Albspirit

Media/News/Publishing

Gerti Bogdani dorëhiqet nga funksionet në PD, letra e lamtumirës

Image result for gerti bogdani

Në radhë të parë dëshiroj të ndaj me ju dhe të shpreh mirënjohjen time ndaj Liderit Historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, për besimin që më dha në vitin 2007 në pozicionin e Sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike. Së dyti, dëshiroj të falenderoj kryetarin aktual të Partisë Demokratike, Z. Basha, për besimin e dhënë në vazhdimin e kësaj detyre pas ndryshimeve në Partinë Demokratike në vitin 2013.

Ndër vite kam patur privilegjin të përçoj zërin e çdo shqiptari, në institucionet më të rëndësishme të demokracisë botërore, në kontakt me personalitete të shquara dhe politikanë, që nga Kongresi e Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Parlamenti Europian, Bundestagu Gjerman, etj, për mbështetjen e Shqipërisë në hapat e mëtejshëm të integrimit europian dhe njohjen e Kosovës.

Në këtë kuadër, ndjehem i privilegjuar që detyra dhe objektivi i parë në këtë pozicion, mbrojtja e aplikimit të LDK-së së Kosovës dhe Ibrahim Rugovës, për anëtarësim në Partitë Popullore Europiane u kurorëzua me sukses. Gjithashtu besoj se puna e palodhshme dhe kontributi modest bënë të mundur anëtarësimin për herë të parë të PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat, IDU, në Qershor të vitit 2008.

Më pas, puna paralele për ringritjen e FRPD dhe faktorizimin e saj në Shqipëri por edhe në arenën ndërkombëtare për herë të parë, në vitin 2014, bënë të mundur që si Kryetar i FRPD, të zgjidhesha President i Bashkimit Ndërkombëtar i të Rinjve Demokrate, IYDU, për dy vite me radhë. Dhe jo vetëm, në bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me YEPP, IYDU, EDS dhe DEMYC realizuam në Shqipëri disa Kongrese Rinore Botërore ku ftuam dhe prezantuam me Shqipërinë mbi 600 lidera të rinj nga çdo kënd e kontinent i botës.

Gjithashtu, jam besimplotë se puna e vazhdueshme me EPP dhe dhënia e statusit të anëtarit me të drejtë vote të PD në Partitë Popullore Europiane në vitin 2015, i ka dhënë forcës sonë politike një pozicion dhe rol edhe më të rëndësishëm në këtë familje të madhe politike Europiane.

Unë besoj se marrëdhëniet me jashtë dhe diplomacia e suksesshme nuk janë dhe nuk mund të jenë thjeshtë burokraci, por një ndërveprim i vazhdueshëm për ngritjen e urave të komunikimit dhe forcimit të miqësive, si institucionale, ashtu dhe personale. Ndaj, dëshiroj të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjithë ata kolegë dhe miq të vyer me të cilët kemi bashkëpunuar në këto vite, që nga vendet me demokraci të konsoliduara e deri tek ato me demokraci shumë të brishta.

Sikundër deri më sot, jo thjeshtë për shkak të detyrës, por mbi të gjitha për shkak të vokacionit dhe parimeve personale, do të vazhdoj të kontriboj për avancimin e imazhit të Shqipërisë dhe forcimit të rolit të saj jo vetëm në Rajon, por edhe më gjerë. Jam i lumtur dhe i nderuar që kam mundësinë ta bëj këtë gjë përmes një rrjeti fantastik miqsh ndërkombëtar – nga Washingtoni e deri në Bruksel – me të cilët kam patur privilegjin të bashkëpunoj ndër vite. Miq të cilët ndër vite, në kohë prosperiteti dhe në kohë të vështira kanë vizituar Shqipërinë, e kanë patur në zemër dhe e kanë ndihmuar për të përballuar dhe tejkaluar sfidat me të cilat është hasur demokracia e brishtë shqiptare.

Si rezultat i një kohe të gjatë në këtë pozicion, besoj ka ardhur koha për të pranuar sfida dhe angazhime të reja, për të vazhduar të jap kontributin tim për forcimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike. Ju garantoj ju dhe çdo anëtar të Partisë Demokratike që angazhimi dhe përkushtimi në këto sfida të reja, do të jetë gjithmonë maksimal dhe gjithmonë duke ruajtur parimin se të drejtat, mirëqënia dhe shpresa e munguar, jo vetëm e çdo demokrati, por mbi të gjitha e çdo qytetari të ndershëm shqiptar, do të jetë ylli polar i punës sime. Ndaj, në këtë kuadër i kam kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike të pranojë dorëheqjen time nga pozicioni i Sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike.

Puna ime do të vijojë çdo ditë brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe zëri im do të jetë zëri i çdo shqiptari që kërkon demokraci, vlera, drejtësi dhe mbi të gjitha shpresë për një Shqipëri, që sot ka nevojë për shpresë më shumë se çdo herë tjetër!

 

Lexo gjithashtu nga ky autor:

Gerti Bogdani: Memoriali turk në Tiranë, gafë e rëndë diplomatike dhe cenim i sovranitetit kombëtar

Please follow and like us: