Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mretëria sovrane e drurit

Fotografia e Sadik Bejko

(Do të të hedh në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e lumenjve të tu,
dhe do të biesh në fushë të hapur, nuk do të të varrosin,
as nuk do të mbledhin; do të flak si ushqim për bishat e tokës
dhe për shpendët e qiellit Ezekiel, 29:5 Profecia për Egjiptin)

Mendova, Atë, me një krenari të përulur
se ke bërë mirë që më zbrite te drurët.
Më fshive nga soji i njerëzve për t’u
strehuar nën tokë, te rrënjët, nën lëvoren
që mbështjell drurin e më thellë lëndës së tij
drusore, tej në kockë.

Atëherë, siç mbaj mend, u trondita.
I rënë në atë mbretëri sovrane e të
patundur rrënjësh, përbrenda klithja fort,
duart të kapitura, gjunjët të këputur.
Po ishte urdhër. Jehovai tha: i përsosur je ti,
Egjipt, por unë dua e të rropos në pluhur.

U binda. E lashë shiun të më lagë dhe
vjeshtën të më zhveshë. Dimrin t’më
rrëshqasë në lëkurë. Dikur kisha qenë
bari, po një dimër të tërë nën borë, pa
një strehë, s’i kisha menduar kurrë.

I pandjeshëm si dru, memec, i
pashprehje si dimërit një dru;
kokëmushkë, në hajvanllëk si dru;
pa shapkë, tharë në inde e tru si
dru, pa gjak, pa limfë, i thyeshëm si
dru, i shqyer, i shtrirë, i lakuar e
drithmuar rrënjësh si dru; pa diell,
pa gjumin trup më trup, kokë më kokë
me një tjetër… si dru.

Fort e fort në prill njomja qiellin,
lutesha t’ma shpojë lëkurën e trungët
për të çelur syth si çdo dru. Dhe çela
fytyrë, duar, trup njerëzor… u ktheva
…nuk jam më dru. Prapë Jehovait i falem
që u dha fund ditëve të mia prej druri
Ai i tha Egjiptit: Unë dua e të zhduk,
të miat janë rëra, dherat, drurët edhe lumi.

Please follow and like us: