Albspirit

Media/News/Publishing

Çekia dorëzohet para Kosovës, mundet 2 me 1

Kosovaaaa

“Dardanët” kanë përmbysur Çekinë duke arritur fitoren e dytë në grupin A eliminator të Euro 2020 dhe duke u ngjitur në kuotën e 8 pikëve, çka i lejon skuadrës së drejtuar nga Shaland, të shndërrohet në një pretendente potenciale për të siguruar një biletë në veprimtarinë e madhe kontinentale. Trajneri Shaland kishte bërë disa ndryshime në këtë sfidë, por gjithsesi ekipi bluverdhë ruajti balancat në katërkëndëshin e blertë dhe reagoi në mënyrë madhështore ndonëse e pa veten shumë shpejt në disavantazh. Në minutën e 16-të Republika Çeke kaloi në epërsi falë golit të Patrik Shik, me sulmuesin e Red Bull Lajpcingut që tregohet gjakftohtë në zonë dhe thyen Aro Muriç në shtyllën e dytë. Gjithsesi Kosova reagon mjaft shpejt dhe në minutën e 20-të, Elbasan Rashani asiston mjaft mirë për Vedat Muriqin, me qendërsulmuesin e Fenerbahçes që nuk fal dhe çon topin në rrjetën e Valçik. Çekia do ta nisë më agresive pjesën e dytë të lojës, por Kosova shumë shpejt do të gjejë mënyrën për të ndëshkuar ekipin mik. Në minutën e 66-të, i sapofuturi në fushë Valon Berisha, harkon nga këndorja për Vojvodën e pamarkuar në zonë dhe mbrojtësi, gjuan saktë duke befasuar Valçik dhe duke çuar peshë stadiumin “Fadil Vokrri”. Do të përfundojë me këtë rezultat, një fitore që lejon Kosovën të lërë pas shpine një rival direkt si Çekia dhe të shkëputet mjaft nga dyshja Mali i Zi, Bullgari.

Please follow and like us: