Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Mesazh për çdo vajzë!…

Image result for ida nurce

Ti, që sapo ke filluar të hedhësh hapat e parë. Shtrëngoji duart e mamit dhe të babit, sepse janë të vetmet, që nuk do të të lëshojnë kurrë!

Ti, që sapo mbarove 9-vjeçaren dhe po shkon në gjimnaz. Lëri budallallëqet e moshës, sepse do ndikojnë në të ardhmen tënde! Gjimnazi është trampolina e jetës, mëso të hidhedh në drejtimin e duhur, se do thyesh turinjtë më vonë! Lëri dashuriçkat!

Ti, që sapo ke hyrë në dyert e universitetit. Po mësove, nuk do të të duhen lekë të blesh provimet. Mëso, që nesër të mos bëhesh pronë e dikujt! Jepi kurajo vetes, që të bëhesh Zot i vetes tënde! Mos u tundo nga asgjë!

Ti, që sapo ke filluar një punë. Puno fort e dashur! Mbaj seriozitetin tënd! Mos krijo shoqëri në punë, as dashuri, sepse do shkatërrosh veten! Ndaje jetën nga puna! Mos iu lëpi askujt, sepse do vijë një ditë që “sahani i lëpirjes” do jetë bosh!

Ti, që nuk po gjen dot një të dashur. Mos u dëshpëro! Ndoshta, ai i cili do bëjë gjithçka për ty, nuk ka kaluar akoma nga rruga jote. Ai, që do të të respektojë, siç vërtetë e meriton, thjesht po pret kohën! Gjithkush ka riskun e vet! Dhe ti një ditë do gjesh dikë, i cili do ketë frikë mos të të humbasë!

Ti, që nuk gjete dot një punë, por gjetë një të dashur 50- vjeçar. Ty nuk kam çfarë të të them. Të fola më sipër, por nuk më dëgjove. Tani më qahesh, që po sillen keq me ty, që po të përdorin, që po të dhunojnë, që po të përçmojnë, që nuk po të japin vëmendjen që do, që të kanë lënë në një anë. Mos u qaj kot! Ishte zgjedhja jote. Zgjodhe rrugën më të lehtë, duke mos e ditur që i je futur rrugës së shkatërrimit të vetes tënde! Fshiji lotët, sepse e dije shumë mirë fundin! Nuk mësove kurrë të çash jetën vetëm, por me lekët e të tjerëve. U bërë vegël e tyre, sepse ishte më e lehtë për ty, por harrove që veglat përdoren, kur ke punë! Tani ke frikë?! Mos e dashur! Frikë duhet të kishe pasur që në hapat e parë!

Prandaj, boll me të dashura vajza! Punoni, që të jeni të zonjat e vetes! Mos u bëni vegla të të tjerëve e t’ju çojnë sipas qejfit! Do përfundoni të vdekura, në momentin që do kërkoni diçka! Nuk mund të ngreni kurrë krye! Jeni pronë tashmë, por mos e lejoni këtë gjë, sepse bota rrotullohet rreth jush! Jeni ju që nxirrni jetë nga trupi, sepse mashkulli do vdiste po të ishte në vendin tuaj!

Jeni kaq të forta, tregojeni këtë gjë, mos u mrrolni para zhargonit “femra është delikate” dhe të prisni respekt nga pronarët, që ju vetë iu dorëzuat! Është koha juaj.

Please follow and like us: