Albspirit

Media/News/Publishing

GJON PALI I SHLLAKUT DHE E BIJA NË RRETHIMIN E SHKODRËS, 1912-1913

Ndoc Selimi

 

Fotografia e Ndoc Selimi

Studiuesi i mirënjohur Qerim Vrioni ia ka kushtuar kohën më të madhe të jetës studimit të fotografise duke u bërë i pari në këtë lloj në Shqipëri. Me mbi 100 artikuj në shtypin tonë shqiptar dhe atë të huaj e bënë të njohur autorin Qerim Vrioni si një mjeshtër i kësaj gjinie dhe ndër të parët që merr mbi vete një mision të tillë artistik.
Jo vetëm si fotograf i zoti, por mbi të gjitha si kerkurs në këtë gjini, autori na paraqet një studim thellesisht njerëzor dhe me nota të prekëshme punimin “Pikëllim në një foto të vjetër”.
Publikimi i i fotografisë me autor fotografin e njohur Kolë Maca që i perket shekullit të kaluar duke i kushtuar edhe këtë studim, i terheq vëmendjën gjithë opinionit artdashës në të gjitha trojet shqiptare për një foto “të harruar” ndër kohë , e cila ka bërë xhiron e Europës që nga botimi i parë 1913 e deri në ditët e sotme.
Janë muajt e tmershëm të viteve 1912 – 1913, kur Shkodra rrethohet nga trupat serbo – malazeze dhe qendresa heroike e ushtrisë mbrojtese në krye të së cilës udhëhiqnin Hasan Riza Pasha dhe Esat Toptani, nuk mundën ta çonin deri në fund qëllimin e kësaj lufte e aq më shumë fitoren. Edhe se u quajt luftë turko – malazeze, në këtë mbrojtje morën pjese me mijera shqiptarë pa dallim feje e kombësie, ku mjeshtri fotograf Kolë Maca ka arritë të fiksojë në objektivin e aparatit tij malësorin prej Shllaku Gjon Pali në momentet e agonisë pas një plage që kishte marrë në mbrojtje të Shkodrës dhe e bija e mbeshtetur gati në trupin e tij. Kjo foto në përbërjen vet, siç e cilëson edhe autori i librit, ka brenda botën e luftës, ka brënda atë çka ka ndodhë realisht; lavdinë dhe humbjen dhe se mund të emërtohat pa medyshje ” Një simbol i Rrethimit Shkodrës 1912 – 1913″
” Fotoja e Kolë Macës – thotë autori Qerim Vrioni – a mitizon apo çmitizon kënd ?. Ajo mund të thuhat se mitizon dashurinë e madhe të vajzës për të atin që po largohet nga kjo botë. Madje, ajo, mendojmë edhe se çmitizon vdekjen. Vajza e sheh si diçka të natyrshme vdekjen e prindit ( vdekje e radhës), veç jo kaq shpejt e në këtë mënyrë”.
Fotografi Kolë Maca e ka realizuar foton kur ishte në moshën 30 vjeçare, i pergatitur me një arsim profesional e edukatë qytetare të asaj kohe, si shumica e itelektualëve shkodranë, e ndjenë peshën e luftës dhe të një rrethimi të çmendur prej 183 ditësh të qytetit tij. Ai na ka lënë shumë foto të kësaj lufte, por ajo që përjetësoi këtë ngjarje pa patur nevojën e komentit, është pikërisht kjo foto.
Fotoja është botuar për herë të parë në Itali te “Domenica del corriere” të Milanos me 25 maj 1913 në një artikull redaksional me titull ” La fine della guerra balcanica”. Në artikull fotoja e Kolë Maces ka diçituren poshtë me titull ” Donna Albanese che assiste il padre morente per ferite riportate in guerra”( Gruaja shqiptare pranë të atit që po vdes nga plagët e marrura në luftë). Po ashtu në botimin e kronistit Gino Berri për luften e Shkodrës “L’assedio di Scutari” Milano, 1913 , kjo foto është vendosur në ballinen e parë të librit. Kujtojme se “Rrethimi i Shkodrës” i Gino Berrit është botuar i përkthyer në shqip nga Shtëpia Botuese Ushtarake (SHBU) më 1998 dhe fotoja prelud e Macës Gjon Pali dhe e bija është hequr nga kapaku si dhe të 40 fotot që ndodheshin në origjinal për “Rrethimin e Shkodrës” nuk janë përfshirë në përkthimin shqip!!!!
Pohojmë se të huajt e kanë ngritur në piedestal këtë foto si te libri ditar i Hortense von Zambauer me titull: “Die Belagerung von Skutari”, “Rrethimi i Shkodrës” botuar në Berlin më 1914 (Përkthyer në shqip më 2006 nga Shtëpia Botuese “Camaj – Pipa” , ku përfshihën të gjitha fotot. Po ashtu për nga realizimi dhe mesazhi që sjell kjo foto është krahasuar me pikturen “Pietà” të Michelangelo.
Do të kujtojmë me plot nder dëshmuesin pamor të ngjarjeve të Shkodrës klerikun erudit At Justin Rroten, i cili në veprën dorëshkrim ” Ditët e mbrame të Turqisë, ase Rrethimi i Shkodrës, 1912 – 1913″ përfshin edhe këtë foto te Kolë Maces . Autori mendoi ta botonte më 1963 ,në 50 vjetorin e ngjarjes së madhe, por për arsye të pa arsyes të politikës së eger komuniste nuk e botuan. At Justini ka nderin të jetë i pari që zbulon se i plagosuri Gjon Pali është nga Shllaku, gjë që nuk mund të vihet në dyshim, pasi At Justin Rrota e njihte mirë atë zonë.
Kjo foto e fotografit Kolë Maca sot bën pjesë në Fondin e Artë të fotografisë Europiane. Shpresojmë të ketë një vend nderi në artin tonë shqiptar!!
Për të qenë brenda konturave të një shkrimi ne fb, nuk po e zgjas më, pasi të interesuarit mund të marrin vetë në dorë këtë studim mjaft iteresant. Urime, suksese e mirësi autorit mjeshtrit të fotografisë Qerim Vrioni!!
………………………………………..
– Të dhënat janë marrë nga studimi “Pikëllim në një foto të vjetër” të autorit Q. Vrioni.

Fotografia e Ndoc Selimi

Fotografia e Ndoc Selimi

Please follow and like us: