Albspirit

Media/News/Publishing

Iran: Arrestime arbitrare, dënime mesjetare nga frika e shpërthimit të një Kryengritjeje Mbarëkombëtare

Nga frika e përhapjes së protestave popullore dhe shpërthimit të një kryengritjeje mbarëkombëtare, diktatura fetare që sundon Iranin vazhdon të përdorë arrestimet arbitrare e të shumta në numër, proceset gjyqësore mesjetare, dhe dhënien e dënimeve të gjata me burg për të burgosurit politikë.

Më 7 shtator 2019, gjykata e rreme e mullahëve dënoi znjsh. Sepideh Gholian, znjsh. Asal Mohammadi, znjsh. Sanaz Alahyari dhe zotërinjtë Esmaeel Bakhshi, Mohammad Hanifar, Amir Ami-Gholi, dhe Amir Hossein Mohammadi-far me burgime të gjata. Ata ishin arrestuar gjatë grevave e protestave të vitit të shkuar të punëtorëve të Fabrikës së Sheqerit Haft Tappeh.

Të akuzuar për krime të tilla false si “mbledhje e bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare [të shtetit],” “veprimtari propagande,” dhe “përhapje gënjeshtrash,” ata janë dënuar me një total prej 110 vitesh burg.

Këto dënime mizore shkaktuan një valë zemërimi e proteste, duke e detyruar kështu Kryegjyqtarin kriminel të regjimit, Ebrahim Raisi, të tërhiqej me ngurrim e të premtonte rishikim të këtyre dënimeve nga gjykata e apelit.

Dy javë më parë, një gazetare, znjsh. Marzieh Amiri, e arrestuar gjatë protestave të 1 Majit në Teheran, u dënua me 10.5 vite burg dhe 148 goditje me kamxhik. Znjsh. Atefeh Rangriz, edhe ajo e arrestuar më 1 Maj, u dënua me 11.5 vite burg dhe 74 goditje. Në të njëjtën kohë, z. Kiumars Marzban-dar u dënua me 11 vite burg. Për më tepër, javët e fundit, nëntë punëtorë të Haft Tappeh janë dënuar secili me tetë muaj burg, me punë të rëndë dhe 30 goditje. Më përpara, një profesor universiteti, z. Kamal Jafari Yazdi ishte dënuar me 13 vite burg.

Në të njëjtën kohë, regjimi i mullahëve ka liruar Saeed Mortazavi-n, ish-prokurorin e Teheranit dhe një prej gjykatësve më kriminelë, pasi kishte vuajtur një dënim prej pak më shumë se një viti në burg. Ai ishte akuzuar për “bashkëfajësi në vrasjen vullnetare pa paramendim” të një të burgosuri të arrestuar gjatë kryengritjes së 2009-ës dhe të dënuar me dy vite burg. Ai ishte dënuar gjithashtu me 70 goditje me kamxhik për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, dënim që iu fal nga Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei vitin e shkuar. Është e qartë që Mortazavi i përket listës së atyre që kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), vë në dukje se, me anë të kësaj vale arrestimesh arbitrare e dënimesh mesjetare, regjimi anti-njerëzor i mullahëve po përpiqet më kot ta parandalojë shpërthimin e protestave popullore e kryengritjeve mbarëkombëtare që kërkojnë përmbysjen e regjimit. Ajo nxit komunitetin botëror, sidomos Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut, dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të të drejtave njerëzore të marrin masa urgjente për të siguruar lirimin e të burgosurve politikë. Znj. Rajavi bën thirrje sërish për formimin dhe dërgimin në Iran të një misioni ndërkombëtar të gjetjes së fakteve për të hetuar kushtet e burgjeve dhe gjendjen e të burgosurve politikë.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

Please follow and like us: