Sadik Bejko: Lepurusha në bar marsi
1.
Në fisnikërinë e një dite –
fiston liqeni me bulbe shkume nyje-nyje,
vetëm ujë e qiell e qielltë
pa lënë vend për të tjera ngurrime-
gjer në fund dita e fisme.
Nga ca penela të qiparista mbrëmjeje
tulatemi gjer në gozhdim
mes dy a më shumë drurëve.
Lart poshtë, vrerët luhaten
e luhaten ata mbi këmbën
ngulur në dhe e degët në qiell,
fap-fup me dy a ma shumë furça
gjethesh vrerojnë ajrin, e kyçin
në gur dheu qiellin.
Tani asgjë s’është më si më parë.
I dorëzohemi këtij kuadrati
si varrit të pikturuar.
Ca klithma që mund ta shqyenin,
i gëlltisim.
2.
Në drejtkëndëshin zi puthitur
hyn e del Salomeja belzbuluar.
Aq lehtë, aq fluturt
e zhbën bodrumin e vrerët,
dheun lëkund në tërmet,
harrojmë qiparisat me penela bisht bishash,
drurët dënuar të mbeten me një këmbë
si pulat në tra,
shajtuar nga
vetëtima, dhelpra, bufi a gjarpëri…
Gjithë ç’mbetet – lojë çasti.
farfurisht e pafajësisht…
në dukshmëri të fisme vjen dita.
3.
Në fisnikërinë e një dite, një fletë,
një fill i zi, një grimë lëvizjeje e zezë
na hap dyer makthi
dhe lumin me thesare të qelqurinjta,
pyllin me lëbyrje drite,
elefanti i zi na i thyen, rropos lehtaz
me feçkë të butë mishi.
Ato klithmat tona: „ç’bëhet kështu?”
me gjithë mushkëri a rropulli
prej trungut donin t’na shkuleshin.
4.
Në barin e fisnikërisë së agut-
barrë e freskët lepurushësh të gjakosur
mbi lule tërfili
vesuar radioaktivitet,
rrjedhur larg nga mijëra vjet-dritë,
nga planet me ndotje Çernobili,
nga katastrofë qorre hapësire
varrosur nga mediat, qeveritë –
e ne themi: ca gjëra, ca të thëna e të bëra
vdekërisht na janë mohuar t’i dimë.
Vetëm kaq, themi, vetëm kaq
ne lepurushët barkçarë në bar,
lepurushë me të përbrendshmet
shpërthyer si kokëlakër e përgjakur.
E fisme dita, shumë e fisme,
vërtet e fisme.
Pafundësisht butë, hollë
e frikshëm e paqëndueshme.