Xhoi Jakaj: Burra të vrazhdë vrasës dhe gra që vdesin mizorisht!
Xhoi Jakaj
Vrasja makabre e një gruaje me 12 thika në trup në mes të natës dhe vetëvrasja e bashkëshortit-vrasës më shtynë të gërmoj e të shkruaj sot këtë shkrim!
Pse burrat vrasin?
A ndodh ky fenomen i shkaktuar nga një ndjenjë e fshehtë mistike e trashëguar në gene e që vjen nga thellësia e shekujve ?
A ndodh ky fenomen si cenim i ndjenjës së superioritetit të mashkullit? A ndodh kjo sepse niveli ekonomik dhe pozicioni shoqëror i gruas vazhdon të jetë ende i varur dhe tepër i dobët përballë brutalitetit mashkullor?
A luan një rol të drejtëpërdrejtë familja ,origjina nga ku mashkulli lind e rritet, i aftë ose i pa aftë për të dashuruar gruan e tij. Të gjitha këto pyetje më mundonin dhe do përpiqem nëpërmes këtij shkrimi t’u jap përgjigje ju dhe vetes sime.
Të vrasësh një femër do të thotë të vrasësh vetë jetën. Natyra e krijoi gruan të lindë e të rrisë fëmijë dhe jeta trashëgohet nëpërmes trupit të saj, biologjikisht edhe kur bëhen lindje in- vitro vezët dhe trupi i nënës janë pika kyçe për ardhjen në këtë botë të fëmijëve
Gruaja është buzëqeshja dhe ëmbëlsia e dashurisë nga pema e së cilës lind dhe fruti i saj.
Atëherë si ka mundësi që ky frut të rritet dhe të bëhet vrastari i kësaj bukurie që i jep hijeshi dhe ëmbëlsi jetëve tona. Pra një mashkull i ardhur nga trupi i një gruaje vret një grua tjetër, bashkëshorten e ndonjëherë dhe vajzën!
Nga vjen ky mllef prej të çmenduri që ngre dorën e godet, e vret si të jetë zot mbi të, shkurtohet një jetë gruaje, por dhe ndërpritet vazhdimësia e një riprodhimi mbi tokë?!
E shkuara dhe historia e nënshtrimit të gruas
Historia na ka treguar në breza se nënat që rriten me qumësht gjiri pjellat e tyre që në shekullin e shkuar jetuan kokëulura, të pandiera, të urta atje ku të tjerët i martuan.
Shumica prej tyre, në mos themi të gjitha, nuk e zgjedhnin vetë fatin e tyre.
Atë ua diktonte familja, mblesi, lidhjet mes fiseve, aleancat e gjithfarë ujdish që bëheshin. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe ende ndodh në disa zona të thella, por nga vjen kjo traditë
Padyshim këto rregulla në formë ligjesh që janë të shkruara në mendjen e gjithsecilit vijnë nga një kohë e largët e ndikuar dhe nga kultura të huazuara.
Këto rregulla të ashpra të diktuara po me aq ashpërsi që nga shekujt e largët deri në ditët tona kanë sjellë më së shumti shtypjen e gruas dhe pronësinë e saj si mall.
Ne jemi trashgimtarë të ilirëve por në këtë pikë nga Iliria e zhvilluar nuk trashëguam vlerësimin dhe rolin që i jepej gruas në atë kohë.
Pasi pushtimet e njëpasnjëshme lanë mbi këtë popull ndikimin edhe të kulturave të tyre.
Fati i keq i këtij populli ishte pushtimi për afro 500 vjet nga perandoria osmane, e cila rrënjosi në këtë vend zakone, tradita që i huazuam jo mirë dhe sot e kësaj dite akoma jemi disi nën ndikimin e tyre.
Duke i shtuar edhe fenë e cila interpretohej ashtu si i leverdiste gjithkujt dhe çdo gjë rëndonte mbi kurrizin e grave, të cilat kokulura e të pafjala duhej të bindeshin, pasi ato nuk kishin asnjë të drejtë fjale?
Shkurt ishin skllave të bindura të padronit të tyre me emrin burrë.
Një rol tejet vendimtar mbi fatin e gruas në këtë vend ka luajtur dhe Kanuni i Leke Dukagjinit i cili në thelb ështe i krishterë, më tepër ndikimin e tij e gjejmë në pjesën veriore të Shqipërisë e ndaj them që feja në disa raste i ka shërbyer kanunit i cili sipas historisë u krijua dhe mori trajtë të plotë mes viteve 1458-1481. Në këtë dokument, midis të tjerave për gruan, shkruan kështu:
“Gruaja duhet me i rrogue pa zhibla burrit, me i ndejt nën sundim, m’u përgjigj detyrave të kunorës”.
Pra sipas kanunit gruaja ishte e nënshtruara, e nëpërkëbura në martesë e pa të drejta fjale para burrit edhe nëse ky i fundit kishtë gjithnjë të drejtën e plotë mbi gruan.
Duke iu referuar të gjithave sa kam shkruar më sipër, këto rregulla të egra, me një mentalitet tepër të dobët dhe primitiv kanë ndikuar drejtëpërsëdrejti në jetën e vuajtëshme të grave shqiptare.
Ato duhet të ishin të bindurat e fatit, ato ishin të nënshtruarat e burrit, ato ishin gojkyçurat përballë dhunës.
Në mes të kësaj dhune ajo rriste dhe fëmijët e aty rritej djali që nesër do bëhej kryefamiljari.
Ai shihte si trajtohej nëna dhe motra e tij dhe si rrjedhim duke u rritur mes dhunës, nesër edhe ai do bëhej dhunuesi.
Duke qënë dhunuesi, ai kishte dhe rolin e superiorit, por dhe pse me shumë cene kanuni nuk lejonte vrasjen e gruas vetem në rast tradhëtie.
Sot shoqëria është ndërgjegjësuar deri në një farë mase, demokracia ka shkruar rregulla të reja, gruaja nuk është më ajo e dikurshmja, ndonëse në disa zona ende zbatohet Kanuni dhe fuqia misterioze e mashkullit; gruaja ka me shumë të drejta e liri themelore që nëse i përdor mirë në shërbim të vetes e grave të tjera barazia gjinore një ditë edhe mund arrihet?!
Ky ndërgjegjësim i gruas ka bërë që shumë prej tyre të marrin në dorë frenat e jetës.
Gratë e arsimuara dhe në karrierë janë shembulli i mirë që tregon se në këtë vend ka ndryshime, por akoma është një ndryshim i brishtë deri sa gratë vriten akoma në vitet 2019, më ftohtë se kafshët me thikë në fyt.
Edhe pse Shqipëria sot është një vend kandidat dhe i hapur për në BE e ku teknologjia dhe interneti ka një shtrirje të gjerë në tërë territorin e saj, në këtë vend ende puthuajse çdo javë ose çdo ditë ndodh vrasja e një nëne, e një gruaje, e një vajze.
Mbrëmë ndodhi vrasja e radhes me thikë. Kjo ndodh pasi pushteti superior i një mashkulli ka fuqinë absolute mbi qënien-grua.
Ai ende qëndron i fortë përballë rregullave dhe ligjeve të këtij shteti sepse ligji nuk gjen forcën të thyejë këtë lloj mentaliteti në këtë vend.
Ligji nuk ka ashpërsinë e duhur, ai nuk gjen zbatim nga organet ekzekutuese duke lënë të lirë dhunuesin, shpesh edhe me prova e fakte të pakundërshtueshme?
Një ndër shkaqet kryesore dhe më thelbësore është dhe gjendja e varfër ekonomike e shumë familjeve shqiptare, shkalla e lartë e papunësisë, niveli i ulët arsimor, arsye që ngushtojnë rrethin e lirisë së gruas.
Papunësia sjell te ato një varësi ekonomike, ku një ekonomi e dobët bën që dhe një grua të jetë e dobët përballë brutalitetit mashkullor.
Kjo dhunë ndaj saj ndodh në një vend të shenjtë që e ka emrin shtëpi.
Kjo shtëpi është streha e saj, ku ajo ka sjellë në jetë fëmijë e në shumë raste fëmijët janë drejtpërdrejt spektatorët e një drame që në fund përfundon me tragjedi, vrasjen makabre të nënës së tyre.
Shpesh herë duke menduar për mbarëvajtjen e jetës së fëmijëve të saj një grua duron dorën të ngrihet mbi të. Nëse largohet nga shtëpia, ajo nuk gjen mbështetjen e askujt, as të familjarëve të saj; kjo ndodh edhe tek gratë e arsimuara jo pak here.
Nuk mund t’i përgjithësojmë të gjitha, por ky është një realitet i hidhur që vjen si rrjedhojë e një zakoni të ardhur ndër breza.
Gruaja martohet për të patur një strehë të vetën dhe kur në atë strehë që e ndërton bashkë me burrin i ofrohet dhuna nga njeriu i jetës me te cilin krijoj nje familje, por kjo jetë i kthehet në ferr, ama nga besimi e durimi se mos bashkëshorti ndryshon ajo shkon drejt një vrasje të paralajmëruar, ndërkohë që dhuna ka kaluar në përmasa katastrofike atëherë ky njeri nuk ndalet deri sa e vret sepse egoja mashkullore, instikti I lindur dhe i mbartur në gene është më i fortë se çdo ndjenjë tjetër te këta njerëz që bëhen të padurueshëm ndaj zërit të një gruaje që thërret për ndihmë, qënia e tyre nuk e pranon dot divorcin, as denoncimin, as urdhërin e mbrojtjes dhe kështu dhuna rritet e vrasjet shtohen.
Një shoqëri e cilivizuar duket nga emancipimi i gruas
Ajo lind jetën dhe kur ti e vret është si një erozion që shkaterron relieve e përmbys gjithçka mbi tokë, ke rrafshuar botën e fëmijës tënd dhe jetën tënde përpos të gruas që vrave!
Apeli im është dora e ligjit të jetë më e ashpër ndaj burrave që vrasin gra, një burrë që vret gruan duhet të jetojë përjetësisht pas hekurave të burgut.
http://www.gsh.al/2019/09/09/burra-vrases-dhe-gra-qe-vdesin-mizorisht/