Ergys Mërtiri: Krasta dhe Rakipi, haraçi i Ramës për tregun informal të mediave
“Të paekspozuarit” dhe “A Show” ishin dy nga emisionet më të ndjekura, që ofronin debat televiziv mbi politikën shqiptare. Audienca e tyre vinte, mbi të gjitha, ngaqë këto emisione ishin ndër të paktat hapësira ku të vërtetat thuheshin hapur, pa lejuar zhurmuesit e zakonshëm të përdhosnin fjalën dhe mendimin.
Natyrisht, kjo nuk mund t’i pëlqente pushtetit, sidomos kur ai është i zhytur si asnjë pushtet tjetër më parë në korrupsion e skandale.
Është e kuptueshme që çdo pushtet mund të priret të rrisë kontrollin mbi mediat, por ajo që ndodh në Shqipëri nuk është thjesht kaq. Rama tashmë ka kontroll të plotë në çdo media të madhe dhe të mesme, duke monopolizuar tërësisht tregun mediatik në vend. Dhe kjo është e frikshme dhe e rrezikshme.
Praktikisht, të dy gazetarët e kanë të pamundur të gjejnë sot një televizion, qoftë edhe të dorës së dytë, ku të transmetojnë të njëjtat emisione dhe me të njëjtën linjë editoriale kritike ndaj pushtetit.
Pyetja që mund të shtrohet në këtë rast është: Me cilën logjikë ekomonike mund të justifikohet mbyllja e këtyre emisioneve? Pse një televizion do të sakrifikonte audiencën në këtë mënyrë, duke goditur produksionet e tij më të mira?
Përgjigja e vetme logjike e mundshme në këto rrethana është që humbjen nga mbyllja e programeve ta kompensojë qeveria, në mos qoftë kjo një gjobë që duhet paguar për të mbrojtur bizneset e tjera të pronarëve të televizionit.
Sido që të jetë, ky rast se tregon edhe njëherë se gjendja është e rëndë dhe alarmante. Nuk janë thjesht dy emisione opozitare, të sulmuara nga qeveria për të mbytur të vërtetat që ata publikojnë. Është vetë tregu mediatik që është marrë peng nga qeveria.
Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një sulm të qeverisë ndaj dy gazetarëve, por me një bllokim të hapësirës së komunikimit. Qeveria ka pushtuar hapësirën mediatike, gjë që do të thotë pamundësi e plotë për të shprehur fjalën e lirë.
Ky është kapitullimi faktit i demokracisë.
E vërteta është që, përveç dy televizioneve më të mëdha, të cilat mbahen në pjesë të madhe me reklamat dhe mbështetje financiare nga qeveria, të gjitha mediat në Shqipëri janë financiarisht në humbje.
Pyetja e thjeshtë është se si gjenden këto media ende në treg kur fitimet e tyre nuk i mbulojnë kostot?
Natyrisht, askush nuk punon me humbje, dhe është e kuptueshme që ka një treg tjetër që kompenson gjithçka, me një leverdi shumë herë më të madhe: pazari i qeverisë.
Pasi ka asgjësuar mundësitë që një kompani, qoftë kjo edhe një media televizive, të mbijetojë falë punës së vet, duke shitur produktet e saj në tregun televiziv, Rama ofron një tjetër lloj tregu për mbijetesë: tregun e koncensioneve, tenderave, PPP-ve, licencave dhe çdo mjeti tjetër kompromentimi, në këmbim të rekrutimit në armatën e propagandës së qeverisë.
Është e tmerrshme të vëresh se, pas tre dekadash, Shqipëria po rikthehet përsëri në terrenin e një diktature. Ndryshimi është se në atë kohë mund të të fusnin në burg, nëse pohoje një të vërtetë ndryshe nga ajo e regjimit, ndërsa sot mund të të heqin nga puna dhe të të ndalojnë të gëzosh frytet e talentit e djersës tënde.
Nga ana tjetër, formalisht edhe në atë kohë çdokush e kishte të drejtën ligjore për të shprehur bindjet e tij, por praktikisht nuk kishte asnjë instrument apo hapësirë ku ta bënte këtë.
Sot, propaganda e partisë në pushtet sundon e vetme të gjithë hapësirën e komunikimit, nëpërmjet kulaçit dhe kërbaçit ndaj pronarëve, pa lejuar asnjë zë kundërshtues në mediat me audiencë apo numër të lartë lexuesish.
Madje, triumfi i kësaj propagande është shtrirë deri te platformat e internetit, nga njëra anë duke përdorur kompaninë Acromax, që mbyll profilet dhe faqet kritike ndaj qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, dhe nga ana tjetër përmes një ushtrie trollsash, të paguar me paratë publike për të shumëfishuar këtë propagandë.
Adi Krasta dhe Ylli Rakipi ishin haraçi që duhej t’i paguante News24 Edi Ramës për të mbijetuar në tregun informal të instaluar, garantuar e kontrolluar nga pushteti.
Programet e tyre ishin haraçi që duhet t’i paguante shoqëria Edi Ramës për mosnënshtrimin e plotë ndaj rrënimit, që qeveria ia ka bërë fjalës së lirë dhe demokracisë.