botë të madhe si Maria Callas. Një greke që na bëri vërtet të famshëm në skenat e botës. Por u nda shpejt nga jeta, u nda në moshën 53-vjeçare. Të tilla diva lindin rrallë… Vdiq e lodhur, gati në depresion, në Paris, vetëm pak pas vdekjes së njeriut të dashur të saj Aristotelis Onassis. Po the Maria Callas, ke thënë shumë, ke folur për një divë të papërsëritshme.” Për Maria Callas është shkruar jashtëzakonisht shumë. Unë rreth dy vite më parë, në Munih gjeta një libër për të. Është shkruar nga greko-amerikani Nicholas Gage me titull “Grieschischs Feuer (në origjinal: Greeke Fire, Zjarri grek)”, është botuar nën përkthimin e Ulrike Ëasel dhe Klaus Timermann, në shtëpinë botuese “Goldmann” në vitin 2003. Është tepër interesant dhe në 570 faqet e tij do të njohësh shumë nga afër këtë artiste botërore, jetën e saj edhe të lumtur me Onassis, por edhe të trazuar, skenat e famshme ku ka shkëlqyer. Kaloi fëmijërinë në Nju Jork dhe rininë në Athinë, deri në vitin 1945, kur në moshën 21-vjeçare do të shpërngulej përfundimisht në SHBA (për t’u ndarë nga jeta në Paris më 16 shtator 1977). Do të përcillej nga ceremonia mortore në kishën greko-ortodokse të Shën Stefanit në Rue Georgos Bizet BBB për t’u varrosur në varrezat e Pere Lachiase, më 20 shtator 1977. Amaneti i saj ishte që hiri të dërgohej në atdhe, në Greqi, për t’u shpërndarë në Detin Egje. Dhe kjo u bë e mundur më 3 qershor 1979. “Në një anije të flotës ushtarake, në praninë e ministrit të Kulturës Dimitris Nanias dhe të motrës Jakie Callas e të Kostas Pylari, mik i saj, hiri i saj u shpërnda në Detin Egje”. 230 Për jetën e saj, siç thashë më lart, janë shkruar libra pa fund dhe në Greqi, më ka rënë në dorë një libër i shkruar me shumë dashuri dhe vlerësime të jashtëzakonshme nga A.Stassinopoulos “Callas Biografi”. Muzikologia e njohur italiane në të gjithë botën Attila Csampai do të shkruante: “Midis viteve 1949-1959, Maria Callas u dha shpirtrave të trazuar e të lodhur nga lufta shumë muzikë, u dha shumë art, u dha shumë humanizëm dhe ngrohtësi, më shumë se çdo individ i këtij shekulli”. 231 Diva e jashtëzakonshme u nda nga jeta, në depresion, në dëshpërim. Në ditarin e saj do të shkruante: “Jam vetëm. Besoj se për mua do të jetë gëzim që kjo jetë të marrë fund. Sot jam kthyer në një skllave të barnave.
Nuk kam më gëzim, lumturi, kam vetëm barna.” (Nicholas Gage,”Greeke Fire”, Goldmann, 2003, f.523) Por do t’i shkonin më shumë se kujtdo vargjet e Giacomo Puccinit tek Toska: “Jetova për artin, jetova për dashurinë”! … Në mesin e korrikut do të më vinte në ambasadë një ftesë, që e mendova si shumë të tilla që vijnë për veprimtari të ndryshme. U befasova kur e lexova: Mikis Teodorakis më ftonte në Loutraki, 80 km larg Athinës, afër kanalit të Korinthit, për festimet e 80 vjetorit të lindjes. U habita dhe më erdhi shumë mirë për nderin që më bëri. Më shkruante me dorën e tij që të shkoja me një diplomat nga ambasada. Dhe shkova me Engjëllushen dhe Andi Mahilën me të shoqen, Artën. Në mjediset e hotelit u takuam shumë miqësisht dhe e falënderova me nderim për ftesën. “Të faleminderit që erdhe, mik i imi, u gëzova shumë. Unë këtu kam ftuar vetëm miq të mi. Nuk ka asnjë nga politika, është një festim thjesht familjar. Nuk kam ftuar asnjë ambasador, je vetëm ti, ambasadori i Shqipërisë… Më gëzove që erdhe”, tha dhe na njohu me djalin e tij, këngëtar i njohur dhe i dashur. “Do të organizojnë ata të shtetit një ceremoni për 80 vjetorin tim, por me siguri do të jetë çdo gjë zyrtare. Këtu jemi vetëm në mesin e miqve. Hajde zoti ambasador, t’ju takoj me miq e të afërm të mi…
Ky është ambasadori i Shqipërisë, është miku im… e do shumë Greqinë dhe popullin grek… e njeh shumë mirë historinë tonë… ” Isha vërtet shumë i privilegjuar, i nderuar që Mikis Teodorakis më kishte përfshirë në rrethin e miqve, familjarëve dhe të afërmve të tij. Në mbrëmje, në një skenë të madhe në natyrë, do të jepej një koncert me veprat e tij. Do të këndonin këngëtarë të shquar grekë, njëri pas tjetrit, vetëm këngë të kompozitorit të madh. Do të këndonte edhe djali i tij. Kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të banorëve vendas dhe të atyre përreth. Duartrokisnin pa pushim. Mikis Teodorakis nuk kishte lejuar të mbaheshin fjalime. Kishte vetëm urime për 80 vjetorin, nga kushdo që ngjitej në skenë. Dhe Teodorakis ngrihej në këmbë dhe u përulej atyre që e uronin… Buqetat me lule, nga të njohur e të panjohur, u bënë “mal”. Të gjithë e adhuronin. Dhe në mbyllje të koncertit, në orët e vona të natës, do të ekzekutohej nga orkestra “Zorba”. Të gjithë ishin në këmbë dhe duartrokisnin pa pushim. Njerëzit ishin shtuar nga minuta në minutë dhe sheshi i mrekullueshëm e plot gjelbërim në mjediset e hotelit luksoz “Loutraki kazino” nuk nxinte më njeri. Të gjithë ndalonin për ta përshëndetur dhe për t’i marrë autografe. Në një moment nisi të ecë e t’i përshëndesë të gjithë me dorë dhe me përkulje. Të nesërmen në mëngjes, siç e kishim lënë, u ulëm për të pirë kafen së bashku. “Ju falënderoj shumë që më nderuat”, do të na drejtohej, “ju dua shumë; i dua shumë shqiptarët. Ne jemi miq të mirë e duhet të punojmë që ta forcojmë këtë miqësi. Mos i dëgjoni ata zëra racistë që nuk e duan këtë miqësi dhe që nxisin urrejtje…” “Mos i dëgjoni as ju zoti Teodorakis edhe zërat nacionalistë e dashakeqës që edhe ne nuk i kemi të paktë e që ngrenë krye herë pas here”, do t’i ndërhyja. “Po, po, ashtu është”, do të vazhdonte. “Jemi fqinj e duhet të shkojmë përherë mirë, duhet të kapërcejmë çdo të kaluar të mbushur me armiqësi dhe urrejtje… Ne, shqiptarët dhe grekët, jemi popuj të lashtë, me virtyte të mëdha… Dëgjo, ambasador, popujt tanë i këndojnë shumë bukur dashurisë dhe atdheut, i kanë kënduar gjithmonë. Dëgjo: një popull që e do aq shumë atdheun e tij, malet, detin, varret e të parëve, këngën, vallet, traditën, që ka zakone fisnike, ta lëmë gjakmarrjen, një popull i tillë është shumë vital. Dhe ne jemi të tillë, edhe grekët, edhe shqiptarët…” E falënderova me gjithë zemër Mikis Teodorakisin e madh, këtë figurë emblematike të popullit grek, këtë burrë krenar, kryelartë dhe i urova jetë të gjatë. Kishte mbushur plot 80 vjeç, por me trupin e madh e të drejtë, me kokën lart e, mbi të gjitha, me atë karakter të fortë, dukej si një 60-vjeçar. (Duke u pjekur, bëhesh më i ri, thotë gjermani i madh, Hermann Hesse.)
Teodorakis është një legjendë, është një emblemë, është një histori, pjesë e historisë greke… Është një grek fisnik, i madh, bujar, kryelartë, me zemër të zjarrtë, trim, shpërthyes, rebel, energjik. Është një grek që e do gjithë Greqia. Është një hero në llojin e tij. Këtë “natyrë”, këtë “model” duan më shuam grekët. Kjo është më afër tyre, u shkon për shtat, është pjesë e tyre. Sa herë udhëtoj gjatë me makinë, “Zorbën” e Kazanzakit, atë disk që më pat dhuruar që në fillim të njohjes, do ta dëgjoj me kënaqësi të veçantë dhe do të kujtoj gjithçka për të, për Mikis Teodorakisin, kompozitorin më të madh të Greqisë e ndër më të njohurit në botë. Por edhe politikanin, gazetarin, publicistin, polemistin e shquar! E kam dashur më shumë popullin grek kur jam takuar e jam bërë mik me Mikis Teodorakisin!/Gazeta Liberale