Kela Hysenaj: Pakëz fare…
Kela Hysenaj
Dua pakëz fare
në rrugë me mua të ecësh
zili t’i bëjmë hënës e diellit.
Pakëz fare,
dua të digjesh nga gacat e dashurisë,
të bëhesh hi në duart e mia.
Shumë pak dua,
por dua,
ti nga aroma ime të jetosh,
çdo frymëmarrje jotja të mbajë,
emrin tim.
Emrin tim thuaje në mbrëmje e agim
në vjeshtë e në dimër,
në dekada e në shekuj,
thuaje deri në përjetësi!
Sytë e mi kërko dhe në errësirë,
ata lexo kur qeshin e qajnë,
lakuriqësinë e tyre bëje tënden,
asnjë gërmë për mua mos lërë!
Shumë pak dua,
por dua,
nata syrin me gjumë mos ta qepë,
poshtë dritares sime veten ta mundosh,
Por unë do të vij,
për ty, për të dëgjuar veç një fjalë,
me mantelin e natës do mbulohem!
Shumë pak do bëj
me ty, te ty do të vij!
Muza jote pranë zjarrit
me kitarë e verë do bëhem!
Oaz qetësie, në tempuj sigurie
për ty shndërrohem!
Shumë pakëz dua,
ty të dua,
nga ty dua,
të zgjedhësh helmin nga dora ime,
e jo ilaçin nga tjetër dorë,
e në buzë kur ta vësh,
me siguri ta kthesh,
atë helm që ty të dhashë,
atë piva dhe vetë!
Aaaaa, sa pakëz dua,
pakëz fare!
6 shtator 2019.